Kush e vrau Bardhyl Ajetin – krimi që duhet zbardhur nga Gjykata Speciale!

Politika

Kush e vrau Bardhyl Ajetin – krimi që duhet zbardhur nga Gjykata Speciale!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 25 qershor 2020 Në ora: 09:41
Bardhyl Ajeti, ilustrim "Bota sot"

Vizionar, njeri i guximshëm dhe gazetari i shkëlqyer, kështu e përshkruajnë bashkëpunëtorët ish-gazetarin e gazetës “Bota sot”, Bardhyl Ajeti.

Vrasja e gazetarit Bardhyl Ajeti, po vazhdon të mbetet edhe me tej një vrasje e mistershme. Gazetari i gazetës “Bota sot”, Bardhyl Ajeti ishte qëlluar më 3 qershor të vitit 2005. Ai nuk kishte arritur t’u mbijetojë plagëve që mori në atentatin e vitit 2005.

Sulmi përkundër që nuk u zbulua asnjëherë, përshkruhet si një atentat i përgatitur mirë, dhe që nuk kishte lënë asnjë gjurmë.

Bardhyli ishte goditur me një plumb në kokë, i dyti në shpatull të krahut, dhe i treti në veturë. Pas kontrollit në Spitalin e Gjilanit dhe në atë të Prishtinës, Bardhyli, një javë më pas, ishte dërguar në Milano të Italisë, ku edhe kishte vdekur.

Ishte 25 qershori i kobshëm i vitit 2005, kur u dha lajmi se gazetari Bardhyl Ajeti ka ndërruar jetë. Edhe pse kanë kaluar 15 vjet nga ajo ditë, rasti i kësaj vrasjeje vazhdon edhe më tej të mbetet i pandriçuar për organet e drejtësisë.

Familjarët dhe bashkëpunëtorët, Bardhyl Ajetin në 15 vjetorin e vrasjes e kujtojnë si një nga gazetarët më të guximshëm që kishte pasur Kosova ndonjëherë. Bardhyli për ta ishte frymëzim deri në ditën e vdekjes.

Fitim Ajeti vëllai i Bardhylit: Kjo vrasje nuk ka ndodhur rastësisht, ka qenë mirë e organizuar

Vëllai i gazetarit Bardhyl Ajeti, Fitimi, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ai për vite të tëra nuk është ndalur së kërkuari drejtësi, për të zbuluar të vërtetë se kush ia vrau ia mori të vëllain.

Fitim Ajeti është i mendimit se vrasja e Bardhylit po vazhdon të mbetet mister i pa zbuluar për drejtësinë në vend.

“Si vëlla i Bardhylit, Fitmi që 15 vite kërkojë drejtësi për vrasjen e Bardhylit mirëpo drejtësia për Bardhylin është vonuar dhe po vazhdon të vonohet. Vrasja e Bardhylit vazhdon të mbetet mister i pa zbuluar për drejtësinë në vend. Vrasja e Bardhylit siç dihet botërisht ka qenë vrasje puro politike për interesa të ngushta të grupeve të caktuara klanore”, tha Ajeti, për gazetën “Bota sot”.

Ai me tej për gazetën “Bota sot”, ka treguar se Bardhyli gjithmonë ishte i dashur për të gjithë, përveç kriminelëve dhe bandave të nëntokës, që edhe i morën më të shtrenjtën jetë.

Ndërsa, shprehet se kjo vrasje nuk kishte ndodhur rastësisht, pasi sipas tij, ishte e mirë e organizuar dhe e planifikuar nga njerëz të veshur me kostum politik.

“Ai shquhej si gazetar dhe redaktor i guximshëm i gazetës kombëtare ‘Bota sot’ dhe ishte aktivist i njohur i LDK-së, që i kushtuan me jetë. Forca e krimit ende është e madhe dhe prezente në shoqërinë tonë. Kjo vrasje nuk ka ndodhur rastësisht, por ka qenë mirë e organizuar dhe e planifikuar nga njerëz të veshur me kostum politik dhe të cilët ishin në shërbim të interesave material të grupeve mafioze”, ka thënë ai.

Edhe Fitimi, vazhdon të ketë shpresa të mëdha tek Gjykata Speciale, për të cilën thotë se është shpresa e vetme dhe e fundit për zbardhjen e vrasjes së vëllait të tij.

“Gjykata Speciale ka mbetur shpresa e vetme dhe e fundit për zbardhjen e vrasjes së vëllait tim dhe të gjitha vrasjeve tjera politike të kryera para dhe pas përfundimit të luftës. Shpresojmë se një ditë kriminelët do ta marrin dënimin e merituar”, ka theksuar vëllai i gazetarit Bardhyl Ajeti, Fitimi, për gazetën “Bota sot”.

Kemajl Goca, ish-bashkëpunëtori i Bardhyl Ajetit: Kur shkruante Bardhyli dridheshin edhe institucionet!

E, ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Bardhyl Ajetit, gazetari i njohur Kemajl Goca, ka rrëfyer për herë të parë momente të padëgjuara nga koha kur punonin së bashku me Bardhylin.

Image
Kemajl Goca

Goca tregon se Ajeti ishte një prej gazetarëve më të guximshëm në vend, si dhe frymëzim i madh për të gjithë gazetarët, deri në ditën e vdekjes.

“U bën 15 vite nga vrasja misterioze e kolegut tonë, Bardhyl Ajeti. Bardhyli ka qenë prej gazetarëve - kolumnistëve më të guximshëm dhe frymëzim deri në ditën e vdekjes për të gjithë gazetarët se si luftohet korrupsioni, krimi dhe me gjithçka të shëmtuar që ballafaqohej shteti ynë në vitet e pasluftës. 3 qershori ka qenë një ditë e rëndë në vitin 2005, kur u dha lajmi se është bërë atentat në kolegun tonë”, rrëfen Goca.

Tutje, Goca rrëfen edhe për ditën kur ndodhi atentati, ditë kjo për të cilën thotë se ishte një nga më të rënda për të gjithë në gazetën kombëtare “Bota sot”, gazetë kjo që vazhdimisht ishte cak i kërcënimeve dhe i sulmeve të shumta që vinin nga persona të panjohur.

Ai shprehet se si nuk e besonin faktin e dhimbshëm se nuk do ta kishin më pranë kolegun e tyre të dashur, për ta pirë kafen në orët e paradites së bashku.

“Të gjithë luteshim që Bardhyli të shërohej, por data e 25 qershorit ka qenë dita më e zezë, kur kuptuam se kolegu ynë ndërroi jetë në Milano të Italisë. Nuk i mbijetoi plagëve në kokë. Për një moment mu kujtua edhe 19 tetori i vitit 2001, kur nga persona të panjohur në një pritë u vra kolegu dhe gazetari ynë, Bekim Kastrati. Nuk mund ta besonim ne kolegët se nuk do ta kemi më Bardhylin në ditët e qershorit 2005 dhe as kurrë më, që të pinim makiaton në orët e paradites në lagjen ‘Jakov Xoxa’ në Prishtinë”, tregon ai.

Ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Bardhylit, ka treguar gjithashtu se ky i fundit ishte një adhurues i madh i sportit, e në veçanti i hendbollit.

Goca ndër tjerash shpjegon edhe disa sekuenca të frikshme të viti 2002, kur atëbotë ishte vënë bomba ruse në lokalet e redaksisë së ‘Bota sot’ me seli në Zurich, por, që fatmirësisht, nuk ishte aktivizuar dhe kishin shpëtuar i gjithë stafi dhe pronari Xhevdet Mazrekaj.

“Bardhyli, përveç si kolumnist, ai shpesh fliste edhe për sport, sidomos për hendboll, sepse vet ka qenë edhe hendbollist i ish-ekipit Rilindja nga Gjilani, një kohë të shkurtër edhe në KH Prishtina. Por, shtrohej pyetja vetvetiu, pas vrasjes së Bardhylit, edhe sa e sa kolegë e gazetarë të gazetës ‘Bota sot’ do të vriten pse e shkruajnë të vërtetën. E kishim në kokë edhe vitin 2002 kur ishte vënë bomba ruse në lokalet e redaksisë së ‘Bota sot’ me seli në Zurich, por fal Zotit nuk ishte aktivizuar bomba dhe kishin shpëtuar i gjithë stafi dhe pronari z. Xhevdet Mazrekaj. Të gjitha silleshin në kokë në at periudhë por gjithnjë rritej forca te kolegët e mi për të luftuar krimin e organizuar, asnjë nuk dorëzohej por secili ishte më i fortë se tjetri. Gjithë ato kërcënime e sulme ishin edhe një frymëzim për të gjithë kolegët e mi që të vazhdojnë rrugën e Bardhylit dhe të Bekimit”, ka thënë Goca, për gazetën “Bota sot”.

Goca thekson se veprat e Bardhylit nuk do të vdesin kurrë, ndërsa, nënvizon se kur shkruante ai atëkohë dridheshin edhe institucionet e vendit.

“Sot e asaj dite ende nuk janë zbuluar vrasësit e Bardhylit dhe as të Bekimit, që shpresojnë se një ditë do të zbulohen dhe të dalin para drejtësisë. Bardhyli sot nuk është në mesin tonë por veprat e tija nuk vdesin kurrë. Sot takoi njerëz e lexues besnikë të gazetës dhe më thonë me emocione: ‘Edhe trim edhe i penës ka qenë Bardhyli’. Kur shkruante Bardhyli atëkohë dridheshin edhe institucionet. Sa për informim, shumë qytetarë atëkohë kur blinin gazetën ‘Bota sot’, shkonin direkt te faqja 6-të dhe mezi prisnin ta lexonin më ëndje Bardhylin. E prisnim me padurim gazetën ‘Bota sot’që ta lexoni kolumnen e Bardhylit. Shumë herë pyesnin qytetarët, në atëkohë, si po guxojnë kolegët e tuaj të punojnë në ‘Bota sot’, nga gjithë ato kërcënime që vinin nga persona të panjohur”, ka thënë gazetari Kemajl Goca, për “Bota sot”.

Mehmeti: Bardhyli ishte vizionar, njeri i guximshëm, virtyte që nuk duroheshin nga bandat kriminale

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti, shprehet se vrasja e gazetarit Ajeti, por edhe vrasjet e pasluftës janë subjekt i shqyrtimit nga ana e Gjykatës Speciale.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti tregon se Bardhyli ishte vizionar dhe njeri i guximshëm, virtyte këto që nuk duroheshin nga bandat kriminale.

“Edhe vrasja e gazetarit të ‘Bota sot’, Bardhyl Ajeti, por edhe vrasjet e pasluftës janë subjekt i shqyrtimit nga ana e Gjykatës Speciale. Kjo gjykatë mbetet shpresë për të gjithë familjet e viktimave që të mësojnë se kush u vrau më të dashurit e tyre, por mbi të gjitha edhe për të qetësuar eshtrat e atyre që më nuk jetojnë, dhe që janë vrarë nga bandat kriminale të pasluftës. Bardhyl Ajeti me shkrimet e tija ka demaskuar fytyrën e vërtetë të atyre që vjedhjen shtetin, dhe sot janë njerëz të cilët edhe u ka dal fytyra. Bardhyli ishte vizionar, njeri i guximshëm, virtyte që nuk duroheshin nga bandat kriminale”, ka thënë Mehmeti.

Tutje, analisti Mehmeti shprehet se nuk beson se gjykatat në vend kanë guximin për të zbardhur vrasjet e profilit të lartë.

Gjersa, ka bërë me dije se vrasja e gazetarit Ajeti, nxjerrë në pah edhe një gjë të vërtetë; se gazeta ‘Bota sot’ duke qenë gjithnjë në shërbim të së drejtës, ishte bërë edhe cak i sulmeve të vazhdueshme.

“Personalisht nuk besoj se gjykatat në Kosovë kanë guxim për të zbardhur vrasje të profilit të lartë, me Gjykatën Speciale si shpresa e vetme. Thonë se gjaku nuk humbet kurrë, andaj edhe gjaku i Bardhylit nuk shuhet, si dhe eshtrat e tij s’do të pushojnë derisa ata që e vranë të dalin para drejtësisë, mbi të gjitha edhe ata që urdhëruan një vrasje të tillë. Vrasja e Bardhyl nxjerr në pah edhe një gjë të vërtetë se ‘Bota sot’ duke qenë gjithnjë në shërbim të së drejtës, ka qenë cak i sulmeve. Bardhyli, mbete frymëzim për të gjithë gazetarët, që të jenë të guximshëm”, ka thënë krejt në fund, analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat