Çfarë pritet nga Qeveria LDK-AAK-Nisma me Listën Serbe në koalicion?

Politika

Çfarë pritet nga Qeveria LDK-AAK-Nisma me Listën Serbe në koalicion?

Nga: G.B Më: 28 prill 2020 Në ora: 18:26
LDK

LDK, AAK dhe Nisma pritet të formojnë Qeverinë e re, bashkë me komunitetet. E një nga zëvendëskryeministrat mund të jetë nga Lista Serbe. Këtë e ka konfirmuar shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi.

“Njëri nga ministrat e Listës Serbe mund të ketë postin e zëvendëskryeministrit", ka thënë ai para gazetarëve.

Por çfarë pritet nga një qeveri e tillë?

Njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se qeveria do të ketë detyra të rëndësisë së veçantë përfshirë dialogun, imazhin e Kosovës.

"Qeveria e re, e cila pritet të formohet nga LDK dhe koalicioni me partitë e vogla dhe minoritetet, për mendimin tim, ka disa detyra të rëndësisë së veçantë. Në radhë të parë, pres që kjo qeveri, të rehabilitojë imazhin e Kosovës, qoftë në politikën e brendshme, qoftë në atë të jashtme. Përpos dialogut, të shumëpërfolur me Serbinë, Kosova duhet të fokusohet për dialog dhe bashkëpunim të mirëfilltë me miqtë ndërkombëtarë", është shprehur ai.

Image
Leon Duhanaj

Sipas tij, duhet rregulluar diplomacia e Kosovës e cila ka stagnuar prej kohësh dhe të arrihet njohja nga vendet e BE-së që ende nuk na kanë njohur.

"Viteve të fundit, diplomacia kosovare ka pasur një stagnim total. Këndej pres që qasja në diplomaci të jetë proaktive dhe të kultivohen raportet e mira me shtetet mike, kërkohen respektivisht krijohen edhe me shtetet që ende hezitojnë ta njohin Kosovën si shtet, këtu me theks të veçantë pesë shtetet anëtare të BE-së. Qeveria në largim, mbi të gjitha, u pa që dështoj në menaxhimin e matur dhe në bashkëpunim me oponentët politik. Mendoj që mbi të gjitha patën mungesë përvojë menaxhuese. Ketë mungesë, LDK nuk e ka, prandaj shpresoj që të bëjë punë të mira", ka vlerësuar Duhanaj.

Më tej, ai shton se qeveria do të jetë e brishte sa i përket numrave por që sipas tij, PDK do të bëjë opozitë konstruktive dhe nuk do ta lë qeverinë të varur nga vullneti i Listës Serbe.

"Qeveria do të jetë e brishtë, për sa u përket numrave, por, po besoj që PDK, do të bëjë opozitë konstruktive dhe nuk do ta lë qeverinë të varur nga vullneti i Listës Serbe, e që posti i kryeministrit ka me shumë rol dekorativ. Çdo qeveri, duhet përballur me kritika konstruktive, qoftë nga opozita, qoftë edhe shoqëria civile. Ne duhet ta ndërpresim njëherë e mirë mënyrën klandestine të qeverisjes. Po besoj që ky mund të jetë një hap i mbarë", ka deklaruar Leon Duhanaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat