Pse Edi Rama vrapon pas interesit serb dhe kundër interesit shqiptar? - Bota Sot
Pse Edi Rama vrapon pas interesit serb dhe kundër interesit shqiptar?

Politika

Pse Edi Rama vrapon pas interesit serb dhe kundër interesit shqiptar?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 14 nëntor 2019 Në ora: 08:24
Edi Rama, Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev

Takimi i Kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq gjatë fundjavës, për “Mini-Shengenin Ballkanik” , me ftesë të Kryeministrit të Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev po vazhdon të ngjallë reagime.

Kjo pasi, në konferencën e mbajtur në Samitin e Ohrit, Kosova nuk mori pjesë.

Analistët thonsë se, mos pjesëmarrja e Kosovës në këtë Samit ka të bëjë kryesisht me orientimin e saj drejt BE-së, dhe jo Samite të tilla me qëllim që të fuqizohet Serbia.

Sipas tyre, fatkeqësisht në këtë Samit Shqipëria mori pjesë, duke i ndihmuar kështu Serbisë.

Kjo pasi,  Rama nuk tregoi se cilat janë interesat që ka Kosova dhe Shqipëria nga gjitha ky Samit, dhe takimet e shpeshta me presidentin Serb.

Sipas tyre,Tirana duhet të ndalet nga “Mini-Shengeni” sllavomadh i Beogradit, dhe Kosova si shtet nuk mund të pranojë ndonjë lidhje me sllavet, sepse kjo lidhje në 100 vjetet e fundit i ka kushtuar popullit shqiptar me qindra e me mijëra veta.

Mehazi: Mini-Shengeni Ballkanik s'është gjë tjetër përveç se influencë ruse-sllave

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi, ka thënë për gazetën “ Bota sot”  se Mini-Shengeni Ballkanik s'është gjë tjetër përveç se influencë ruse-sllave, prandaj ky takim i Ramës në Ohër me Vuçiqin e Zaevin jo që është i rrezikshëm për shqiptarët, por edhe për tërë Ballkanin, BE e SHBA-në.

“Edi Rama duhet të jetë i kujdesshëm me këto takime politike se ç ‘bën e në cilin drejtim e çon Shqipërinë. Marrëveshjet e tij me Vuçiqin për një Mini-Shengen Ballkanik e anashkalon tërësisht Republikën e Kosovës e detyrimisht na bën të mendojmë se duke përkrahur Mini-Shengenin jo që është kundër qeverisë së re të Kosovës, por edhe kundër shqiptarëve në përgjithësi. Me përkrahjen e Mini-Shengenit Ballkanit, Edi Rama, përkrahë gjenocidet, dhunimet, vrasjet, dëbimet serbe ndaj kosovarëve, përkrahë të gjitha të bërat e shëmtuara millosheviqiane. Takimet e bëra me Vuçiqin e Zaevin për një farë Mini-Shengeni Ballkanik janë të huaja, të dëmshme e të rrezikshme për shqiptarët e sidomos për Republika e Kosovës”, ka thënë profesor Mehazi.

Sipas tij, takimi i Ramës, Vuçiqit e Zaevit në Ohër është për një bashkim të forcave ortodokse-ruse kundër forcave përparimtare e demokratike të BE-së e SHBA-së.

“Edi Rama me këto veprimet e tij ortodokse ruse hidhëron dhe më Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prandaj sa më shpejt të largohet prej këtyre takimeve të kota të Mini-Shengeneve Ballkanike ‘vuçiqiane’ se do ta hajë shumë keq me shqiptarët, me BE-në dhe SHBA-në. Kryeneçësia e pavetëdijshme e ka bërë Ramën që të le Kosovën amerikane e evropiane e t'u bashkohet Mini-Shengeneve ortodokse të Vuçiqit, Zaevit e Putinit rus. Siç shihet për Ramën më shumë ka vlerë Serbia sesa Kosova e tij shqiptare”, ka thënë profesor Mehazi.

 Bytyçi: Mini-Shengeni del si vullnet i dy udhëheqësve autoritarë dhe arrogant të Ballkanit

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

Kurse profesori Enver Bytyçi ka thënë se Shengeni Ballkanik është ikje nga Integrimi Evropian dhe ai u vendos në takimin midis Vuçiq dhe Edi Rames në shtator në Nju Jork.

Sipas tij, erdhi si Plan B i Beogradit pas dështimit me projektin e Kosovës. Edi Rama kishte mbështetur idenë serbe të Vuçiqi të vitit 2015 për një union ballkanik të plotë me të gjitha shtetet ish-Jugosllave, minus Slloveninë plus Shqipërinë.

“Mbështeti pastaj edhe idenë dhe projektin serbet ndarjes së Kosovës. Kur dështuan këto doli në sipërfaqe minishengeni, ku bashkohen në një union Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Ky lloj bashkimi është vullnet i liderëve arrogant dhe autoritarë të Ballkanit, përkatësisht Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqi. Mirë se presidenti i Serbisë e di se kjo nismë është në interesat e vendit të tij, po kryeministri i Shqipërisë pse vrapon pas interesit serb dhe kundër interesit shqiptar? Kjo është enigmë. Kjo do të thotë se dy protagonistet nuk janë konsultuar më askënd, as me politikanë e vendeve të tyre, as me ekspertë, as me përfaqësuesit legjitimë të tri vendeve të tjera, përkatësisht Kosovës, Malit të Zi dhe BH dhe në këto kushte iniciativa është jo legjitime”, ka thënë profesor Bytyçi.

Sipas tij, për pasojë nuk mund të implementohet dhe nuk mund të funksionojë kështu, por unione të tilla duan edhe parakushte të tjera.

“Së pari demokraci funksionale dhe liberale, e cila mundëson respektimin e mendimit dhe vullnetit të qytetareve. Kjo nuk funksionon në asnjë vend ballkanik, aq më pak në Shqipëri e në Serbi. Së dyti, stabilitet politik dhe zgjidhjen e konflikteve fqinjësore. As ky parakusht nuk ekziston. Kosova dhe Serbia ende janë në konflikt të hapur. Beogradi vazhdon provokimet dhe obstruksionin e tij kundër Kosovës, institucioneve të sa, pavarësisë dhe integritetit territorial të saj”, ka thënë profesor Bytyçi.

Ai ka theksuar se Mini-Shengeni del si vullnet i dy udhëheqësve autoritarë dhe arrogant të Ballkanit.

“Është e turpshme se si Edi Rama i shpalli luftë Kosovës nga Ohri të dielën e shkuar. Është e rrezikshme akuza e tij ndaj Prishtinës dhe Kosovës, sepse i jep mundësi Serbisë të argumentoje se problem në marrëdhëniet midis Prishtinës e Beogradit nuk është Serbia, por Kosova. Nuk besoj që Serbia të ketë marrë shërbim tjetër më të mirë nga ndonjë shqiptar tjetër në historinë e marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbë. Edi Rama është shndërruar në vasal tipik i Aleksandër Vuçiq dhe kjo ndodh, sepse në kushtet e qeverisjes mizerabël të tij, të marrë mbështetjen e Serbisë, Rusisë dhe miqve të tyre në Evropë dhe Amerikë për të qëndruar në pushtet. Si asnjëherë tjetër pushteti e ka verbuar kryeministrin e Shqipërisë ka thënë profesor Enver Bytyçi.

Xhelili: Kosova duhet të bashkëpunoj dhe të merr pjesë në çdo lloj takim ku mbrohen interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj

Image
Zudi Xhelili

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Zudi Xhelili, ka thënë se iniciativa e promovuar nga liderët e RMV,AL dhe SRB, nuk nënkupton tërheqë nga integrimet evropiane, por për angazhim të përbashkët rreth lëshimeve kufitare, për qarkullim të lirë të kapitalit, mallrave, lëvizje e lirë e njerëzve.

Sipas tij, të gjitha këto do të jenë për  të mirën e qytetarëve, duke filluar nga qarkullimi me letërnjoftime, pritjeve të gjata nëpër pikat kufitare, e deri tek oferta për investime të përbashkëta të tij.

“Atëherë nuk është e qartë se përse Përfaqësuesi i RKS nuk mori pjese në një takim të tillë liderësh të disa shteteve ballkanike, kur dihet se këta takime kanë për qëllim lëvizjen e lire dhe bashkëpunim ekonomik mes popujve. Gjithashtu këta lloj takimesh mbështetën fuqishëm nga faktori ndërkombëtar, meqenëse kjo dëshmon se vendet e Ballkanit perëndimor kanë interesim dhe kapacitete të bashkëpunojnë dhe të përshpejtojnë integrimet evropiane. Kosova duhet të bashkëpunoj dhe të merr pjesë në çdo lloj takim ku mbrohen interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Prezenca e Liderit shtetit të Kosovës në këtë takim, si vend që dëshiron paqe dhe zhvillim, do të ishte shumë me rëndësi për Kosovën dhe rajonin në përgjithësi”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Zudi Xhelili.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat