Isa Mustafa për kryeministër? Vjen goditja nga Bytyçi, ia përmend Vjosa Osmanin dhe ka një porosi për të

Politika

Isa Mustafa për kryeministër? Vjen goditja nga Bytyçi, ia përmend Vjosa Osmanin dhe ka një porosi për të

Nga: G.B Më: 21 prill 2020 Në ora: 16:41
Vjosa Osmani dhe Isa Mustafa

Është nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por në mbledhjen e fundit të kryesisë, parti nuk e ftoi atë, derisa për këtë mbledhje ajo u njoftua nga mediet.

Osmani votoi kundër mocionit për rrëzimin e Qeverisë e për shkarkimin e ministrit Agim Veliu, ajo tha se u bë në kohë jo të duhur, por që Veliu nuk do të duhej të ishte fare pjesë e Qeverisë.

E në seancën e fundit, ajo i ndali fjalën deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, për çka mori mjaft kritika.

Lidhur me mos ftesën nga LDK ndaj Vjosa Osmanit, profesori universitar Enver Bytyçi, ka thënë se në LDK vepron një grup në shërbim të Thaçit dhe një grupim tjetër që nuk pajtohet me grupin e parë.

"Opinioni publik e di faktin që në Lidhjen Demokratike vepron një grupim në shërbim të Thaçit dhe një grupim tjetër, i cili nuk është pajtuar me njerëzit e Hashim Thaçit në këtë parti. Në fakt këto dy grupime përfaqësojnë filozofi të ndryshme, moral politik e njerëzor të ndryshëm. Përfaqësojnë dy të kundërta, gënjeshtrën dhe të vërtetën, korrupsionin dhe anti-korrupsionin, lidhjen me krimin dhe anti-krimin, bashkëpunimin me Serbinë kundër Kosovës dhe përgjegjësinë politike për raporte korrekte midis dy vendeve", është shprehur ai.

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

Profesori thotë se e dimë që Osmani dhe përkrahësit e saj nuk i janë bindur vendimeve të grupit të Mustafës.

"Nga të dy grupimet ne e dimë se Vjosa Osmani dhe përkrahësit e saj nuk i janë bindur qorrazi vendimeve të grupimit tjetër të Isa Mustafës, p.sh për ta votuar Hashim Thaçin president. Ajo votë, si dhe vullneti i Mustafës në postin e kryeministrit e bënë presidentin kryenegociator me Serbinë. Dhe çfarë ndodhi? Ai e solli vendin e tij në situatën më të vështirë në historinë e 100 viteve të fundit. E vendosi Kosovën në pozitën e vitit 1956. Natyrshëm tani shohim që forcat anti-korrupsion e anti-krim të bashkohen kundër palës tjetër", ka theksuar Bytyçi.

Sipas tij, Klani Pronto nuk e ka dashur koalicionin VV-LDK dhe masat anti korrupsion, për të cilat ishte e vendosur Vjosa Osmani, e suksesin e saj nuk e ka dashur një grup në LDK, por që ajo në zgjedhjet e fundit mori 165 mijë vota.

"Është e ditur gjithashtu që koalicioni midis Vetëvendosjes me Lidhjen Demokratike ishte koalicion i vështirë. Kjo sepse klani kriminal PRONTO nuk donte të përballej me ligjet të rrepta anti-korrupsion. Vjosa Osmani është e vendosur në këtë luftë. Isa Mustafa, Agim Veliu, Skënder Hyseni e ndonjë tjetër në LDK janë jo vetëm miq, por edhe bashkëpunëtorë të Hashim Thaçit në vepra korrupsioni. Janë të kapur. Ky grupim nuk e ka dashur asnjëherë suksesin e Vjosa Osmanit. E çuan para pak vitesh nga fundi i listës dhe mori mbi 80 mijë vota. Në zgjedhjet e fundit e caktuan si kandidate për kryeministre dhe mori 165 mijë vota", ka vlerësuar profesori për "Bota sot".

Më tej, ai përmend rrëzimin e Qeverisë, që thotë se u bë për shkak të lojës me harta e kufij, që bisedimet me Serbinë të përfundojnë me ndarjen e Kosovës, pra me rrëzimin e qeverisë i është hapur rruga një rreziku të madh për Kosovën.

"Grupi i të korruptuarve bëri komplotin e radhës. Bashkoi votat me opozitën dhe rrëzoi qeverinë 50 ditore. Rast i paprecedent në historinë e shteteve të rajonit. Me ligje dhe rregulla një votëbesim nuk mund të kërkohet pa kaluar tre muaj qeverisje. Edhe mocionet vetë nuk mund të bëhen brenda harkut kohor tre mujor. Në Kosovë ndodhi ndryshe. Të korruptuarit rreth Thaçit dhe Mustafës nuk duruan që kjo qeveri të fillonte luftën kundër korrupsionit. Por në rastin konkret kemi të bëjmë edhe me një problem tjetër madhor. E gjitha u vu në funksion të lojës me harta dhe kufij, pra që bisedimet me Serbinë të përfundojnë me ndarjen e Kosovës. Njerëzit e interesuar për këtë zgjidhje në SHBA, si Grenell, u vu në krye të diversionit kundër qeverisë së ligjshme, e cila kishte përkrahjen e fuqishme e dhe të Vjosës. Çështja është se rrëzimi i qeverisë i ka hapur rrugë një rreziku të madh për Kosovën", ka deklaruar Enver Bytyçi.

Sipas tij, nuk është befasi që Vjosa Osmani nuk është ftuar, derisa thotë se kjo është një arsye më shumë që anëtarësia e LDK-së të bashkohet dhe ta largojë kastën e korruptuar nga drejtimi i saj.

"Në këto kushte nuk kam pritur që Isa Mustafa, Agim Veliu e Skënder Hyseni të dëshmojnë lojalitet ndaj kundërshtares së tyre, Vjosa Osmani. Nuk ishte surprizë ajo që ka ndodhur, duke mos e ftuar atë në mbledhjet e kryesisë së LDK-së. Kjo është një arsye më shumë pse anëtarësia e LDK-së të bashkohet dhe ta largojë kastën e korruptuar nga drejtimi i saj. Ata duhet të kuptojnë se partinë e Ibrahim Rugovës e drejtojnë intrigantë dhe komplotistë, të cilët nuk lëndojnë dhe dëmtojnë vetëm Lidhjen Demokratike, por edhe gjithë vendin, Kosovës", është shprehur tutje ai.

Profesori thotë se Mustafa po pret që ta formojë Qeverinë por nëse do të kishte pak moral politik e njerëzor, do të duhej ta nominonte Vjosa Osmanin për kryeministre.

"E shoh se Isa Mustafa po pret dekretin e Thaçit për ta krijuar qeverinë e re jo kushtetuese. Nëse ai do të kishte pak moral politik e njerëzor, së paku do të duhej ta nominonte Vjosa Osmanin për kryeministre, sepse sovrani ka votuar për Vjosën këtë post. Dhe jo vetëm kaq. Do të duhej që bisedimet për një koalicion të ri me Vjosën kryeministre t'i drejtonte po Vjosa", ka vazhduar ai.

Por, Bytyçi thotë se nuk pres që ai ta bëjë një veprim të tillë, pasi e ka mënjanuar Osmanin dhe do ta bëjë sërish, sepse nuk di ndryshe dhe e gjitha ndodhë sepse kanë frikë nga ajo, nga e drejta, e vërteta, ndershmëria dhe korrektësia në politikë. Sipas tij, Osmani duhet ta ruajë qetësinë dhe duhet të drejtohet anëtarësisë së Lidhjes Demokratike dhe bashkë me ta çlirojnë partinë e Rugovës nga anti-rugovistët.

"Por nuk pres që Sinan Hasani i kohëve të sotme ta bëjë një veprim si ky. Ai e ka mënjanuar Vjosa Osmanin dhe do ta mënjanojë edhe në të ardhmen, sepse nuk di ndryshe të veprojë e drejtojë, përveçse me intriga, konspiracion dhe ligësi. E gjitha kjo ndodh se ata kanë frikë prej nënkryetares së LDK-së. D.m.th kanë frikë nga e drejta, e vërteta, nga ndershmëria dhe korrektësia në politikë. Në dallim me intrigantët në kryesinë e partisë së saj, mendoj se Vjosa Osmani duhet të ruajë qetësinë, të dëshmojë urtësi, por edhe vendosmëri. Shumëkush i rekomandon asaj të krijojë një parti të re. Për mua ajo duhet t’i drejtohet anëtarësisë së Lidhjes Demokratike dhe bashkë me ta çlirojnë partinë e Rugovës nga anti-rugovistët", ka deklaruar profesori Enver Bytyçi për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat