Shahu: Ja pse reciprociteti mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të ndodhë

Politika

Shahu: Ja pse reciprociteti mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të ndodhë

Nga: M.H Më: 9 shkurt 2020 Në ora: 14:00
Ilustrim/Bota sot

Kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti në ditët e para të punës së tij paralajmëroi zëvendësimin e taksës 100 % për produktet e Serbisë me masën e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë. Ai tha, se zëvendësimi i taksës me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë ka qenë edhe premtim elektoral i tij dhe i partnerit të koalicionit Lidhjes Demokratike të Kosovës.

"Jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet ekonomik, politik e tregtar, si zëvendësim të tarifës 100%. Pra, ne nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë, përkundrazi do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti e dinjiteti, me parimin i cili më së shumti njihet për vlerën e tij në raportet ndër fqinjësore e bilaterale, e ky është reciprociteti”, tha kryeministri Kurti.

Pas një takimi që zhvilloi me shefen e zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostollova. Kjo e fundit përsëriti kërkesën e vazhdueshme të Bashkimit Evropian, se Kosova duhet ta heqë taksën ndaj Serbisë dhe të vazhdojë dialogun për përmirësimin e marrëdhënieve.

"Konsiderojmë që taksa ka shkelur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe marrëveshjet tjera në organizata si CEFTA, anëtare e së cilës është Kosova. Tash po presim që qeveria e re të dalë me propozime dhe ide të reja se si do ta trajtojë këtë çështje. Nuk dëshirojmë të parashohim se cila do të jetë zgjidhja, vetëm dëshirojmë që këto bisedime të vazhdojnë, në sepse për ne është e rëndësishme, që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të fillojë”, tha Apostolova.

Në lidhje me këtë temë, analisti politik Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që ende mbetët e paqartë se përmasat e reciprocitetit të Kosovës me Serbinë, dhe më tej Shahu, jep disa arsye pse nuk duhet të kemi reciprocitet me Serbinë duke përfshirë edhe temën e të pagjeturve. Shahu, përmend edhe deklaratën e presidentit të Serbisë që nuk ka reciprocitet pasi nuk ju njohim si shtet dhe se të njëjtën gjë duhet ta thotë edhe shteti i Kosovës.

“Nuk arrijë ta kuptoj në gjithë dimensionet e përmasat e saj reciprocitetin e Kosovës me Serbinë. Po mendoj se askush as vetë kryeministri Kurti nuk e ka të qarte e as zhurmagjinjtë si puna ime nuk e kanë të qartë. Serbia zotëron disa mekanizma që nuk i ka Kosova, prodhon dhe eksporton më shumë se Kosova, nuk jeton me produktet e Kosovës aq sa Kosova merr produkte nga Serbia. Serbia na bllokon e nuk lejohemi prej saj të hyjmë në organizma ndërkombëtare, çfarë bllokimi mund ti bëjmë ne Serbisë për reciprocitet në këtë rast. Bllokon automjetet e shqiptarëve në kufi, edhe ne mund t'ia bllokojmë automjetet e saj në kufi. Dërgon trupa policore e ushtarake në Veri dhe kërcënon vazhdimisht dhe mos me qenë NATO e pushton Veriun e vendit”.

Image
Rexhep Shahu

“Ne me çfarë reciprociteti mund të i përgjigjemi në këtë rast. Unë dua reciprocitet të plotë me Serbinë por si, kur, qysh. Prandaj më duket me e arsyeshme me fol shumë pak politika, po shumë pak në raport me Serbinë dhe me fol për gjëra që përvëlohet Serbia. Me qenë e me u ndje të barabartë në bisedime jo si krahinë e Jugosllavisë që pret mëshirë nga Beogradi por si shtet që ende i kullon gjaku i fëmijëve të vrarë. Mendoj se sa harxhohet kohë, nerva dhe energji me fol me Serbinë, duhet bërë një tekst i shkurtë me pak rreshta dhe i duhet dorëzuar Serbisë dhe në krye të tekstit me vu vargjet e Podrimës : Tokë me nda nuk kam, Hasmit ne p*** te s'ames. Qenqe nuk jetohet ma, duhet me mësue me vdekje.... Kosova nuk ka çfarë me bisedue me Serbinë, ka nevojë me u njoftë prej Serbisë dhe duhet mbyllë goja derisa Serbia ta njohë e pranojë Kosovën. Fjalët kanë mbarue veç kjo fjalë ka mbetë, njohja”.

“Ndërkohë presidenti serb deklaron se nuk ka reciprocitet sepse nuk ju njohim si shtet, edhe shteti i Kosovës duhet të thotë nuk ka as biseda as reciprocitet derisa të na njohesh si shtet. Kosova duhet me u mësue me jetu pa Serbinë. Pa Serbinë në mendje e në tru. Ka udhë boll Kosova me jetu dhe i del boll vetja e vet. Kur të thahet gjaku i shqiptarëve, kur ti gjejë shqiptarët që i ka zhdukë Serbia, kur ta kuptojë se nuk është me pronare e Kosovës, le të trokasë vetë për bisedime me anë të dekretit për njohjen e shtetit të Kosovës. Dhe diplomacia e punësuar me u marrë me bisedimet shqiptaro - serbe, le të gjejnë një vend tjetër pune. Ndërsa Albin Kurti si kryeministër ta ndalë retoriken dhe ta bëjë shërbimin ushtarak të detyrueshëm një vit për çdo shqiptar të moshës nga 18 vjet deri në 60 vjet, përfundon Shahu, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat