Pse dha dorëheqje Ramush Haradinaj?

Politika

Pse dha dorëheqje Ramush Haradinaj?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 13 janar 2020 Në ora: 11:24
Ramush Haradinaj

Dita e diel filloi me borë, mbase dikë e ka zë në befasi e dikë jo  varet nga përgjegjësia përballë një situate të tillë. Derisa tek bora kemi pak a shumë dilema, edhe pse është non sens që në janar të befasohesh nga bora. Gjithsesi, për një zhvillim po të dielën besoj se jemi të gjithë të “zënë në befasi”, hiq më pak se nga kryeministri në largim Ramush Haradinaj. Lajmi se z. Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të AAK, ishte vërtetë befasi, në sensin që rrallë ndodhë që ndonjë kryetar partie të jep dorëheqje. A është kjo vetëm e përkohshme, apo ka të bëjë me një vendim më afatgjatë, kjo mbetet për t’u parë. Realisht nuk e dimë arsyen e vërtetë që e qoi z. Haradinaj tek një vendim i tillë. Por, nisur nga zhvillimet mund të konkludojmë se arsyet mund të jenë dy: Njëra mund të jetë përgjegjësia për rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit, edhe pse ato kanë mbaruar që 3 muaj. Nëse kjo është arsyeja e vërtetë atëherë dorëheqja e z.Haradianj është për t'u vlerësuar si shenjë përgjegjësie, që realisht i mungon klasës politike.

Duhet të aplikohet edhe tek ne, si ne vendet demokratike, që ai që humbet zgjedhjet edhe duhet dhënë përgjegjësi me dorëheqje. Dhe tjerat mund të jetë një lojë politike e tij që mos të shkojë në Kuvendin e AAK në pozitën e kryetarit, por si i barabartë, megjithëse kjo vetëm formalisht thuhet pasi z. Haradinaj nuk është vetëm kryetar i partisë, por edhe "pronar i saj”. Pa z. Haradinaj në krye të AAK-së kjo parti do të shuhet, pasi realisht në AAK nuk ka ndonjë profil të nivelit të lartë publikë që mund të qojë përpara, së paku  ta në ekzistencë. Përflitet se në këtë pozitë mund të vij vëllai i tij Dauti, megjithëse z.Ramush Haradinaj duhet të ketë kujdes pasi AAK rrezikon seriozisht të shuhet nga skena politike, edhe pse një gjë e tillë është e mirë për vendin i ngarkuar tej mase nga partitë. Të shohim se çfarë do të ndodhë në kuvendin e AAK-së, se a do kandidohet z. Haradinaj për kryetar apo jo.

Skena politike në Kosovë është tej-mase e ngarkuar, si askund tjetër, dhe shuarja e partive që janë vetëm sa për sy e faqe duhet të merr fund. Partitë me koncepte të njëjta nuk kanë nevojë të jenë të shumta, përveç se lëndojnë demokracinë as nuk janë zgjidhje të besuara për qytetarët. AAK është në mesin e atyre partive të dala nga lufta, e të koncentruara vetëm në një hapësirë të vendit pa arritur asnjëherë që rreth vetes të kenë njerëz të denjë. Nëse z. Ramush Haradinaj vërtetë e mendon fundin e tij politik, atëherë edhe AAK do të shuhet, që në embrionin e saj nuk ka ndonjë kauzë e cila do ta mbante në këmbë pavarësisht se kush do të jetë kryetar. AAK është lindur dhe krijuar nga vet z.Haradinaj andaj me largimin e tij edhe AAK shuhet. Megjithatë ende nuk dimë se a do të largohet vetëm përkohësisht z. Harndiaj nga posti që mbante deri tani në AAK, apo do të jetë një pauzë që do ta rikthente prapë në krye të AAK-së. Pavarësisht vendimit të tij, skena politike në Kosovë është e ngarkuar deri aty sa nuk mban, andaj me kalimin e kohës disa parti do të shuhen, në mesin e tyre e shoh dhe AAK, që nuk ka arritur të krijonte alternativën në kohën kur u krijua mes LDK dhe PDK.

AAK nuk rritët asnjëherë më shumë se kaq që është,  këtë Ramushi duhet ta ketë parasysh, të bëjë betejë  politike “pa armatim” apo të largohet ashtu siç mëtonte gjithnjë “faqebardhë ”. Tek shqiptarët në përgjithësi mungon kultura dhe kuraja e largimit nga skena politike, duke harruar se politika nuk është profesion tërë jetën , sidomos kur nuk je i pranueshëm për shumicën e qytetarëve. Tanimë është koha që politika të shihet si mundësi për të qenë i suksesshëm në shërbim të qytetarëve,  dhe se ajo është periudhë transit. Nëse z. Haradinaj kështu e ka konceptuar dorëheqjen e tij dhe më nuk kthehet pas, atëherë meriton vlerësim akti i tij, edhe pse hezitoi  ta besoj këtë nisur nga përvoja e të shkuarës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat