Kush qëndron pas sulmeve ndaj babait të Vjosa Osmanit?! - Bota Sot
Kush qëndron pas sulmeve ndaj babait të Vjosa Osmanit?!

Politika

Kush qëndron pas sulmeve ndaj babait të Vjosa Osmanit?!

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 8 qershor 2020 Në ora: 18:55
Vjosa Osmani

Dallimet politike, shoqërore, etnike, racore janë pasuri e njerëzimit, dhe botës në tërësi. Divergjencat jo domosdoshmërisht duhet të prodhojnë armiqësi, për më tepër kur ato janë politikë. Fatkeqësisht tek ne, gjërat kanë marrë konotacion të mbrapsht, në të cilat kundërshtari shihet dhe perceptohet jo si rival politik, por si armik.

Tek ne, fatkeqësisht kundërshtarët politikë, në mungesë të provave, fakteve për të mposhtur tjetrin politikisht, e prekin në familje, në moral. Kjo është e papranueshme, dhe si e tillë nuk duhet të bëhet pjesë e jetës tonë politike, aq më tepër në ligjërimin politik nuk duhet të pranohet një gjë e tillë. Rasti i fundit me publikimin e një foto, gjoja babai i kryetares së kuvendit Vjosa Osmani paska qenë pjesë e policisë serbe, është shumë e qartë se është montim, skenar i shëmtuar nga ata që Vjosën e shohin si pengesë politike.

Mendjet e varfra, njerëzit primitivë sajojnë gjëra të tilla. Ne mund të kemi mendime të ndryshme, dhe shyqyr që s’jemi njësoj, bindjet e ndryshme janë vlerë për një shoqëri. Njëri-tjetrin mund ta kundërshtojmë për mendimet, parimet dhe vizionin që ka, por nuk guxojmë asnjëherë ta fyejmë tjetrin në moral, në familje.

Kjo nuk duhet të ndodh nga askush. Kam shkruar shumë kritika pothuajse për të gjithë akterët politik në vendin tonë, por kurrë askënd nuk e kam prekur në familje, në moral. Kjo është e papranueshme, kushdo që qëndron pas rastit të Vjosës, por edhe kujto tjetër, nuk e ka mbështetjen time, dhe besoj të askujt nuk duhet ta ketë. Në parim kurrë nuk e mbështes të sulmosh tjetrin në familje, në nder dhe moral, besoj se edhe si shoqëri një gjë të tillë nuk duhet ta lejojmë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat