Përplasja e ashpër Kurti-Thaçi, analisti politik jep parashikimin se pse po ndodhë kjo – tregon se kur do bëhet qeveria e re

Politika

Përplasja e ashpër Kurti-Thaçi, analisti politik jep parashikimin se pse po ndodhë kjo – tregon se kur do bëhet qeveria e re

Nga: N. H Më: 15 maj 2020 Në ora: 22:55
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti

Është duke vazhduar përplasja në distancë ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryeministrit Kurti.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, akuzoi të premten kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia dhe ushtruesin e detyrës së ministrit të Brendshëm Xhelal Sfeçla për siç tha “shtytje në vetëvrasje” të një të riu nga Gjilani i cili vdiq pasi u hodh nga një ndërtesë në qendrën e Srudentëve, që është shndërruar qendër të karantinës për qytetarët që kthehen në Kosovë gjatë pandemisë.

Kurse, nga ana tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se presidenti i vendit është i frustruar dhe po kërkon më shumë pushtet.

Lidhur me githë këto, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se këto përplasje kanë vetëm një qëllim, dhe kjo sipas tij, është pushteti.

“Thaçi dhe Kurti mbijetojnë në kohë krizash. Thaçi dhe Kurti, t’i vëjnë moratorium lojës së tyre politike dhe armiqësive të stisura të cilat të vetmin synim dhe qëllim kanë pushtetin dhe vetëm pushtetin për vete, ngase Kosova nuk është pronë e tyre, por vend dhe atdhe i qytetarëve të saj. Janë ‘ethet’ e aktgjykimit të Gjykates Kushtetuese në lidhje me dekretin e Presidentit Thaçi i cili përdor Diskericionin për kandidimin e Hotit si mandatar për formimin e Qeverisë së re, pasi Qeveria Kurti nuk mbijetoi votëbesimit të Mocionit në Parlament”, shprehet Bajraj.

Ai gjithashtu shprehet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e përkohshëm të dekretit, pikërisht deri më 29 maj 2020, kohë kjo që i duhet Gjykatës Kushtetuese për një vendim meritor në lidhje me ankimimin e LVV-së, sikur ka ngritë tensionin e palëve.

Image
Fatmir Bajraj

“Presidenti Thaçi dhe Kryeministri i shkarkuar, Kurti, ky i fundit sikur me lëvizjet dhe paralajmërimet nga leva të cilat janë kryekëput në shërbim të Kurtit dhe të VV-së, japin sinjalin se nuk do pranojnë verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, poqese kjo e fundit, nuk vendos në favor të ankimuesit, alias VV-së, e cila pretendon se e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet, dhe i vetmi Nen që duhet t’a marrë në konsideratë Presidenti i vendit, apriori duhet të jetë Neni 82.2, nen ky i cili shpërndanë Parlamentin dhe dërgon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha ai.

Ai shton se e gjithë kjo është një luftë e tyre për pushtet dhe dominim të jetës politike.

“Ashpërsimi i gjuhës së krerëve institucional, kryekeput ka të bëjë me luftën e tyre për pushtet dhe dominim të jetës politike dhe shtetërore, pa llogaritë sa duhet fatin e vendit dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës. Kjo ‘luftë’ e papastër politike, dëmton imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare dhe ndihmon dhe favorizon Serbinë që të fitojë teren në ndasitë tona dhe në papërgjegjësinë e krerëve institucional Thaçi – Kurti”, ka shtuar ai.

Bajraj konsideron se me paralajmërime Kurti sikur po bën presion direkt mbi gardianin e Kushtetutës dhe kushtetutshmërisë.

“Kryeministri në ikje, me sjelljet dhe vendimet antikushtetuese, si dhe me paralajmërimin e opinionit se e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet, sikur po bënë presion direkt mbi gardianin e Kushtetutës dhe kushtetutshmërisë, Gjykatën Kushtetuese si e vetmja hallkë e interpretimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Edhe Presidenti Thaçi, sikur shfrytëzon dobësitë menaxhuese dhe ambiciet e sëmura; ego-centriste për pushtet të Kurti dhe të LVV-së dhe pikëton dhe shënjestrën pikërisht dobësitë dhe anët sensitive të një Qeverie dhe të një Kryeministri i cili çdo ditë e më shumë, përveç shkarjeve, shpërfaqë edhe mendësi dhe logjikë autoritariste dhe arbitrare”, potencon ai.

Tutje, ai nënvizon se vendimi dhe aktgjykimi meritor në lidhje me Dekretin e Presidentit, duhet të ndodhë para skadimit të afatit i cili pezullonte aktivizimin e dekretimit, dhe vendi duhet të bëhet me Qeveri të re.

“Gjykata Kushtetuese është vënë nën presion politik nga ana e LVV-së dhe e Kurtit, praktikë kjo e paparë në jetën politike dhe shtetërore të Republikes së Kosovës. Vendimi dhe aktgjykimi meritor në lidhje me Dekretin e Presidentit, duhet të ndodhë para skadimit të afatit i cili pezullonte aktivizimin e dekretimit, dhe vendi duhet të bëhet me Qeveri të re, meqë është vullnet dhe vendim i shumicës parlamentare, shumicë kjo e cila votoj edhe Mocionin e LDK-së për shkarkimin e Qeverisë Kurti. Vendin e qon në zgjedhje, Sovrani (Parlamenti) dhe vullneti i shumicës, dhe jo pakica dhe aq ma pak, një subjekt parlamentar i cili nuk ka as 1/4-tën e Parlamentit siç është LVV-ja”, tha me tej Bajraj.

Sipas analistit Bajraj, qeveria e re, do bëhet në javën e fundit të majit, ose më se largu, në javën e parë të qershorit.

“Qeveria Hoti, do bëhet në javën e fundit të majit, ose më se largu, në javën e parë të qershorit 2020. Presioni publik dhe thirrjet anarkiste të LVV-së dhe levave të saja në shoqërinë civile dhe në media për protesta dhe padegjushmëri qytetare, duhet të pushojnë, ngase vendit i duhet ma shumë se kurr, stabilitet politik, ekonomik dhe social, përballë sfidave komplekse në këto kohë kruciale, kur etablimi i dialogut me Serbinë, tanimë ka vëmendjen dhe përkushtimin, jo vetëm të BE-së, por edhe të SHBA-ve”, u shpreh Bajraj.

Krejt në fund, ai thekson se formimi i Qeverisë Hoti, është shpresë e vetme për një qeverisje të përgjegjshme dhe e gatshme të përballet suksesshëm me kompleksitietin kontekstual të vendit dhe për rreth tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat