Pas Kadri Veselit, radha e Hashim Thaçit

Politika

Pas Kadri Veselit, radha e Hashim Thaçit

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 11 nëntor 2019 Në ora: 18:00
Kadri Veseli Hashim Thaçi

Që të jem i qartë në fillim: Nuk i gëzohëm ftesës nga Gjykata të asnjërit prej ish-pjesëtarëve të UÇK-së, e në këtë rast as të Hashim Thaçit jo.

Por, për hirë të së vërtetës së madhe, i pari që do të duhej të ftohej nga kjo Gjykatë, është vet Hashim Thaçi.

Por ai, nuk po ftohet. Ndoshta, nuk do të ftohet kurrë.

Kujtojmë se kjo Gjykatë u themelua pas raportit të euro-deputetit zviceran, Dick Martyt, i cili emrin kryesor në raport nuk e pati Ramushin. Emri kryesor aty ishte Hashim Thaçi. Ky i fundit shërben si president i vendit tash e tri vjet e gjysmë.

Pse nuk ka ftesë për presidentin deri tash?

Se Gjykata Speciale është politike, ka mision e vizion politik, kjo dihet. Ajo është kryekëput njëetnike dhe amniston krimet e bëra ndaj popullsisë shqiptare nga forcat serbe. Po, edhe liderët e UÇK-së i bënë krimet e tyre, ama edhe serbët shpëtuan gati pa therrë në këmbë për dhjetëra masakra, dhjetëra mijëra përdhunime, shtëpi të djegura etj.

Dhe kjo gjykatë me natyrë politike deri tash ka vepruar në mënyrë politike edhe brenda vendit tonë. U thirr Ramush Haradinaj një ditë pasi e quajti servil Kadri Veselin. Pasi po e mbante taksën 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia. Pasi e fundosi idenë e rrezikshme për korrigjim kufijsh nga Hashim Thaçi. E ndërkohë, ftesa për njeriun kryesor që përmendet në raportin e Martyt mungon. Ai nuk është ftuar bile as në cilësinë e dëshmitarit, dhe sic e thashë në fillim, nuk dihet nëse një gjë e tillë do të ndodh.

Nëse ka pasur krime, ose nëse ka prova për këto krime për të cilat tashmë po intervistohen disa komandantë të UÇK-së, përgjegjësia automatikisht zbret edhe te drejtori politik i saj, Hashim Thaçi.

Politikë, ishin komunikatat për shpalljen e armiqve të popullit dhe për vrasjen e shqiptarëve gjatë luftës. Ato kontribuuan në krijimin e një klime tepër të helmuar politike, dhe e cila shërbeu si një parakusht për gjithë ato vrasje që u bënë më vonë. I kam ndërmend edhe vrasjet e anëtarëve të LDK-së.

 Periudha e pasluftës ishte vërtetë e tmerrshme. Thaçi na u imponua si trashëgimtar i vlerave të luftës kur në të vërtetë ishte trashëgimtar i gjithë asaj që ishte e keqe në të. Ai pati rol tmerrësisht përçarës dhe i shërbeu në vazhdimësi një kauze që mësynte dobësimin përmes formave jodemokratike të LDK-së. Ashiqare, haptas, s’ka ku shkon më haptas, Thaçi kishte qenë njeriu që ishte munduar të ndante një komb të sapoçliruar nga NATO-ja. Ai jo vetëm që nuk i ndali, por edhe i ndërseu në mënyrën më të keqe elementet më të rrezikshme të UÇK-së së pasluftës.

Vojisllav Sheshel, është dënuar nga Tribunali i Hagës, jo për shkak se kishte kontribuar direkt në ndonjë krim lufte, apo se kishte pasur përgjegjësi komanduese, por për shkak të natyrës luftënxitëse të deklaratave të tij si kryetar i Partisë Radikale. Ai nuk kishte pasur pushtetin formal në Serbi, e megjithatë i kishte ndërsyer njerëzit agresivë që të bënin ato zarare që i bënë ndaj popullsisë së pafajshme, veç për shkak të origjinës etnike që kishin.

Edhe Thaçi veproi ngjashëm me LDK-në. Ai i ndërseu njerëzit agresivë të UÇK-së së atëhershme që të bënin zarare ndaj anëtarëve të krahut të paqes, veç për shkak të orientimit politik.

Për shkak se Specialja ka karakter tepër politik, Thaçi ndoshta edhe e ka bërë ndonjë pazar që të mbetet i lirë. Por, ky pazar kurrsesi nuk mund ta lë të lirë pafundësisht. Nëse jo tash, atëherë në fund të vitit edhe atij do t’i vijë ftesa. Nëse jo në fund të vitit, atëherë në fillim të vitit të ardhshëm. Roli i tij në hierarkinë e UÇK-së ishte i qartë. Dhe nëse UÇK-ja dyshohet për krime, atëherë me automatizëm bie dyshimi për krime edhe te drejtori që e bënte politikën e saj dhe që mban përgjegjësi për mënyrën se si rrodhën gjërat.

 Nuk ka ikje nga Specialja. E se këtë e di edhe Hashim Thaçi, e pamë në fund të vitit 2017, kur u mundua ta shfuqizonte projektligjin që efektivisht do ta zhbënte mekanizmin që njihet si “Dhomat e Specializuara të Kosovës”. E nëse një gjë e kemi mësuar qe 20 vjet, është se Thaçi një veprim të tillë që e qet në pozicion të keq para ndërkombëtarëve, nuk do ta ndërmerrte për asgjë tjetër pos interesit të tij.

“Atë që mbjell, edhe do ta korrësh” – thotë një fjalë e urtë popullore. E unë i them presidentit të vendit, që e ka zakon që për çdo vit të hipë nëpër kombajna si simbol solidarizimi me korrësit e grurit se, sivjet s’ke nevojë hiç ta bësh atë gjë. Do të korrësh diçka tjetër. Dhe, atë korrje do ta bësh thjesht me hapjen e një zarfi. Të bëftë mirë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat