Flet Kurti: Heqja e taksës është vetëm paraloja e ‘marrëveshjes së madhe’ - Bota Sot
Flet Kurti: Heqja e taksës është vetëm paraloja e ‘marrëveshjes së madhe’

Politika

Flet Kurti: Heqja e taksës është vetëm paraloja e ‘marrëveshjes së madhe’

Nga: N. H Më: 10 mars 2020 Në ora: 21:43
Pamje nga takimi në Uashington

Profesorit i njohur amerikan Edward Joseph, ditë më parë ka paralajmëruar se në Uashington në takimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq nën ndërmjetësimin e Richard Grenell është diskutuar për ndarjen e Kosovës.

Mirëpo, ndaj kësaj deklarate menjëherë reagoi edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti ka thënë se shpërndarja e lajmeve të këtilla të rreme nuk kontribuon në procesin e dialogut.

Mirëpo, se ekziston edhe me tej rreziku real për marrëveshje me Serbinë, qoftë edhe ai i shkëmbimit të territoreve e thotë edhe politikani i njohur.

Kryetari i Republikanëve të Kosovës, Faton Kurti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se lobimi i fuqishëm i Serbisë me ndihëm e liderëve tanë, viteve të fundit i ka dhuruar në pjatë të argjendtë suksesin kreut të Serbisë.

“Lobimi i fuqishëm i Serbisë, vitet e fundit në SHBA madje edhe me ndihmën e ‘liderëve tanë politik’ Thaçi dhe Rama, i ka dhuruar në pjatë të argjendtë suksesin Vuçiqit i cili ka arritur ta bindë z. Grenell që të kërkojë nga qeveria Kurti heqjen e taksës 100% ndaj Serbisë pa kushte”, tha kryetari i Republikanëve të Kosovës.

Ai është i mendimit se SHBA, momentalisht gjendet në një fushatë elektorale presidenciale dhe presidentit Trump i duhet një sukses në politikën e jashtme.

Image
Kryetari i Republikanëve të Kosovës, Faton Kurti

“Kjo, do të thotë zhveshje komplete e Kosovës nga sovraniteti politik, shtetëror dhe ndërkombëtar. Shkaku tjetër është se në SHBA, momentalisht gjendet në një fushatë elektorale presidenciale dhe presidentit Trump i duhet një sukses në politikën e jashtme dhe këtë gjë unë e konsideroj si shumë normale”, është shprehur ai.

Kurse, sa i përket taksës, Kurti mendon se e gjithë kjo është paraloja e ‘marrëveshjes së madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Sipas mendimit tim, heqja e taksës është vetëm paraloja e ‘marrëveshjes së madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ka për qëllim ndryshimin e kufijve. Ky plan tanimë ka marrë formën e një draft-projekti mbështetur fuqishëm edhe nga dueti politik Thaçi dhe Rama të cilët ndarjen e quajnë butësisht ‘korrigjim të kufijve’”, ka theksuar Kurti.

Në fund, Kurti nënvizon se me planin për “korrigjimin e kufijve” aktorët e këtij projekti kanë vetëm një qëllim, e ai, sipas kryetarit të Republikanëve të Kosovës, është karriera dhe mbijetesa e tyre.

“Ky plan, tregon se aktorët e këtij projekti kanë vetëm një qëllim, karrierën dhe mbijetesën e tyre politike duke harruar faktin se ky është një rast i papreçedentë kur agresori i cili dhunoi dhe vrau me dhjetëra mijëra njerëz të pafajshëm të shpërblehet me territor nga një shtet sovran dhe të mos japë përgjegjësi për krimet dhe dëmet e bëra! Kosova nuk duhet fare të ngutet por të presë përfundimin e zgjedhjeve në SHBA dhe në Serbi sepse jam mëse i bindur se do të kemi ndryshime në skenën politike”, ka përfunduar kryetari i Republikanëve të Kosovës, Faton Kurti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat