“Serbia duhet ta pranojë faktin se Kosova tanimë është shtet sovran, dhe i pavarur”

Politika

“Serbia duhet ta pranojë faktin se Kosova tanimë është shtet sovran, dhe i pavarur”

Nga: D.B. Më: 10 maj 2020 Në ora: 14:26
Foto Ilustrim

Ministri i punëve të jashtme Ivica Daçiçi siç duket e ka gabuar adresën, pasi për çështjet qenësore të Kosovës vendosin qytetarët e saj dhe askush tjetër. Daçiç në një takim informal të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka theksuar se fjalën përfundimtare rreth dialogut, duhet ta thonë Kombet Bashkuara apo më konkretisht Këshilli i Sigurimit të Organizatës botërore.

Në lidhje me këtë cështje analisti politik Ejup Berisha ka thënë për gazetën “ Bota sot” se, Serbia po pret që të arrihet zgjidhje kompromisi me Kosovën dhe se është e përkushtuar ndaj dialogut me qëllim të gjetjes së zgjidhjes me Kosovën që do të përfshinte një kompromis.

Sipas tij, Daçiç  pohoi se Serbia është plotësisht e përkushtuar për të gjetur një zgjidhje kompromisi për çështjen e Kosovës, dhe siç ka thënë ai për procesin e dialogut me Kosovën.

Image
Ejup Berisha

“Rreth vazhdimit të dialogut dypalësh duhet gjetur një zgjidhje kompromisi për çështjet teknike mes dy shteteve sovrane dhe të pavarura por jo edhe për statusin e Kosovës i cili duhet konsideruar si çështje të zgjidhur. Mendoj se dy shtetet nëse rifillon dialogu duhet të përqendrohen në çështjet siç janë njohjet reciproke në dhënien e garancive se Serbia nuk do ta pengoj anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Organizata dhe forume rajonale dhe botërore siç është edhe anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Pastaj dy shtetet duhet të merren vesh për marrëdhëniet e tjera politike, ekonomike, marrëdhëniet në sferën sociale për ti rregulluar çështjet e pagesës së kontributeve dhe pensioneve të qytetarëve shqiptar që kanë punuar në Serbi dhe të atyre serb që kanë punuar në Kosovë”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Ai më tej ka shtuar se duhet të arrihet marrëveshje në sferën e kulturës, por jo edhe të hapet çështja e statusit kushtetues-juridik, të cilën do të përsëris se është çështje tanimë e përfunduar për Kosovën.

“Me Daçiçin nuk pajtohemi assesi me çështjen se për dialogun Kosovë Serbi, fjalën e fundit duhet ta ketë Organizata e Kombeve të Bashkuara apo Këshilli i Sigurimit të kësaj organizate ku Serbia llogaritë në përkrahjen e Rusisë dhe eventualisht të Kinës. Ministri i punëve të jashtme i Serbisë, duhet ta ketë të qartë se për çështjet madhore dhe vendimtare siç janë dialogu dhe arritja e kompromisit me Serbinë në Kosovë ekziston një faktor shumë i rëndësishëm dhe i pashmangshëm sovran e ata janë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Berisha.

Ai konsideron se këta duhet ta thonë fjalën përfundimtare për vazhdimin e dialogut dhe çështjet teknike që do të jenë në agjendën e këtij dialog.

“Serbia llogarit në përkrahje Rusinë dhe të Kinën të cilat akoma nuk e kanë ndryshuar qëndrimin negativ për çështjen e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në 17 tetor të vitit 2008. Në një shtet demokratik për çështjet madhore dhe qenësore për shtetin dhe qytetarët e saj vendosin ekskluzivisht qytetarët e saj, e jo organizata ndërkombëtare apo në rastin konkret siç i adreson çështjet e dialogut dhe të kompromisit ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç. Edhe njëherë pala e Kosovës duhet t’ia bëj me dije Daçiçit se është përkushtuar për dialog konstruktiv si edhe për kompromis për shumë çështje që i përkasin marrëdhënieve mes dy shteteve por që e përjashton çështjen e statusit e cila është zgjidhur me shprehjen e vullnetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës siç ishte shpallja e pavarësisë para 12 vitesh. Vlerësoj se edhe Serbia duhet ta pranoj faktin se Kosova tanimë është shtet sovran dhe i pavarur dhe të bëj përpjekje për ngritjen e cilësisë dhe konstruktivitetit në dialog duke e respektuar vullnetin sovran të qytetarëve të Republikës së Kosovës për pavarësi shtet dhe sovranitet”, është shprehur analisti politik Ejup Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat