Koalicioni LDK-LVV, paralajmërohet një problem i ri

Politika

Koalicioni LDK-LVV, paralajmërohet një problem i ri

Nga: M.H Më: 26 janar 2020 Në ora: 14:00
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Sot është afati i fundit për arritjen e marrëveshjes për nënshkrimin e koalicionit LVV-LDK. Bisedimet që kanë filluar në mes dy partive menjëherë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, nuk mjaftuan që të gjenin një gjuhë të përbashkët për të arritur të një marrëveshje. Mirëpo sa do të jetë e mundur që ky koalicion të arrihet në “takimin e fundit vendimtar”, për marrëveshje.

Profesori, Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që për zvarritjen e koaliconit mes këtyre dy partive po punojnë segmente jashtë partive. Sipas Profesorit, është detyrë e strategëve të politikës t'i mënjanojnë politikanë me komplekse, dhe të dalin me një produkt pozitiv për Kosovën.

Problemi i radhës sipas Bytyçit, mund të jetë ,ashtu edhe si më parë, egocentrizmi i palëve në bisedime, kokëfortësia dhe mungesa e përgjegjësisë për fatet e Kosovës.

“Kanë kaluar 100 ditë dhe ende nuk kemi një produkt përfundimtar të bisedimeve midis Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për qeverisjen e vendit. Forca të caktuara jashtë këtyre dy subjekteve po punojnë fort që marrëveshja të mos arrihet. Por për këtë qëllim janë angazhuar edhe segmente të caktuara brenda këtyre partive. Psh në LDK është një farë Agim Veliu që i duket vetja Papë dhe merr përsipër të shkatërrojë gjithë procesin. Aq shumë është marrosur kundër marrëveshjes ky personazh negativ i politikës së sotme në Kosovë, sa më duket se ka harruar se ekziston shteti i Kosovës. E mendon Kosovën si Podujevën.

Është detyrë e strategëve të politikës t'i mënjanojnë politikanë të tillë me komplekse, me qëllim që të dalin me një produkt pozitiv për Kosovën. Askujt nuk i lejohet që të shfrytëzojë autoritetin politik e statusin e tij për të frenuar ose dëmtuar shtetësinë e Kosovës. Nëse ky soj politikanësh i bashkohen psh Hashim Thaçit dhe projektit të tij pro serb për Kosovën, është punë e tyre, por liderët e VV dhe LDK-së duhet t'i injorojnë të tillë politikanë, nëse këta nuk janë për të dëmtuar interesat e vendit. Personalisht e shoh shumë të mundur krijimin e një qeverie dhe qeverisje të përbashkët midis Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Është e mundshme, sepse të dy partitë ishin në opozitë dhe në përgjithësi kanë ndarë midis tyre të njëjtat qëndrime opozitare. Për ato qëndrime opozitare edhe janë votuar”, është shprehur Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Për prof. Bytyçin, kjo është e mundshme, sepse të dy partitë u votuan për të qeverisur Kosovën dhe për ta ndarë pushtetin midis tyre.

“Kurrë ndonjëherë më parë nuk ka patur një shprehje vullneti për dy subjekte politike në mënyrë të balancuar si në rastin e zgjedhjeve të 6 tetorit, duke ndarë votat për dy parti opozitare si VV dhe LDK, thuajse në mënyrë të barabartë.

Është e mundshme, sepse interesi i Kosovës është ndryshimi politik. Ndryshimi politik diktohet nga sovrani, por kërkon medoemos vullnetin politik dhe veprimin transparent të partive politike që votohen. Nuk u votua VV ose LDK që të rikthehen në dashuritë e vjetra me PDK-në ose për të krijuar ndonjë dashuri të re po me PDK-në. PDK është dhe duhet të mbetet në opozitë. Madje asaj i duhet një operacion i thellë. Vetëvendosja dhe LDK në qeveri duhet të bëhen gjithashtu mjekë profesionistë dhe kirurgë të zotë për PDK-në, duke prerë të gjitha lidhjet korruptive e kriminale të saj. Kësisoj ato e ndihmojnë edhe vetë Partinë Demokratike të Kosovës. Për këtë janë votuar VV e LDK, jo për t'u rikthyer ose për të shkuar në shtratin e PDK-së.

E shoh të mundshme, sepse edhe faktori ndërkombëtar është në mbështeje të ndryshimit në Kosovë dhe të krijimit të koalicionit midis VV dhe LDK-së. Bashkësia ndërkombëtare po pret me shpresë së një lidership I ri dhe një kombinacion politik midis Kurtit dhe Osmanit do të sjellë rezultate konkrete në Kosovë dhe në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Shqiptarët duhet të jenë optimistë që amerikanët dhe europianët e pranojnë këtë dyshe politike për t'i dhënë fund tranzicionit në Kosovë”, ka shtuar ai.

Me gjithë këtë, prof Enver Bytyçi potencon se problemi i radhës midis dy partive politike mund të jetë, ashtu edhe si më parë, egocentrizmi i palëve në bisedime, kokëfortësia dhe mungesa e përgjegjësisë për fatet e Kosovës.

“Nëse vazhdojnë ata të mburren, ose të fyhen me interpretimet se kush fitoi e kush humbi nga ky koalicion, atëherë nuk do të ketë marrëveshje e për pasojë nuk do të ketë bashkëqeverisje. Nëse ndodh kjo, atëherë do të dëmtohet Kosova dhe elementi negativ në politikën e Kosovës, konkretisht presidenti Thaçi, do të fitojë terren në fushëbetejën e Kosovës me Serbinë. Nëse Thaçi fiton terren, atëherë ai do të bashkërendojë aktivitetin e tij me Beogradin për të shkuar në një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, çka do të ishte goditje e rëndë për të, sepse një konferencë ndërkombëtare për Kosovën asgjëson pavarësinë, pra statusin e fituar deri më sot”, përfundon, Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat