Ramush Tahiri: LDK-ja e ka marrë seriozisht krijimin e Qeverisë, por Thaçi po e kërkon këtë nga LVV-ja

Politika

Ramush Tahiri: LDK-ja e ka marrë seriozisht krijimin e Qeverisë, por Thaçi po e kërkon këtë nga LVV-ja

Nga: G.B Më: 15 prill 2020 Në ora: 11:22
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

Lidhja Demokratike e Kosovës po e sheh mundësinë e krijimit të Qeverisë me AAK-në, Nismën dhe komunitetet.

Këtë e bëri të ditur dje kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, i cili tha se ka marrë përkrahjen e Këshillit të Përgjithshëm, me 108 vota pro.

Por, sa mund të krijohet një qeveri e tillë?

Politologu Ramush Tahiri, ka thënë për gazetën "Bota sot" se LDK e ka marrë shumë seriozisht formimin e qeverisë nga ta, por presidenti i kërkoi VV-së emrin e mandatarit, si partia fituese.

"LDK e ka marrë seriozisht mundësinë e krijimit të një Qeverie të re më Kryeministër nga radhët e saja. Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti me mocion votëbesimi në Kuvend të iniciuar pikërisht nga Lidhja Demokratike e cila ishte partnere kryesore e koalicionit qeverisës me vetëm një deputet më pak se partia fituese e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje, Presidenti i Republikës pas konsultimit që bëri me të gjitha partitë politike veç e veç konkludoi se shumica parlamentare nuk janë që vendi të shkojë në zgjedhjet e reja të përgjithshme dhe i kërkoi Lëvizjes Vetëvendosje që t'i dërgojë emrin e Mandatarit për krijimin e Qeverisë, për dekretim", është shprehur ai.

Image
Ramush Tahiri

Sipas Tahirit, presidenti ua dha atyre mundësinë për të propozuar mandatarin edhe pse ka mundur t'ia japë atë partive tjera dhe duket se në këtë ka ndikuar qëndrimi i LDK-së.

"Presidenti e konsideroi se partia fituese e ka sërish mandatin për të propozuar Kryeministrin, edhe pse nuk ka pasur asnjë pengesë kushtetuese të konsiderojë se kjo parti e ka konsumuar veç këtë të drejtë me zgjedhjen e Kurtit, dhe që pas rrëzimit me mocion votëbesimi në Kuvend kjo e drejtë për mandatar mund t'i jepet cilësdo parti parlamentare që i ka votat e nevojshme në Kuvend për tu zgjedhë Qeveria. Duket në këtë përcaktim të Presidentit ka ndikuar qëndrimi i LDK i thënë publikisht se kjo parti nuk dëshiron ta marrë Mandatarin nën kushtet e dyshimta kushtetuese përkatësisht pa e shfrytëzuar së pari këtë të drejtë Lëvizja Vetëvendosje, e cila e pranoi letrën e Presidentit dhe shkoi në takim konsultativ edhe pse tash Kurti po thotë së ka shkuar në cilësinë e kryeministrit, edhe pse letra e Presidentit i ishte adresuar dhe e ka pranuar si lider përkatësisht kryetar i Vetëvendosjes, Kushtetuta e Kosovës nuk e ka të saktësuat afatin kohor brenda të cilit Vetëvendosje duhet të dorëzojë me shkrim propozimin me emrin e Mandatarit për formimin e Qeverisë, i cili do të nominohej me dekret të Presidentit", ka vlerësuar Ramush Tahiri.

Ai konsideron se presidenti do ta marrë në konsideratë afatin prej një muaji se VV ka hequr dorë nga mandatari dhe pas kësaj ia ofron mundësinë partisë së dytë.

"I mbetet tash Presidentit në rast se Vetëvendosje nuk e bën propozimin, të vlerësojë a është ky afat 15 apo 30 ditë duke e ditur faktin se 15 ditë është konsultimi deri ne dorëzimin e emrit të Mandatarit dhe 15 ditë i ka mandatari me gjithë Qeverinë të vë në votim në Kuvend. Unë konsideroj se Presidenti i Kosovës do ta merr në konsideratë afatin prej një muaji, për të konkluduar së Lëvizja Vetëvendosje ka hequr dorë nga mandati për Kryeministër. Pas kësaj Presidenti ia ofron një mandat të themi të dytë partisë tjetër", ka vlerësuar më tej politologu.

Mandatin sipas tij e merr LDK si partia e dytë, derisa tregon dhe si mund të votohet qeveria dhe ga deputetët e partive tjera.

"Me gjasa reale mandatin për ta themeluar Qeverinë do ta merr Lidhja Demokratike e Kosovës nga fakti se është partia e dytë nga numri i deputetëve dha nga fakti se PDK si parti e tretë është deklaruar se do të rri parti në opozitë por nuk do të kundërshtojë e as bllokojë formimin e Qeverisë nga partitë e tjera. LDK në rregullimin e brendshëm të saj e vendos në Këshillin kombëtar çështjen e koalicioneve edhe para edhe paszgjedhore dhe votimi unanim për koalicion për Qeverinë e re i jep mundësinë reale kësaj partie ta krijojë Qeverinë me votat e AAK, 13 të NISMËS, 4 të AAK, 2 të komuniteteve joserbe 9, pasi njëri kaloi në Vetëvendosje në koalicion me mandat deputeti e jo si anëtar me Listën Serbe 10, pra gjithsej 66 deputetë të Kuvendit", ka shpjeguar Tahiri.

Ai thotë se pret që Kosova ta ketë Qeverinë e re në fillim të muajit maj.

"Nëse katër deputet të LDK nuk e votojnë Qeverinë me Kryeministër nga radhët e këtij subjekti prapë 62 deputet janë mjaftueshëm të votohet e zgjidhet Qeveria, pa anashkaluar faktin e PDK është deklaruar se mund të mbështetë me votë në Kuvend zgjedhjen e Qeverisë pa qenë pjesë e saj. Në këto rrethana pres që Kosova ta ketë Qeverinë e zgjedhur në fillim të muajit maj të këtij viti", ka përfunduar Ramush Tahiri për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat