Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë dekretin e Presidentit për formimin e qeverisë së re, në komentet që i ka dërguar gjykatës.
Ky është një qëndrim i kundërt me partinë të cilës i përket, derisa LDK dëshiron që të formojë qeverinë Hoti, në koalicion me AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe.
E kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka paralajmëruar masa ndaj Osmanit, lidhur me qëndrimet e saj.
Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Sami Blakaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se kryetarja e Kuvendit e ka shfrytëzuar të drejtën e saj për të dërguar komente dhe se ajo nuk mbështetë parti por mbështetet në Kushtetutën e vendit.
"Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka shfrytëzuar të drejtën e saj për të dërguar komente lidhur me dekretin e presidentit për formimin e qeverisë dhe ky është një hap i duhur në kohën e duhur. Kërkesa e zonjës Osmani për rrëzimin e dekretit të presidentit nuk është kërkesë e mbështetur në mbrojtjen e interesave personale apo partiake, por është kërkesë e mbështetur në aktin më të lartë juridik, e që në këtë rast është Kushtetuta e vendit", është shprehur ai.
Sipas tij, mbrojtjen e Kushtetutës e kanë obligim të gjithë, duke shtuar se kolegët e Vjosës brenda dhe jashtë LDK-së, në vend të kërcënimeve ndaj saj, duhet bashkuar që të punojnë bashkë në mbrojtjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend.
"Mbrojtja e Kushtetutës nuk është vetëm detyrë e gjykatës kushtetuese, por është më shumë një detyrim që u drejtohet politikanëve, ligjvënësit, gjyqësorit, si edhe shtetasve në përgjithësi. Në këtë kuptim edhe kolegët e zonjës Osmani, qoftë brenda LDK-së, por edhe jashtë saj, në vend të kritikës dhe kërcënimeve ndaj Vjosës, do duhej bashkangjitur asaj dhe së bashku të punojnë në mbrojtjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend. Fundja, ky është obligim ligjor, politik e moral që përfaqësuesit politik domosdoshmërish duhet ta përmbushin fillimisht para vetës, pastaj familjes dhe bashkëqytetarëve të tyre", ka deklaruar Sami Blakaj për "Bota sot".