Loja politike e KQZ-së për ndryshimin e “dhunshëm” të rezultatit të 6 tetorit - Bota Sot
Loja politike e KQZ-së për ndryshimin e “dhunshëm” të rezultatit të 6 tetorit

Politika

Loja politike e KQZ-së për ndryshimin e “dhunshëm” të rezultatit të 6 tetorit

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 13 nëntor 2019 Në ora: 14:04
QNR

Paneli Zgjedhor për ankesa dhe Parashtresa (PZAP) vendosi që të kthejë mbrapsht votat e Listës Serbe. Kjo ka bërë që koalicioni i cila dje konsiderohej se e ka të pamundur futjen në Kuvend, sot të flas edhe për postet që do t`i kërkoj në Qeverinë e ardhshme, e cila pritet të formohet nga LDK dhe Vetëvendosje.

Koalicioni NISMA-AKR-PD me vendimin të PZAP-it për numërim të rreth 1700 kutive të votimit ka rritur shpresën për kalimin e pragut dhe ndoshta edhe futjen në qeveri. Qeveria e ardhshme deri më dje pritej që të formohet nga LDK dhe VV, por tani duket se matematika ka ndryshuar dhe në qeveri mund të kyçet edhe Nisma.

Vetëvendosje menjëherë ka reaguar sa i përket votave nga Serbia duke bërë kështu që më pas të flitet edhe për mos mundësinë e formimit të Qeverisë vetëm nga LDK dhe VV.

Tash për tash dihet vetëm koalicioni VV-LDK

Image
Erzen Vraniqi

Sekretari i Vetëvendosjes Erzen Vraniqi ka thënë për “Bota Sot” se pa pasur certifikim nuk mund të flitet për përbërjen dhe formën e qeverisë.

“Nuk kemi rezultat, nuk kemi certifikim, pas certifikimit, i cili do ta etablojë situatën në terren mund të flasim për përbërjen dhe formën e qeverisë.

Tash për tash dihet se Qeveria do të formohet nga Lëvizja VETEVENDOSJE dhe LDK” ka thënë Vraniqi.

Me kalimin e pragut nga NISMA-AKR, Vetëvendosje humb 3 deputetë, LDK dy deputetë, PDK një deputet dhe AAK një deputet

Image
Faik Krasniqi

Njohësi i çështjeve politike Faik Krasniqi në lidhje më mundësinë e futjes në Qeveri edhe të koalicionit Nisma-AKR-PD, ka thënë se Qeveria e ardhshme nuk mund t`i ketë 12 ministri sepse ky koalicion do të kërkojë hise në qeveri.

“Stërzgjatja e numërimit dhe rinumërimit të votave kishte një qellim, që Nismës dhe AKR-së t'ia kalojnë pragun. Një gjë të tillë e arritën. U gëzuan të gjithë ata që janë kundër një koalicioni LVV-LDK. Qëllimi është që të prishen matematikat, dhe të jenë të detyruar ta marrin edhe Nismën dhe AKR në qeverisje, pasi që Albin Kurti Listën serbe nuk e do në Qeveri. Edhe me Nismën dhe AKR në qeveri, është e pamundur që të kemi 12 ministri, sepse edhe ata duan të marrin pjesë në tortën e qeverisë. Kërkesat e tyre janë të mëdha. Në koalicionin e kaluar AKR mbeti me vetëm një deputet, por kishte 4 ministri, një zv-kryeministër dhe shumë zv-ministra. LVV dhe LDK mund të formojnë Qeverinë vetëm më minoritetet jo serbe, por ajo Qeveri do të jetë e brishtë dhe jostabile.

Kelmendi: Me futjen e Koalicionit Nisma-AKR-PD, ndryshon konstalacioni

Image
Muhamet Kelmendi

Muhamet Kelmendi, analist politik ka shpjeguar se Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me apo pa ketë numër të deputetëve, pa deputetet serb, me ata të minoriteteve jo serbe i janë mbi 70 deputetë në Kuvend.

“Po që se futet koalicioni NISMA dhe AKR ndërrohet konstalacioni. Vetëvendosje ka tre më pak deputet si LDK, PDK e AAK, sepse 6 i merr ky koalicion dhe natyrisht ka mundësi me të ose pa të ndërtohet Qeveria. Më ketë koalicion mbetet numri i njëjtë vetëm së ndahen ministritë dhe asgjë më shumë, por duhet të pritet përfundimi. Nga rinumërimi i votave të 1475 vendvotimeve mund të ndryshojë edhe struktura e deputeteve brenda partive. Jam i bindur se në kuadër të partisë midis kandidateve, duke fituar matrapazët e pasur me blerjen e komisionarëve dhe të votave, kemi një pasqyre jo reale të përfaqësuesve” ka thënë ai.

Kelmendi ka shtuar se është për rinumërim të të gjitha vendvotimeve.

“Krimi e ka kapur tërë këtë fushatë dhe çdo vendvotim. Pra, duhet rinumërim të tëra votave. Vetëm kështu krijohet një besim” ka thënë Muhamet Kelmendi.

Elezaj: Brenda KQZ-së ekzistojnë njerëz të dyshimtë dhe antikombëtar

Image
Rexhep Elezaj

Kurse, sipas opinionistit Rexhep Elezaj, kjo lojë kaq e paskrupullt dhe antiligjore e KQZ-së me votat e qytetarëve të Kosovës, përveç se nivelin shtetëror të Kosovës e ka zbritur në një “Banana Republike” para BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar, në fakt imazhin e Kosovës e ka dëmtuar në mënyrë të pariparueshme, sepse kjo dëshmon në fakt se shqiptarët nuk janë të zotët të organizojnë si duhet dhe mbajnë zgjedhje demokratike si shtet i pavarur nga të tjerët.

“Ky është turpi i botës se në çfarë pozite e kanë sjellë vendin tonë manipuluesit dhe profiteret me lirinë dhe gjakun e mijëra dëshmorëve tanë, duke lozur me popullin dhe votën e tij, i cili në zgjedhjet e 6 tetorit tregoi kulturë, disiplinë dhe pjekuri të lartë qytetare, saqë filloi të merret shembull për të mirë nga vendet tona fqinje dhe BE-ja. Por, me lojën dhe manipulimin që PZAP dhe KQZ-ja po bën me votën e sovranit, flet qartë se brenda këtij organi të rëndësishëm shtetëror ekzistojnë njerëz të dyshimtë dhe antikombëtar të cilët nuk ia duan të mirën Kosovës, ngase me këtë maskaradë që po zgjatë më shumë se një muaj me keqpërdorimin e këtij mekanizmi shtetëror, siç është KQZ-ja, dikush do duhej të përgjigjej para organeve gjyqësore për dëmin që po vazhdojnë t’ia sjellin vendit tonë brenda tij si dhe në arenën ndërkombëtare” ka thënë Elezaj.

Sipas tij, pikërisht tentimi mbi një muaj që koalicioni NISMA-AKR ta kalon pragun me çdo kusht përmes rinumërimit të mijëra votave, është indikatori më i fort se për qëllim kanë prishjen dhe dëmtimin e koalicionit të mundshëm midis LVV-je dhe LDK-së.

Ai ka thënë se, po tentohet në çdo mënyrë që ta pengohet arritja e këtij koalicioni, sepse nuk e kanë se e duan aq shumë Fatmir Limajn dhe Behgjet Pacollin, por synim kanë që me çdo kusht t’i fusin edhe 6 deputetë në Kuvend dhe me këtë ta ndryshojnë konstelacionin e forcave brenda Kuvendit, si qëllim kryesor që Albin Kurti mos të arrin ta formojë qeverinë bashkë me LDK-në..!?

“Po që se koalicioni NISMA-AKR hynë në Kuvend, dhe nëse Albin Kurti arrin ta formojë qeverinë e re, nuk besoj se ai për këtë shkak do ta rritë numrin e ministrive, ngase sipas deklaratave të tij këtë koalicion nëse e kalon pragun (Nisma-Akr) do ta lenë në opozitë bashkë me “Lista Srpska” dhe PDK-në. Por, nuk është ky qëllimi i kësaj loje të ndytë me votat dhe rinumërimin e tyre, por thjesht me hyrjen në Kuvend të NISMA-AKR-së, ta pamundësojnë koalicionin LVV-LDK që ta formon qeverinë, meqë dështimi i tyre eventual me këtë rast e çon vendin detyrimisht në zgjedhje të reja pas tre muajve, e që humbësit e zgjedhjeve të 6 tetorit të mund t’i përmirësojnë gabimet, të konsolidohen si dhe më mirë të riorganizohen që t’i “fitojnë” zgjedhjet e ardhshme” ka thënë për Bota sot opnionisti Rexhep Elezaj.

Duhanaj: Duhet të ketë shumicë shqiptare

Image
Leon Duhanaj

Njohësi i çështjeve politike Leon Duhanaj ka shpjeguar se nëse koalicioni Nisma AKR futet në kuvend, atëherë do të dalin probleme të reja për mundësinë e krijimit të Qeverisë.

“Palët duhet të ri- negociojnë dhe në këtë kontekst do të dalin vështirësi të reja. Nuk besoj që partitë e reja, do t'i plotësojnë kriteret dhe standardin të cilin e kanë proklamuar.

Megjithatë, mendoj që duhet të gjendet kompromisi, në mënyrë që të kemi shumicë shqiptare. Ndryshe zgjidhja, zgjedhje të reja” ka thënë për “Bota sot” Duhanaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat