“Kryqëzimi” i Lulit për Specialen: “Mbroj fëlliqësirat tua, shkofsh e mos u kthefsh kurrë, kafshimet e gjarprit do të jenë fatale...” - Bota Sot
“Kryqëzimi” i Lulit për Specialen: “Mbroj fëlliqësirat tua, shkofsh e mos u kthefsh kurrë, kafshimet e gjarprit do të jenë fatale...”

Politika

“Kryqëzimi” i Lulit për Specialen: “Mbroj fëlliqësirat tua, shkofsh e mos u kthefsh kurrë, kafshimet e gjarprit do të jenë fatale...”

Nga: N.H Më: 10 dhjetor 2019 Në ora: 18:43
Kadri Veseli

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ditën e djeshme udhëtoi drejt Hagës, pasi u ftua të jap deklaratat e tij në Gjykatën Speciale, për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ani pse u raportua se lideri i PDK-së është ftuar në cilësinë e të dyshuarit, një gjë të tillë nuk e konfirmoi vet Veseli. Ai në një deklarim tha se është paraqitur për intervistim, por që nuk ka treguar se në çfarë cilësie është intervistuar.

Çka tha Kadri Veseli pas intervistimit?

Menjëherë pas intervistimit, Veseli është deklaruar për media duke thënë se lufta e UÇK-së ka qenë përballje me spastrimin etnik, të cilën ka synuar Serbia ta bëjë në Kosovë.

Ai ka shtuar duke thënë se vitet 90-ta kanë qenë vite të rënda për popullin e Kosovës.

“Siç kam premtuar publikisht, sot jam paraqitur për intervistim. E kam përfunduar intervistën. Vitet 90-ta kanë qenë vite të rënda për popullin tonë, një nënshtrim para Serbisë për spastrim etnik, d.m.th për gjenocid kundër popullit tonë. Ne iu kemi kundërvënë, Lëvizja jonë çlirimtare ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përballje me gjenocidin serb. Lufta e UÇK-së ka qenë përballje me spastrimin etnik, të cilën ka synuar Serbia ta bëjë në Kosovë”, ka thënë Veseli para gazetarëve.

Reagimet

E lidhur me ftesën e Veselit, në drejtim të tij janë drejtuar shumë akuza. Ndër të parët që reagoi ishte ish-bashkëluftëtar i heroit të kombit Sali Çekaj, Saim Tahiraj.

Tahiraj për udhëtimin e Veselit drejt Hagës shprehet se ky i fundit duhet ta mbrojë “të zezën” e tij që i ka bërë vendit për gjithë këto vite, ndërsa, i ka bërë thirrje që ta lerë anash pastërtinë e luftës së UÇK-së, pasi ai mendon se nuk ka nevojë për mbrojtjen nga lideri i PDK-së, dhe se ajo është e pastër si loti.

“Si mundë ta mbrojnë pastërtinë e luftës ata që janë të fëlliqur deri në fyt me veprimet e tyre të fëlliqura. Mbroni fëlliqësirat e juaja që i keni bërë, lëreni anash pastërtinë e luftës çlirimtare se nuk ka nevojë për mbrojtjen tuaj të fëlliqur, ajo është e pastër vet, si loti. Sa më parë që të lirohet nga ju është fitore e dytë për luftën çlirimtare. Mos shkoni të përkuleni pranë profetit tonë se e fyeni atë, dhe po tregoni se sa të ligë jeni, sa të vegjël po dukeni para madhështisë së tij. Shkofshi dhe mos u kthefshi një kohë të gjatë, deri sa Kosova të fiton prapë lirin e humbur nga ju”, ka deklaruar ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Saim Tahiraj.

Edhe familja e Haki Imerit, veprimtarit të vrarë të LDK-së (vrasja e parë politike në Kosovën e çliruar), është deklaruar për Kadri Veselin i cili udhëtoi drejt Hagës për të dëshmuar para Gjykatës Speciale.

Familja Imeri konsideron se Veseli nuk është ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e shenjtorit, por pse është kreu i një organizate, siç e konsiderojnë ata kriminale.

“Kadri Veseli duhet të jetë i sinqertë në rrëfimin e tij dhe vetëm ashtu mund t’i kontribuojë të vërtetës dhe UÇK-së. Çdo tentim për të mashtruar dhomat e Specializuara nuk do të ndahet mirë me këtë institucion kredibil amerikano-evropian. Kadri Veseli si urdhërdhënës i shumë “betejave” duhet te rrëfejë për to ashtu siç ishin dhe vetëm ashtu do të jetë “faqebardhe’. Skënderbeu i Kosovës shpresojmë të kthehet faqebardhë me krahë skifteri”, shkruan familja mes tjerash.

“Për një gjë duhet të jetë i sigurt që Dhomat e Specializuara nuk e rrahin nuk e torturojnë as nuk do ta ekzekutojnë. Është interesant se si funksionon e drejtësia. Ai që dikur merrte në pyetje, merret në pyetje tani nga dikush që nuk mund as të mbrohet”.

Një këshillë e vogël para se t’i nënshtrohesh rëntgenit të Dhomave të Specializuara. “Shoku Luli kafshimet e Gjarprit do të jenë fatale nëse nuk e flet të vërtetën”, thuhet ndër tjerash në letrën publike të familjes Imeri.

Ndërsa, edhe prof. dr. Binak Maxharraj ka bërë një koment për udhëtimin e Veselit drejt Hagës.

Ai është i mendimit se lufta e UÇK-së nuk mbrohet nëpër gjykata nga Kadri Veseli. Sipas Maxharrajt, UÇK-ja e ka fituar vlerën e madhe në luftë me armikun, ku ka derdhë gjak dhe ka dhënë shumë dëshmor të kombit.

“Kadri Veseli paska shkuar në Hagë. Besoi së duhet të djersitet shumë sepse kanë së për çka ta pyesin. Kadri Veseli në Hagë nuk ka nevojë ta mbrojë UÇK-në sipas sloganit ‘po shkojë në Hagë për t’i mbrojtur vlerat e UÇK-së’. Jo, vlerat e UÇK nuk mbrohen nëpër gjykata. UÇK e ka fituar vlerën në luftë me armikun, ka derdhë gjak dhe ka dhënë shumë dëshmor të kombit, ia ka sjellë lirinë Kosovës”, ka deklaruar ai.

Ai gjithashtu shton se kreu i PDK-së Hagë duke u djersitur duhet ta mbrojë, nëse mundet, vetëm vetveten si njeri i errësirës, që në këtë errësirë toka i përpiu shumë atdhetar të pafajshëm.

“Kjo është vlera e UÇK-së që nuk ka nevojë askush ta mbrojë, sepse vlera e saj nuk e ka asnjë shibë, është e pastër si loti. Kadri Veseli në Hagë duke u djersitur duhet ta mbrojë, nëse mundet, vetëm vetveten si njeri i errësirës, që në këtë errësirë toka i përpiu shumë atdhetar të pafajshëm”, ka deklaruar Maxharraj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat