Lufta e komisionerëve “të pistë” brenda partive dëmton zgjedhjet, paralajmërohen hetime

Politika

Lufta e komisionerëve “të pistë” brenda partive dëmton zgjedhjet, paralajmërohen hetime

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 18 tetor 2019 Në ora: 12:14
Foto ilustrim

Zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 6 tetor në Kosovë, ende nuk po mun të certifikohen nga KQZ-ja dhe të shpallet zyrtarisht partia fituese dhe kandidatët që kanë fituar mandatin e deputetit, për shkak të ankesave që kanë quar në rinumërim të votave.

Ankesat kryesisht vinë për komisionarët që kanë përfaqësuar partitë politike në zgjedhjet 6 tetorit, e akuzat janë pikërisht mbi ta për shkak të vjedhjes së votave brenda partisë, saktësisht vjedhjen e votave të kandidatëve.

Madje, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka befasuar me një deklaratë të saj për punën skandaloze të komisionerëve.

Në një intervistë, ajo tha se ajo që e kanë bërë disa komisionerë është punë e pistë, sepse për shkak të punës së tyre me tendencë për të deformuar votën, do të ketë rinumërim të shumë kutive të votimit.

“Lufta brenda llojit për kandidatët e partive është e pistë, sepse është provuar të bëhen allashvërishe të ndryshme”, ka deklaruar Daka.

Ajo ka thënë se kur të përfundojë procesi do të dihet saktë se kush ka provuar të deformojë vullnetin e qytetarëve, dhe do të ketë kallëzime penale për ata komisionerë që kanë provuar të bëjnë gjëra të tilla.

“Janë shumë komisionerë që janë dënuar në të kaluarën, dhe me gjasë edhe shumë të tjerë do të hetohen”, deklaroi Daka.

Lidhur me këtë çështje kanë folur analistë politik si dhe zyrtarë nga Vetëvendosja e LDK-ja.

Gecaj: Të zgjidhet problemi me komisionarët e “pistë”

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, në një postim në Facebook ka shkruar se menjëherë pas certifikimit të rezultateve, qeveria e re duhet të merret seriozisht dhe ta zgjidh një herë e përgjithmonë problemin e komisionarëve të “pistë”!

“Duhet që menjëherë dhe pa asnjë vonesë, pas certifikimit të rezultateve, të merremi seriozisht dhe ta zgjidhim një herë e përgjithmonë problemin e komisionerëve të “pistë”! Ky është një problem që na paraqitet bash në secilën palë zgjedhje. Për këtë deformim dimë dhe flasim të gjithë, e kritikojmë dhe e anatemojmë zëshëm, por në fund e harrojmë dhe e lëmë të na rishfaqet sërish në zgjedhjet e radhës! Ajo çfarë po shohim gjatë rinumërimit të votave është një parodi apo karikaturë e zgjedhjeve të shëndosha, është një lojë apo cirk iritues me vullnetin e qytetarëve, dhe është një deformim tanimë patologjik i demokracisë sonë të re e të brishtë! Ose duhet t’i mbyllim listat ose të zhvendosim numërimin në një qendër të përbashkët apo në disa të tilla rajonale .. diçka e tillë nuk guxon të tolerohet më”, ka shkruar Gecaj.

Rinumërim i dyshimtë

Image
Ajet Potera

Ndërsa, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Ajet Potera, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se ky proces i rinumërimit është i dyshimtë dhe ai dhe partia e tij janë të interesuar të gjejmë një formë me të mirë në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas tij, askush nuk duhet ta prish vullnetin e qytetarëve.

“Një gjë që më shqetëson është një proces shumë i ngadaltë dhe për mua i dyshimtë. Jam shumë i interesuar të gjejmë një formë me të mirë në zgjedhjet e ardhshme. Pas një fushate dhe ditës së votimit aq dinjitoze nga ana e qytetarëve, ku treguam një demokraci të lartë, nuk është dashur askush të guxoj të prishini atë vullnet të qytetarëve”, tha Potera për “Bota sot”.

Reforma të thella të ligjit zgjedhor

Image
Fadil Maloku

Ndërsa sociologu Fadil Maloku, për “Bota sot” ka treguar rrugët se si këto probleme të mënjanohen.

“Qeveria aktuale që është në ikje, apo si thuhet në largim, me ligjet aktuale në fuqi të Republikës së Kosovës, nuk ka më asnjë nën apo kod të vetëm mbi KQZ (Komisionin Qendror Zgjedhor). Apo të paktën nuk duhet të kishte, për shkak se KQZ-ja është institucion i pavarur. Tjetër është përbërja dhe strukturimi aktual politik i këtij institucioni. Pra, çështja e numërimit dhe rinumërimit është edhe çështje e konsensusit politik midis subjekteve aktuale, për ta ndryshuar si funksionimin ashtu edhe përfaqësimin e këtij institucioni. Kjo bëhet vetëm përmes një reformë të thellë të Ligjit Zgjedhor, dhe pemës Kushtetutës”, është shprehur ai.

Kallëzime penale pas rinumërimit të votave

Image
Ali Hertica

E analisti politik, Ali Hertica sheh elemente pozitive në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Duke u nisur nga e kaluara e dhimbshme e qeverisjeve të shkuara tani platforma e qeveris Kurti është një, ”ndryshim” për shoqërinë kosovare dhe shtetit të saj. Në lidhje me korrupsionin e qeverisjes e cila kontribuoi që korrupsioni të përhapet deri në përmasa të papara ta parandalon në gjitha format duke e zbatuar ligjin dhe shtetin ligjor. Duke u nisur nga ato ka ende një ndjesi të përgjithshme optimizmi nga disa këndvështrime. Njëri është se vendi doli nga zgjedhjet e vitit 2019, më i qëndrueshëm politikisht, sepse në Kosovë kishte pasur një paqëndrueshmëri të konsiderueshme politike para atyre zgjedhjeve, sepse sovrani u vetëdijesua dhe dha dënimin e merituar. Gjithashtu, besonim se do vlerësojmë punën e qeverisë për zbatimin e sistemit rregullator të ligjit dhe zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kallëzim penal për disa persona, anëtarë dhe numërues të parë të grupeve të numërimit të votave për falsifikimin e materialit zgjedhor dhe rezultatit të zgjedhjeve jashtë subjekteve por edhe brenda tyre”, theksoi Hertica për “Bota sot”.

Ai tutje thotë se duhet të bëhet kallëzim penal pas rinumërimit të votave.

“Kallëzimi bëhet pas rinumërimit të votave për qendra të numërimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të bëj thirrje prokurorisë që të hetojë dhe të çojë përpara drejtësisë shkelësit e ligjit. Gjithashtu, KQZ i duhet të apel edhe të gjithë atyre personave të cilët kanë dyshime të arsyeshme apo prova për shkelje të ligjit zgjedhor, t’i dorëzojnë ato në prokurori. Sepse kur janë mbyllur qendrat e votimeve monopartiake ka nisur edhe falsifikimi i pjesëmarrjes në këto votime monopartiake. Dhe nga gjithë ki Qeveria Kurti duhet të merret edhe me këtë dukuri të vjedhjeve të votave jashtë subjekteve dhe brenda tyre, nga vet komisionarët që janë të caktuara nga subjekti. Dhe ky fakt është bërë i ditur nga burime, e vet subjekteve dhe kandidatëve ku sipas tyre, ky numër do të legjitimonte zgjedhjet monopartiake .Tani ligji dhe shteti duhet të merren më këtë çështje serioze që në zgjedhjet e ardhshëm të merren masa ndëshkuese për të gjithë ata që janë pjesë e këtyre manipulimeve te votave apo vjedhjes së votës dhe ky problem të eliminohet, sepse e gjithë kjo po reflekton tek vonesa e rinumërimeve dhe e reultatit preliminar te zgjedhjeve dhe kandidatëve ,por besojmë se Qeveria Kurti do jetë e largon këtë dukuri nga komisionarët që janë falsifikator me anën e ligjit”, përfundoi Hertica për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat