“Isa dhe Hashimi po provojnë të formojnë një Qeveri në kundërshtim me Kushtetutën”

Politika

“Isa dhe Hashimi po provojnë të formojnë një Qeveri në kundërshtim me Kushtetutën”

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 21 prill 2020 Në ora: 11:09
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa

Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, ka paralajmëruar formimin e një qeverie të re këtë javë, pasi që, siç ka thënë, do të ndërmerr hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një Qeverie të re.

E, këtij paralajmërimi i është përgjigjur kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai në një konferencë me media, ka folur edhe për formimin e Qeverisë së re, duke bërë me dije se edhe me tej është kryeministër në detyrë i Kosovës.

Kurti e ka quajtur presidentin Thaçi një figurë ceremoniale dhe noter shtetëror.

“Unë jam kryeministër në detyrë por shteti ka një president jashtë detyrës me këtë intencën për të formuar dhe drejtuar vullnet politik në Kosovë. Presidenti është një figurë ceremoniale, le të themi noter shtetëror i cili nuk është një nga shtyllat e pushtetit. Është e qartë se ai nuk është i kënaqur me kompetencat që ka, por te tilla janë me kushtetutë dhe këtë është dashur ta mendojë. Ne po punojmë me të gjitha kapacitetin tonë për luftimin e shpërndarjes së koronavirusit dhe nuk po ngecim në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Në linjë me shefin e qeverisë, janë edhe përfaqësuesit e Lëvizja Vetëvendosje, të cilët konsiderojnë se Thaçi dhe Mustafa tashmë janë duke provuar që të formojnë një Qeveri në kundërshtim të hapur e të qartë të Kushtetutës, gjersa paralajmërojnë se nëse shkohet në zgjedhje partia e tyre do të shënojë një fitore dërrmuese.

Kurse, nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në vend, janë të mendimit se partia e Isa Mustafës nuk do të reflektojë në këto ditë të mbetura, përveç se me çdo kusht po punon që të formojë qeveri me AAK-në, NISMA-n dhe AKR-në.

Bajqinovci: Isa dhe Hashimi po provojnë që të formojnë një Qeveri në kundërshtim të hapur e të qartë të Kushtetutës

Image
Mefail Bajqinovci

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit, është luftuar shumë që të pengohet jetësimi i qeverisë Kurti.

“Qeveria e kryeministrit Kurti, ka pasur dhe ka një agjendë të qartë antikorrupsion. Çuditërisht nga përfundimi i zgjedhjeve e më tej, është luftuar shumë që të pengohet jetësimi i kësaj qeverisjeje. Akterët kanë qenë të gjitha grupet politike që kanë qeverisur pasluftës në Kosovë dhe që e kanë sjellë në gjendje të rëndë perspektiven e popullit dhe shtetit të Kosovës. Këta akterë janë nga grupe politike brenda LDK-së, PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s”, është shprehur Bajqinovci.

Me tej, deputeti i VV-së, potencon se presidenti aktual i vendit ka qenë personi kryesori që ka punuar pa ndërprerë  që koalicion VV-LDK të mos bëhet, dhe pasi u bë të prishet.

“Të gjithë u bashkuan për të penguar një Qeveri antikorrupsion. Ne kemi të drejtë të mendojmë se mobilizimi i tyre vjen nga frika që ata kanë nga suksesi i pritshëm në luftë kundër këtij kanceri që e ka dëmtuar rëndë çdo sektor të jetës në Kosovë. Sigurisht, ai që është më i frikësuari ai reagon më së shumti. Presidenti Hashim Thaçi ka qenë njeriu që ka punuar ditë e natë që ky koalicion të mos bëhet dhe pasi u bë të prishet. Fatkeqësisht, ai arriti ta ndajë udhëheqjen e LDK-së nga vullneti i votuesve të saj që nuk e dëshirojnë më, një nënshtrim të dytë të LDK-së ndaj Hashim Thaçit dhe PDK-së”, ka thënë deputeti i VV-së, për gazetën “Bota sot”.

Bajqinovci ka theksuar se tani kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe presidenti Hashim Thaçi janë duke provuar që të formojnë një Qeveri në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Tani Isa dhe Hashimi po provojnë që të formojnë një Qeveri në kundërshtim të hapur e të qartë të Kushtetutës së vendit, pra një pushtet që del jashtë shinave demokratik dhe kushtetues të vendit nga frika se nëse shkohet në zgjedhje Vetëvendosje do të shënojë një fitore dërrmuese. Gabohen, po ia bëjnë një dëm të rëndë Kosovës duke ia shkatërruar njërën nga 3 shtyllat ku ngrihet sistemi kushtetues e ato janë normat që e rregullojnë formën e organizimit dhe ushtrimit të pushtetit. Një shkelje që nuk është bërë ende në Kosovë marrë parasysh pasojat që i shkakton. Po gabojnë rëndë në rrugën ku janë futur”, ka theksuar deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, për gazetën “Bota sot”.

Analisti politik: Isa Mustafa prapë i është bashkuar skenarit sekret të Thaçit

Image
Rexhep Elezaj

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj, për gazetën “Bota sot” ka thënë se LDK-ja e udhëhequr nga klani i Isa Mustafës dhe i përkrahur verbërisht nga grupi e deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës si dhe nga Këshilli i Përgjithshëm i saj, për shkaqe krejtësisht egocentrike për ta marrë primatin e partisë së parë politike në Kosovë, kjo parti pa dyshim se është vënë në shërbim absurd dhe antikombëtar të politikave pro-serbe të Hashim Thaçit.

“Kjo për faktin, ngase dalja nga koalicioni qeverisës me VV-në, duke e rrëzuar mizorisht qeverinë Kurti në kohë pandemie globale botërore, mund të ishte asgjë tjetër, përveç se politikë kundër dhe në dëm të interesave të Kosovës. Sepse ta rrëzosh qeverinë legjitime e dalë nga vota e popullit me 6 tetor 2019, pjesë e të cilës ishte vetë LDK-ja, për t’u vënë më pas ashiqare në shërbim të një diskursi antikombëtar përmes marrjes së mandatit antikushtetues nga presidenti Thaçi për formimin e një qeverie ilegjitime dhe kuislinge bashkë me dy-tri parti të ish qeverisë PAN, dëshmon qartë se Isa Mustafa prapë i është bashkuar skenarit sekret të Thaçit me qëllim për ta nënshkruar marrëveshjen finale me Serbinë sipas diktatit të emisarit të presidentit Trump për Kosovën, Grenell si dhe idilës vëllazërore të Thaçit me presidentin serb Vuçiq për ndarjen e Kosovës”, ka thënë Elezaj.

Ai gjithashtu gjithë këtë plan për rrëzimin e Qeverisë Kurti e konsideron si një skenar ogurzi.

“Ndryshe nuk mund të vlerësohen sjelljet e pabesë dhe futja thikë pas shpine liderit të VV-së dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, së pari duke bërë koalicion të zorit me të pas dy muaj negociatash, për ta rrëzuar pas vetëm 52 ditësh qeverisje, sepse po të mos bëhej fjalë për skenarë të kurdisur paraprakisht, së pari duke tentuar ta denigrojë sa më shumë në opinionin e Kosovës Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e saj Albin Kurtit, dhe së dyti, largimin e tij dhe të VV-së nga skena politike, etj., sigurisht se nuk do ndërmerrte hapa ogurzi për rrëzimin e qeverisë së përbashkët, pjesë e të cilës ishte bërë me vetë dëshirë”, shprehet ai.

Elezaj është i mendimit se partia e Mustafës nuk do të reflektojë, përveç se me çdo kusht po punon që të formojë qeveri me AAK-në, NISMA-n dhe AKR-në.

“Prandaj, nuk besoj se LDK-ja e marrë penga nga Isa Mustafa që 10 vite, do reflektojë ndryshe përveç se me çdo kusht po punon që të formojë qeveri me AAK-në, NISMA-n dhe AKR-në, për ta marrë postin e kryeministrit dhe ta mbështes presidentin Thaçi në arritjen e marrëveshjes me Serbinë, duke ia dhënë veriun e Kosovës, ngase siç i kemi pa, nuk ishin aspak të rastësishme takimet e Avdullah Hotit me Grenellin në Munih si dhe dërgimi i “postjerit” të LDK-së, Skënder Hysenin në Uashington për t’u takuar me të njëjtin njeri, me të cilin me siguri se do jenë marrë vesh për zbatimin e skenarit në fjalë, të cilin gjithnjë sipas tyre, do ta çojnë deri në fund posa të përfundon pandemia e Korona virusit”, tha Elezaj.

Ai po ashtu deklaron se deklarimet se gjoja nuk bëjnë koalicion me PDK-në janë thjesht një strategji e LDK-së, dhe asgjë tjetër.

“Sa i përket rrezikut se LDK-ja, alias shefi i saj Isa Mustafa me shërbëtorët e tij vasalë, se me këto sjellje dhe aleancë joparimore me Thaçin, duke anashkaluar qëllimisht PDK-në, se gjoja ne nuk bëjmë koalicion me të, e që është vetëm një floskulë strategjike dhe asgjë tjetër, jo vetëm se po e rrezikon vrasjen e imazhit të saj tek elektorati, por ç’është edhe më zi, me këtë lojë të rrezikshme si pjesë e skenarit të Thaçit për ndarjen e Kosovës, kjo parti që dikur ishte avangardë në shtet-bërjen e Kosovës, tani me këto veprime antikombëtare do përfundon me turp në shportën e mbeturinave të historisë sonë kombëtare”, ka deklaruar ai.

Kadriaj: Presidenti ia ka dhënë mundësinë partisë së parë

Image
Mustafë Kadriaj

Ndërsa, njohësi tjetër i zhvillimeve politike në vend, Mustafë Kadriaj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se Kosova nuk mundet që të vazhdojë pafundësisht me qeveri në detyre për faktin se e presin sfida të rëndësishme.

Sipas tij, disponimi i skenës politike që e përbën shumicën në Kuvendin e Kosovës nuk kanë këtë disponim që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

 “Pa i komentuar rrjedhat deri tek shkarkimi i qeverisë që tani më janë të ditura shkaktaret vlerësoj që vendi nuk mund të vazhdoj pa institucione për kundër pretendimit të Vetëvendosjes që vetëm ajo ka të drejt për mandatarin. Me ketë vlerësoj që disponimi i skenës politike që e përbën shumicën në Kuvend nuk kanë këtë disponim që të shkohet në zgjedhje njëherit edhe të bashkëqeverisin me Vetëvendosjen dhe rrjedhimisht nuk mundet Kosova të vazhdojë pafundësisht me qeveri në detyre për faktin që edhe nëse përfundon pandemia në muajin maj apo qershor, duhet të kemi qeveri me kompetenca të plota që për çdo iniciativë ndërkombëtare apo në kredi investuese për vendin dhe për bisedime për një marrëveshje të mundshme finale me Serbinë”, ka thënë ai.

Kadriaj është i mendimit se edhe nëse do ta dërgonte emrin e mandatarit Lëvizja Vetëvendosje, një gjë e tillë nuk do votohej në Kuvendin e Kosovës, për shkak të zhvillimeve në skenën politike.

“Si përfundim vlerësoj që presidenti ia ka dhënë mundësinë partisë së parë në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje, por që për arsye të ditura që edhe po të dërgonte kandidat nga Vetëvendosje nuk do votohej në parlament kështu që vendi duhet të këtë institucione me mandat të plotë pamarrë parasysh sesa do ketë jetëgjatësi, me rëndësi të këtë mandatim nga parlamenti dhe të ketë kompetenca të plota për të qeverisur për faktin që e presin shumë punë si në konsolidim ekonomik dhe njëherit kthimi raporte në diplomacinë ndërkombëtare duke pasur kompetenca të plota për të marrur përgjegjësit për bisedime me shtetin fqinj”, ka përfunduar njohësi i zhvillimeve politike dhe ekonomike në vend, Mustafë Kadriaj, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat