Posti i presidentit vendosë fatin e koalicionit LDK-Vetëvendosje? - Bota Sot
Posti i presidentit vendosë fatin e koalicionit LDK-Vetëvendosje?

Politika

Posti i presidentit vendosë fatin e koalicionit LDK-Vetëvendosje?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 nëntor 2019 Në ora: 08:26
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Kanë kaluar gati një muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve të 6 Tetorit. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që nga shpallja e rezultateve preliminare, kanë diskutuar për formimin e një koalicioni të përbashkët.

Të dy partitë pas takimeve me njëra tjetrën kanë diskutuar dhe janë pajtuar që qeveria e ardhshme e Kosovës, nuk do të ketë më shumë se 12 ministri.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ende po e sheh të mundshëm një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje  pavarësisht se dy ditë më parë e la mundësinë e kalimit në opozitë nëse s’arrin një marrëveshje me Albin Kurtin.

Të dy partitë kanë pasur 5 takime. Në takimin e pestë është diskutuar rreth programit për shëndetësi dhe arsim, ndërsa në atë paraprak, thanë se janë pajtuar në masë të madhe për çështje të sigurisë dhe sundimit të ligjit.

Në lidhje me këtë koalicion, i cili ende nuk është arritur kanë folur analistët politik, duke treguar anët pozitive dhe gjasat që të finalizohet një marrëveshje.

Duhanaj: Problematikën e zvogëlimit të Qeverisë, LDK dhe LVV, besoj e kanë kaluar

Image
Leon Duhanaj

Analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim, për “Bota sot”, u shpreh që është duke u biseduar për programet majtas e djathtas, mirëpo që shumë pak ka mbështetje bazike në to. Duhanaj, tha që LDK ka një program të qëndrueshëmm mirëpo që LVV ka operuar pa ndonjë program të saktësuar.

“Kur flasim për programe politike, në Kosovë ka qenë dhe mbetet një vakum i madh ideologjik. Shumë flitet për programe majtas, djathtas, por pak ka edhe mbështetje bazike në to. Subjektet politike shqiptare, më shumë kanë improvizuar me tema, varësisht sipas momentumeve politike se sa që kanë ndonjë qëndrueshmëri programore apo ideologjike. Në rastin konkret, kemi LDK-në e cila ka një qëndrueshmëri dhe një bazë programore të qendrës së djathtë, përderisa në anën tjetër VV, në masë të madhe ka operuar pa ndonjë program të saktësuar, por me shumë me tema folkloriste, të cilat e sollën deri këtu”, u shpreh Duhanaj.

Më tej, Duhanaj, tha që LVV është më shumë e fokusuar që të marr postin e kryeministrit Albin Kurti dhe më pak është i përqendruar në temat programore.

“Tani, bazuar në këtë fakt, nuk besoj që temat programore bazuar në thirrjet ideologjike, do të jenë pengesë për koalicion. Në metë segment mendoj që LDK, do të shtyjë me shumë programin e sajë. Aq më shumë kur në VV gjithçka është e projektuar rreth dhe me individin Albin Kurti. Synimi është që ai të bëhet Kryeministër përderisa temat programore janë më pak të rëndësishme. Problematikën e zvogëlimit të Qeverisë, besoj e kanë kaluar. Tani kanë mbetur temat kadrovike dhe ndarja e dikastereve. Në ketë temë, sipas asaj që reflektohet jashtë, del të ketë probleme.”, tha Duhanaj.

Duhanaj, tha që LVV tregon mungesë të koherencës dhe se pak shumë gjasat janë që të jetë partnere politike.

“Me gjasë bëhet fjalë për postin e Presidentit, të cilin e synon LDK dhe VV nuk dëshiron t'ua japë, ose i ka premtuar dikujt tjetër. Tani, mënyra se si VV sillet me partnerët politik, tregon shumë për mungesën e koherencës brenda këtij subjekti. Nuk ka logjikë që edhe të kërkosh bashkëpunim, edhe t'i linçosh figurat kryesore të "partnerit". Kjo mënyrë e sjelljes e bën marrëveshjen mbi koalicionin të vështirë dhe ndoshta edhe qeverisjen në ndonjë fazë, të pamundshëm. Mbetet të shihet por, unë nuk besoj që VV është e aftë për partneritet politik korrekt e aq me pak për qeverisje”, përfundoi, Duhanaj.

Mehazi: Problemi më konfliktuoz i bisedimeve në mes LVV dhe LDK është për kryetar shteti

Image
Sulejman Mehazi

Analisti politik, Sulejman Mehazi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që koalicionet janë të vështira dhe se edhe votat që janë të përafërta kanë bërë edhe më të vështirë një koalicon më të shpejtë.

“Si përherë koalicionet partiake për formimin e qeverisë janë të vështira, me kalkulime interesash, kush çfarë do udhëheqë e do marrë. Rezultati i ngushtë i votave e ka bërë të veten, LVV si parti fituese kërkon që plan-programi i tyre të jetë më i favoresh kundrejt LDK. Në anën tjetër fitorja e ngushtë e Albin Kurtit nuk e lejon që Vjosa Osmani e LDK-ja të bien poshtë me kërkesat e tyre. Besojmë se qëndrimet programore partiake gjatë bisedave janë aty-këtu të afruara, përveç Kryetarit të R. së Kosovës”, u shpreh, Mehazi.

Më tej, Mehazi, u shpreh që ajo që po vonon më shumë koalicionin për krijimin e “Qeverisë Kurti”,janë kërkesat e gradës së vjetër të LDK-së, mirëpo ajo që shihet fund i dialogut për formimin e qeverisë së re do se nga cila parti do të dal kryetari i R.Kosovës.

“Gjatë bisedave koalicionuese për krijimin e Qeverisë Kurti, më këmbëngulës e më inatçorë në kërkesat e tyre janë kush tjetër se garda e vjetër e LDK-së, Lutfi Haziri e Isa Mustafa sesa vetë Vjosa Osmani. Siç duket e shihet, se, problemi më konfliktuoz i bisedimeve në mes LVV dhe LDK është për kryetar shteti, Isa Mustafa me këmbëngulje të madhe dialoguese do që kryetari i Republikës së Kosovës t'i takonte LDK-së për t'u bërë ai e jo dikush tjetër kryetar i Kosovës. Pra, fundi i dialogut për formimin e qeverisë së re do jetë, se, prej cilës parti do dal kryetari i R. së Kosovës, nga LVV apo LDK-ja”, përfundoi Mehazi.

Krasniqi: Nëse duan që PAN-in ta dërgojnë në opozitë, atëherë për gjëra të vogla duhet të lëshojnë pe

Image
Faik Krasniqi

Analisti politik, Faik Krasniqi, për “Bota sot”, tha që koalicioni mes të dy partive është skepitk për arsye të programit qeverisës dhe për shkak të gjuhës provokuese të disa zyrtarëve të LDK-së atëherë po zgjatet edhe koalicioni.

“Jam shumë skeptik që së shpejti do të kemi një marrëveshje mes LVV dhe LDK-së për të bashkë qeverisur. Jo për shkak të mospajtimit rreth programit qeverisës, sepse ato janë gjëra që mund të dakordohen, por për shkak të gjuhës provokuese të Lutfi Hazirit drejt LVV. Po ashtu edhe për shkak të jo korrektësisë nga ana e disa zyrtarëve të LDK-së, sa i përket posteve qeveritare. LDK-ja duhet ta kuptojë që nuk është fituese e zgjedhjeve. Partia fituese është LVV, dhe partisë fituese i takojnë postet kryesore”, u shpreh, Krasniqi.

Tutje, Krasniqi tha që duhet të dy partitë të lëshojnë pe në mënyrë që ta dërgojnë në opozitë PAN-in dhe se duhet të bëjnë të pamundurën për një koalicion qeverisës LVV dhe LDK.

“E njëjta gjë do të ishte edhe sikurse LDK do t'i fitonte zgjedhjet. Nëse duan që PAN-in ta dërgojnë në opozitë dhe ta bëjnë ç' kapjen e shtetit, atëherë për gjëra të vogla duhet të lëshojnë pe, sikurse njëra po ashtu edhe partia tjetër. Gjithmonë nëse interesi i shtetit është mbi interesin personal dhe partiak”, përfundoi, Krasniqi

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat