LDK para dy zgjidhjeve: Koalicioni me VV-në ose zgjedhjet e reja - Bota Sot
LDK para dy zgjidhjeve: Koalicioni me VV-në ose zgjedhjet e reja

Politika

LDK para dy zgjidhjeve: Koalicioni me VV-në ose zgjedhjet e reja

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 4 nëntor 2019 Në ora: 10:48
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, foto ilustrim nga "Bota sot"

Grupet punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, po vazhdojnë bashkëpunimin e tyre për harmonizimin e programit qeverisës, për koalicionin që pritet ta formojnë pas certifikimit të zgjedhjeve.

Por, dinamikën e këtyre punimeve sikur e ka mbuluar paksa një deklaratë e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili “kryeministri i ri i Kosovës kalon nëpër zyrat e LDK-së”.

Kjo deklaratë e Hazirit ngjalli reagime të shumta të opinionit dhe qytetareve.

Se a do të jetë Lutfi Haziri pengesë për koalicionin LDK-VV, kanë folur për gazetën “Bota sot” njohës të çështjeve politike.

Loshi: Loja e LDK-së

Analisti politik dhe ish pjesëtar i UÇK-së, Liri Loshi, duke folur lidhur me këtë temë, i tha gazetës “Bota sot” se duket se kemi të bëjmë me një koordinim të menduar të garniturës së vjetër të LDK-së, që pas humbjes së zgjedhjeve t’i bëjnë shantazh Albin Kurtit, i cili po llogaritë ende në mirëbesimin me LDK-në, ndërsa po pritet diçka jo e mirë për Vjosa Osmanin.

Image
Liri Loshi

“Albin Kurti e kupton mirë lojën me qibrita të Lutfi Hazirit dhe Isa Mustafës dhe nuk do të bjerë në kurthin e tyre. Duke përçuar vetëm mesazhe pozitive dhe konstruktive rreth koalicionit me LDK-në, ai po tregon se është një politikan i vërtetë që interesin e vendit e ka mbi të gjitha interesat tjera. Më në fund, partner i vërtetë i Albin Kurtit nuk është Isa, as Lutfiu, por është Vjosa Osmani. Nëse brezi i ri arrin që ta reformojë LDK-në dhe ta vë Vjosa Osmanin në krye, zonja Osmani nuk do të mbetet vetëm një partnere koalicioni e zotit Kurti, por do të zhvillohet më tej me gjasa reale për t’u bërë konkurrente serioze e tij dhe në të ardhmen t’ia rrezikojë postin e kryeministrit. Një konkurrencë e tillë është e dobishme për LDK-në, por është e dobishme edhe për Vetëvendosjen, si dhe për shtetin e Kosovës”, tha ai.

Tutje, Loshi beson se koalicioni VV-LDK do të arrihet, pavarësisht pengesave.

“Mirëpo, pavarësisht prej kësaj situate, unë jam shumë optimist se koalicioni mes Vetëvendosjes dhe LDK-së do të bëhet menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve, kurse Lutfi Haziri gradualisht do të kalojë nga qendra e LDK-së në margjina të saj, aty ku vërtet e ka vendin. Sidoqoftë, lidershipi i LDK-së duhet të jetë i kujdesshëm dhe të sillet me përgjegjësi në këtë moment krucial për Kosovën e mbase më shumë për faktorizimin e partisë së tyre. Ata duhet të faktorizojnë individët (në këtë rast veten) përmes partisë dhe jo partinë përmes individëve, siç janë duke vepruar tash. Shantazhi i LDK-së me shkuarje në opozitë mund t’i kthehet bumerang vetë asaj, si një fenomen autodestruktiv që do ta reduktonte LDK-në në një parti të parëndësishme”, theksoi Loshi.

Deklarata e Hazirit nuk i kontribuon marrëveshjes VV-LDK

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, analisti Faik Krasniqi, thotë për “Bota sot” se deklaratat e Hazirit nuk i ndihmojnë arritjes së një marrëveshjeje VV-LDK, ndërsa mendon se ky i fundit është njeriu më i afërt me PDK-në.

“Deklaratat e Lutfi Hazirit nuk i kontribuojnë arritjes së një marrëveshje mes LVV dhe LDK-se për të bashkë qeverisur. Nuk e kuptojë kryesinë e LDK-së, që për negociata mes LVV dhe LDK-së, kanë caktuar njeriun që është i afërt me PDK dhe kundër LVV. LDK duhet ta kuptojë njëherë e mire se nuk është fituese e zgjedhjeve, dhe normal që nuk mund të vendos kushte absurde partnerit të koalicionit. Ka kaluar koha e postit të kryeministrit në tavolinë, dhe pazare të pista siç janë bërë deri më tash”, potencoi Krasniqi.

Ai thotë se, tani është koha për një qeverisje ndryshe, ndërsa bën thirrje që kryesia e LDK-së të distancohet nga deklarata e Hazirit.

“Tash është koha për një qeverisje ndryshe. LVV është fituese e zgjedhjeve, dhe Albin Kurti kryeministër i Kosovës. Çdo tentativë tjetër nga ana e LDK-së, do të prish mundësinë e një koalicioni mes LVV dhe LDK-së. Kryesia e LDK-së ose duhet të distancohet nga deklaratat e Lufti Hazirit, ose ta shkarkojnë fare nëse duan një koalicion të sinqerte me LVV. Në të kundërtën shkojmë prapë në zgjedhje. Por, sovrani do ta ndëshkojë keq LDK. Në kurriz të Vjosa Osmanit LDK-ja fitoi kaq shumë vota, përndryshe do të pësonte debakël të thellë”, u shpreh Krasniqi.

Rexhep Elezaj: Lutfi Haziri mund mund t`i prishë raportet LDK-LVV

Image
Rexhep Elezaj

E njohësi i çështjeve politike dhe anëtari i VV-së Rexhep Elezaj, vlerësoi për “Bota sot” se Lutfi Haziri është njeri i luhatshëm rreth koalicionit VV-LDK.

“Me fol për deklaratat kontraverse të nënkryetarit të LDK-së, z. Lutfi Haziri, është një punë sizifi, siç thotë populli; “sikur me prashitë në ujë”, sepse të përkëdhelurit-lazdranit të presidentit Ibrahim Rugova, asnjëherë nuk i “pretë sakica në një vend..”, sa deklaron diçka optimiste për politikën kosovare, pas disa orëve, ose të nesërmen, sjellë ndonjë lajm pesimist. Kështu po vepron Luta që nga koha para zgjedhjeve kur është diskutuar për mundësinë e koalicionit parazgjedhor midis LVV-je dhe LDK-së, sa thoshte jemi të gatshëm të lidhim koalicion, në mbrëmje e demantonte vetveten, duke deklaruar të kundërtën, se LDK-ja do shkojë e vetme në zgjedhje..!? L. Haziri, me të njëjtën retorikë po vepron edhe këto ditë, kur koalicioni midis këtyre dy partive gjendet në fazën finale, herë thotë se koalicioni po shkon mirë me VV, herë del e jep deklarata pompoze, se “emri i kryeministrit kalon nëpër zyrat e LDK-së..”, madje duke thënë se “LDK-ja, është e gatshme të shkojë në zgjedhje të reja..”!? Ai e dinë shumë mirë se kryeministrin e ka emëruar vota e sovranit me 6 tetor 2019, dhe ai është z. Albin Kurti, mbase kështu kanë qenë parimisht të dakorduar me LVV-je, se kandidati i cili merr më shumë vota në zgjedhje, ai do të jetë kryeministër i Kosovës”, vlerësoi Elezaj.

Ai dënon fjalorin e Hazirit, ndërsa thotë se ato deklarata mund t’i ketë për përfitime në koalicion.

Ai tutje përmend “jaraninë” e Hazirit me Thaçin dhe Veselin, teksa thotë se shkuarja prapë në zgjedhje nuk i konvenon aspak LDK-së.

“Dihet mirëfilli se L. Haziri ka pasur “jarani” të hershme me Hashimin dhe Kadri Veselin, por unë mendoj se kësaj radhe nuk është nën ndikimin e tyre kur është fjala për koalicionin me LVV-je, ngase, edhe pse disa udhëheqësve të LDK-së nuk mund t’iu besohet kurrë, ata vetë kanë deklaruar para dhe gjatë fushatës zgjedhore, se me asnjë çmim nuk do bëjnë koalicion me PDK-në. Se a mund t’i prishë L. Haziri raportet me LVV-je, personalisht nuk besoj se ai ka një synim të tillë, sepse LDK-ja për momentin i ka vetëm dy rrugë; o të bëjë koalicion me LVV-je, o të shkohet në zgjedhje të reja, gjë që LDK-së vështirë se mund t’i konvenon shkuarja serish në zgjedhje, meqë ata e dinë mirë se do dilte humbëse, ndaj janë të sigurt se koalicioni me VV-jen është zgjidhja më e mirë për partinë e tyre”, u shpreh Rexhep Elezaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat