Takimi Kurti-Thaçi, ish miku i Baton Haxhiut i reagon atij dhe flet për mbylljen e televizionit të Haxhiut - Bota Sot
Takimi Kurti-Thaçi, ish miku i Baton Haxhiut i reagon atij dhe flet për mbylljen e televizionit të Haxhiut

Politika

Takimi Kurti-Thaçi, ish miku i Baton Haxhiut i reagon atij dhe flet për mbylljen e televizionit të Haxhiut

Nga: D.RR Më: 14 janar 2020 Në ora: 16:52
Albin Kurti dhe Baton Haxhiu

Gazetari dhe miku i afërt me presidentin Thaçi, Baton Haxhiu, në një deklaratë tha se lideri i VV-së, Albin Kurti dhe presidenti Thaçi janë takuar dy herë fshehurazi, e këtë nuk e dinë as Lëvizja Vetëvendosje.

Mirëpo ish miku dhe kolegu i Baton Haxhiut, Liri Loshi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se edhe nëse Thaçi dhe Kurti janë takuar fshehurazi, kjo nuk do të thotë se ka të bëjë me një komplot, teksa thotë se ky lajm mbetet vetëm spekulim. Loshi gjithashtu ka folur edhe për premtimin e Baton Haxhiut për ta mbyllur televizionin e tij, nëse fiton Albin Kurti.

“Baton Haxhiu, ish kolegu dhe miku im nga Bota e re, sa kam kuptuar unë ka pasur një kusht më herët dhe nuk i është përmbajtur. Kushti ka qene që nëse Albin Kurti fiton, Batoni do ta mbyllte televizionin. Tash Albini ka fituar zgjedhjet, por Batoni nuk e ka mbyllur televizionin. Të mos keqkuptohemi se nuk i dëshiroj vendit tim mbylljen e asnjë dritareje informative. Baton Haxhiun e çmoj si gazetar të shkathët dhe si mik të mirë, sepse na lidhin kujtime rinore nga një punë e përbashkët në gazetë. Mirëpo, nuk e çmoj për lidhjet e tij me politikën, përkatësisht me pushtetin. Kodi etik i gazetarise është i komprometuar në momentin kur nuk mund ta kritikosh një funksionar politik, sepse ai është mik yti. Sidoqoftë, unë nuk kam ndonjë arsye për të mos i besuar Baton Haxhiut se zoti Thaçi dhe zoti Kurti qenkan takuar fshehtas. Nëse janë takuar fshehtas kjo nuk do të thotë se këtë e kanë bërë për ndonjë komplot ndaj vendit, apo ndaj kujtdo qoftë. Qenkan takuar presidenti i shtetit dhe kryeministri në ardhje për interesin e shtetit. Është fatkeqësi qe raportet mes politikaneve tanë kane eskaluar deri në atë pikë sa ata të mos takohen e të mos komunikojnë mes vete. Edhe më keq kur takohen përmes mediatorëve të jashtëm e fshehen prej qytetarëve të tyre. Ata s’kanë çka fshehin, pos irracioanlitetit të tyre për ta ekskomunikuar njeri tjetrin. Sidoqoftë, përderisa nuk kemi një prononcim të zotit Kurti dhe zotit Thaçi në këtë aspekt, informacioni për takimin e tyre mbetet në nivel spekulimi”, ka thënë Loshi.

Image
Liri Loshi

Sidoqoftë, Loshi shpreson që lajmi të jetë i vërtetë, për shkak se ai dëshiron që të ketë takime sa më shumë mes politikanëve shqiptarë, por që kërkon transparencë më të madhe, teksa shton se Thaçi dhe Kurti kanë dallime të mëdha.

“Baton Haxhiu mund të ketë besim të tepruar në burimin e informacionit sa të përfundojë i lajthitur. Por, edhe mund të jetë i saktë. Unë dëshiroj që ky lajm për takimin e tyre të jetë i saktë. Dëshiroj po ashtu që takimet të jenë sa më shumë transparente për publikun, nëse ato nuk bijnë ndesh me interes të ndonjë procesi politik, a të ndonjë marrëveshje që pritet të arrihet për të mirën e vendit. Personalisht, e çmoj vetëm trasnparencën e jo skenat prapa perdeve. Mirëpo, në duhet të mësohemi me fiskulturat që bëjnë politikanët për t’i arritur qëllimet e tyre. Definitivisht Albin Kurti është një profil tjetër nga ai i Hashim Thaçit, i cili njihet për akrobacione të lloj-llojshme, por në instancë të fundit as zoti Kurti nuk është engjell por politikan. Takimi eventual I tij me presidentin e vendit për mua i shton vleren edhe me shume si lider dhe si politikan. E ftoj publikisht që nese takime të tilla ka pasur t’i bëjë të njohur qytetarët për hir të kredibilitetit si politikan dhe të vazhdojë të takohet me presidentin e vendit, me kryeministrin në dorëheqje dhe me të gjithë lideret tjerë partiakë. Mes shqiptarëve nuk duhet të ketë mure as vija të kuqe. Kosova pret shumë nga Albin Kurti dhe një gjë të tillë e pres edhe unë”, shtoi Loshi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat