“Kontestin politik pozitë dhe opozitë, mund ta zgjidh vetëm sovrani apo populli përmes zgjedhjeve të reja në Kosovë”

Politika

“Kontestin politik pozitë dhe opozitë, mund ta zgjidh vetëm sovrani apo populli përmes zgjedhjeve të reja në Kosovë”

Nga: D.B. Më: 16 prill 2020 Në ora: 14:54
Objekti i Qeverisë

Kontestin politik pozitë dhe opozitë, mund ta zgjidh vetëm sovrani apo populli përmes zgjedhjeve të reja në Kosovë.Kështu ka vlerësuar analisti politik Ejup Berisha i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se duhet të respektohet Verdikti apo vendimi i qytetarëve votues pas kryerjes së aktit të votimit në zgjedhje qofshin ato parlamentare apo dhe lokale.

Sipas tij, ky është akt shumë i rëndësishëm dhe shumë i rëndësishëm demokratik.

“Respektimi njohja dhe dërgimi i uratave për fitoren e realizuar është akti më i pranueshëm dhe më kulmor i demokracisë bashkëkohore liberale. Fitoren e sigurojnë qytetarët votues që kanë të drejtë të votojnë në ditën kur mbahen zgjedhjet ndërsa pranimin e fitores e bëjnë forcat pulitke pjesëmarrëse në zgjedhje që janë në opozitë apo dhe në pushtët. Në një shtet të vërtetë demokratik vendimi i qytetarëve të cilët dalin në vendvotime dhe votojnë për një subjekt të caktuar politik apo për më tepër subjekte që bashkohen në koalicione është vendimi më absolut dhe më i pastër demokratik prandaj atë duhet pranuar dhe pa aspak vështirësi duhet marrë guximin që të urohet fitorja e realizuar nga subjektet kundërshtare”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Image
Ejup Berisha

Ai konsideron se dekadës së fundit në shtetet e Ballkanit forcat politike kanë filluar t’ia urojnë fitoren njëra- tjetrës por vetëm së sa për sy e faqe formalisht dhe atë vetëm se para mediave ndërsa të njëjtat gjatë tërë kohës e kontestojnë fitoren e kundërshtarëve të tyre politik.

“Forcat kundërshtare bile thonë se e respektojnë Verdiktin e sovranit që nënkupton vendimin e qytetarëve por këtë ata e thonë vetëm se formalisht ndërsa në fakt kjo nuk është shprehje e tyre e reale apo e sinqertë. Edhe në Republikën e Kosovës forcat humbëse të zgjedhjeve të fundit Parlamentare të njohura si pjesë përbërëse të koalicionit qeverisës PAN zgjedhje që u mbajtën në muajin tetor të vitit të kaluar ku fituan forcat e reja politike LVV dhe LDK ato ua uruan fitoren këtyre forcave të reja politike fituese por gjatë tërë kohës ato e kontestuan këtë fitore”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, kjo nuk është gatishmëri për respektim por është një sulm ndaj Verdiktit apo vendimit sovran dhe të shenjtë të qytetarëve votues, ndërsa sulmi më i madh ndodhi 50 ditë më vonë me ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së re ku me çrast ai mocion u votua dhe Qeveria aktuale që tanimë është në detyrë u rrëzua.

“A nuk është kjo dyfytyrësi e dëshmuar nga forcat pulitke opozitare të cilat nga njëra anë e uruan fitoren e forcave të reja politike dhe nga ana tjetër ditë për ditë e sulmonin dhe e kontestonin fitoren e tyre. Kësaj pra nuk i thonë demokraci por hipokrizi e tejdukshme. Ajo që ishte e pakuptimtë është fakti se Qeveria u rrëzua akoma pa i mbushur 100 ditët, e para kohë në të cilën është joparimore dhe e pahijshme që të flitet për veprimet e saj e lere më të rrezikohet seriozisht ekzistenca e saj me ngritjen e mekanizmit parlamentar që njihet si mocion mosbesimi. Andaj konsideroj se ngërçi apo kontesti aktual politik pozitë opozitë më së miri do të zgjidhej me mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Republikën e Kosovës ku faktori kryesor qytetarët do të vendosnin dhe do të përcaktonin me votën e tyre se cilat forca janë në të drejtë ato të status quo-së apo këto që proklamuan frymën e re të ndryshimeve pozitive politike. Sovranit, apo qytetarit le ti jepet edhe njëherë e drejta apo gjasa që ky të vendosë në mënyrë meritore dhe të drejtë për kontestin në fjalë”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat