Dështimet e Edi Ramës për integrimin nuk janë dështime të shqiptarëve!

Politika

Dështimet e Edi Ramës për integrimin nuk janë dështime të shqiptarëve!

Prof. Ass. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Ass. Dr. Enver Bytyçi Më 20 tetor 2019 Në ora: 10:19
Edi Rama dhe Donald Tusk

Këshilli Europian i tha JO hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Gjermania formuloi një qëndrim më të butë, por Franca dhe Hollanda bashkë me Danimarkën e bllokuan propozimin gjerman për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me kushtet gjermane. Ato vunë veton dhe refuzuan një ceremoni me kushte për Tiranën zyrtare. Ishte një JO më e fortë se ajo e vitit 2016, 2017 e 2018. Ishte një JO e madhe me më shumë kushte dhe me më shumë nervozizëm! Ishte një JO pa mëdyshje dhe me akuza të drejtpërdrejta për qeverisjen e Rilindjes. Emmanuel Macron e shprehu thekshëm opinionin e tij për Shqipërinë, kur tha se nuk mund t’ua shpjegonte francezëve faktin që shqiptarët zënë vendin e parë në Europë për kërkim azili! Ndërsa gjithkush e di se kërkesat për azil në Europë kanë si shkak keqqeverisjen dhe mungesën e perspektivës!

Por refuzimin e Francës për çeljen e negociatave disa e interpretojnë si “qëndrim armiqësor” të saj ndaj Shqipërisë. Duhet të jesh mediokër ose intrigant ta trajtosh refuzimin evropian me historinë e qëndrimeve franceze ndaj vendit tonë. Sepse Franca nuk ka qenë asnjëherë kundër kësaj Shqipërie, e cila ka kandiduar për të qenë anëtare e Bashkimit Europian. Ajo ka përkrahur gjatë gjysmës së parë të shekullit XX ambiciet serbe në Kosovë, por kjo nuk e bën atë automatikisht mos-pranuese të shtetit shqiptar. Prandaj arsyetimi se Franca “na do të keqen” është banal dhe i palogjikë.

Macron, kryeministri holandez e të tjerë në Këshillin Europian refuzuan Edi Ramën, por nuk i refuzuan shqiptarët e Shqipërinë. Për këtë kam bindje të pa tjetërsueshme. Ndryshe Franca nuk kishte pse ta përkrahte anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe liberalizimin e vizave. Nuk kishte pse të ishte aktive në diplomacinë imponuese të Europës e SHBA-së në Kosovë në vitet 1998-1999! Nuk kishte pse ta dekoronte Edi Ramën me Urdhërin e Lartë të Legjionit të Nderit, kur besoi te ai! Franca e madje edhe Gjermania, si dhe shumë vende të tjera të BE-së besojnë se Edi Rama ishte dhe mbetet një zhgënjim i madh për ta, ashtu si edhe për shqiptarët.

Sali Berisha u largua nga pushteti edhe për shkak të refuzimit evropian të lidershipit të tij. Kjo sepse Berishën e panë si një nacionalist të pakompromis për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Ndërsa eksperimenti me Edi Ramën u rezultoi atyre një katastrofë. Jo vetëm për qeverisjen në Shqipëri. Edhe për sjelljen e tij sa i përket Kosovës. Ndërsa Berisha shihej si jorefraktar në raport me ndonjë lëshim që Kosova duhej t’i bënte Serbisë, Edi Rama iu bashkua projekteve serbe e ruse për ta shkatërruar shtetësinë e Kosovës! Ai u bë zhgënjim deri në kufijtë e absurdit për qëndrimet e tij destruktive për Kosovën, si dhe për problemet e brendshme që i shkaktoi Shqipërisë.

Emigracioni i lartë dhe struktura mafioze e ngritur me ndihmën e kujdesin e qeverisë, përmenden si dy shkaqet themelore të refuzimit evropian. Këto dy fenomene i pranojnë të gjithë në Europë. I pranojnë edhe ata që mbështesin hapjen e negociatave me Shqipërinë, ndonëse këndvështrimi i tyre lidhet me dhënien e një shansi për ne. Ndërsa Franca dhe Hollanda besojnë se ky shans shkon në favor të mbështetjes së qeverisjes mafioze të Rilindjes së Edi Ramës, ka nga ata që mendojnë se hapja e negociatave shton përgjegjësinë e kësaj qeverisjeje. Kush ka të drejtë në këtë rast? Nuk besoj se gjendet ndonjë shqiptar me tru, i cili të besojë më se qeveria dhe kryeministri ynë mund të reformohen dhe të rikthehen në binarët e kërkesave dhe standardeve evropiane të shtetit të së drejtës dhe të qeverisjes së mirë demokratike, nëse jepet ky lloj shansi. Prandaj opsioni i vetëm mbetet largimi një orë e më parë i kësaj qeverie të korruptuar e mafioze.

Kur them se refuzimi i çeljes së bisedimeve për anëtarësim në BE i është bërë kryeministrit të Shqipërisë dhe jo Shqipërisë e as shqiptarëve, kjo do të thotë se shqiptarët nuk e kanë problemin me Francën, as me Hollandën e Danimarkën, ose me Gjermaninë e nëntë kushteve serioze të pazbatueshme nga kjo qeveri e inkriminuar. Ata problemin e kanë me narko-trafikun e mbështetur nga qeveria. E kanë me mos-ndëshkimin e politikanëve të lartë si Sajmir Tahiri për bashkëpunimin e tyre me bandat e mafies dhe trafikantëve. E kanë me dështimin e reformave, ndonëse evropianët përmendin me gjysmë zëri “suksesin” e reformës në drejtësi. E kanë para së gjithash me dështimin e kësaj qeverie për të organizuar zgjedhje të lira e demokratike, si dhe me implikimin e kupolës së Rilindjes në deformimin e zgjedhjeve dhe rezultatit zgjedhor. Gjermania na ndihmoi më 9 kushtet e saj për ta dëshmuar dështimin e qeverisë Rama, ndërsa Franca i ndihmon shqiptarët kur ve kushte për Edi Ramën.

Ne duhet të aspirojmë Shqipërinë në Europë si meritë të saj dhe jo si lëmoshë. Ata që kanë dinjitet dhe integritet e urrejnë lëmoshën! Vetëm qeveria e Edi Ramës vihet në kërkim të lëmoshës së integrimit në mënyrë të pamerituar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat