Shkarkimi i Thaçit, i (pa)mundshëm!

Politika

Shkarkimi i Thaçit, i (pa)mundshëm!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 13 shkurt 2020 Në ora: 18:03
Hashim Thaçi

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ishin zotuar para zgjedhjeve të 6 tetorit se, do të ndërmarrin veprimet e nevojshme për shkarkimin e presidentit Thaçi.

“Ne kemi kërkuar që bashkërisht (LDK-në) të angazhohemi të shkarkojmë presidentin aktual. Angazhimi jonë është që të shohim të gjitha dokumentet dhe t’i shohim të gjitha mundësitë që ta dërgojmë në Kushtetuese në mënyrë që të shkarkohet”, kishte deklaruar tash nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, muaj më parë.

Këtë e kishte konfirmuar edhe zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, i cili kishte thënë se Vetëvendosja kishte propozuar shkarkimin e Thaçit dhe sjelljen e një presidenti jopartiak. Këto deklarata Hoti i kishte bërë para arritjes së marrëveshjes, e kjo kishte qenë pjesë e diskutimit në takime.

Mirëpo si duket nuk do të ketë iniciativa për shkarkimin e presidentit Thaçi, pasi kryeministri i ri, Albin Kurti, kërkoi që qeveria dhe presidenca të jenë unike në politikat e jashtme të Kosovës.

“Unë besoj që tashmë është urgjente që ne të kemi një politik unike në arenën ndërkombëtare që të mos vazhdohet në mënyrën e këtyre 2-3 viteve të fundit. Qeveria e re e Kosovës unë si kryeministër i ri, dua që të koordinohemi edhe me presidentin aktual në mënyrë që të mos kemi në politikën e jashtme një kakofoni që me siguri bëhet e dëmshme edhe jashtë vendit dhe brenda vendit, mendoj se sot kjo është detyra më rëndësishme për shtetin tonë e jo atë se ku kush do të jetë pas disa muajsh apo pas një viti”, tha Kurti.

Bajqinovci: Shkarkimi i presidentit Thaçi do të jetë i pashmangshëm nëse ai vepron kundër kushtetues

Image
Mefail Bajqinovci

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, për “Bota sot” tha se koalicioni qeverisës, LVV-LDK, do ta shkarkojnë presidentin nëse ai do të veprojë kundër ligjeve e kushtetues së Kosovës.

“Koalicioni qeverisë ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike do të qeverisin gjithmonë në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Republikës së Kosovës. Shkarkimi i presidentit Thaçi do të jetë i pashmangshëm nëse ai vepron kundër kushtetues së Kosovës. Por duhet të kemi parasysh se për shkarkimin e presidentit duhet 2/3 e votave të Kuvendit të Kosovës, të cilat nuk janë të pamundshme por shumë të vështira për t’u arritur, ndonëse besojmë edhe në deputetët e opozitës se edhe ata do ta respektojnë kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Por Bajqinovci beson se të gjithë politikanët në detyrë në institucionet e Kosovës, me qeverinë Kurti nuk do të bëjnë shkelje kushtetuese.

“Unë besojë se me qeverinë Kurti, të gjithë politikanët në detyrë në institucionet e Kosovës, do të kenë një kornizë të qartë se deri ku dhe sa mund të veprojnë, veprimet e të cilëve nuk do të kenë shkelje kushtetuese”, tha tutje deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci. Ndërsa njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot” tha se nuk beson se do të ndodh shkarkimi sepse nuk i kanë 2/3 e votave për ta kryer atë shkarkim. Nuk besoj se do të ndodhë shkarkimi sepse nuk i kanë 2/3 e votave për ta kryer këtë shkarkim, por do të presin deri 2021 kur skadon afati 5 vjet”, u shpreh ai.

Burjani: Ky post është shndërruar në post partiak

Image
Blerim Burjani

Mirëpo Burjani mendon se ky post është shndërruar në post partiak, e kjo nuk duhet të ndodh sipas kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Ky post është shndërruar në post partiak edhe pse ai nuk është me kushtetutë. Kjo kushtetutë obligon dorëheqjen prej çfarëdo posti politik partiak, pra duhet të jetë president i të gjithëve e jo brenda dite t’i heq rrobat partiake e të vesh tjerat, pra ky post dhe bordet dhe të gjitha tjerat keqpërdoren për monedhe kusuritje dhe për te zhvatur çdo gjë në këtë shtet”, potencoi Burjani për “Bota sot”.

Duhanaj: Kosova ka shumë më shumë prioritete

Image
Leon Duhanaj

E analisti Leon Duhanaj, i tha “Bota sot” se qeveria e Kosovës ka tjera prioritetet për vendin, sesa shkarkimi i presidentit.

“Për mendimin tim, Kosova ka shumë më shumë prioritete, sa që qeveritarët të merren synime shkarkimesh, apo me simbolika të cilat me shumë i koontribuojnë ndasive dhe përçarjes, se sa vetë çështjeve me interes nacional. Ne, si kurrë me parë kemi nevojë për unitet kombëtarë”, theksoi Duhanaj.

Ai bën thirrje për unitet të institucioneve, në zgjidhjen e konfliktit me Serbinë.

“Kosova po shkon drejtë një procesi të zgjidhjes së konfliktit me Serbinë dhe në vend të pozita të kërkoj unitet, po e bën të kundërtën dhe kjo nuk me bën optimist për të ardhmen. Me aksione përçarëse, nuk do të dalim faqebardhë, përkundrazi do të përplasemi për muri”, u shpreh për “Bota sot” analisti Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat