Takimi Hoti-Vuçiq, analisti i njohur ia shuan shpresat kryeministrit: Nuk ka mandat të dialogojë – ka disa fjalë edhe për Thaçin - Bota Sot
Takimi Hoti-Vuçiq, analisti i njohur ia shuan shpresat kryeministrit: Nuk ka mandat të dialogojë – ka disa fjalë edhe për Thaçin

Politika

Takimi Hoti-Vuçiq, analisti i njohur ia shuan shpresat kryeministrit: Nuk ka mandat të dialogojë – ka disa fjalë edhe për Thaçin

Nga: G.B Më: 6 korrik 2020 Në ora: 20:01
Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti

Të dielën me 12 korrik në Bruksel do të mbahet takimi i parë për dialogun Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të BE-së, pas pezullimit të dialogut në nëntor 2018.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të takohen me ndërmjetësimin e shefit të politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

 “Ky takim do të rifillojë diskutimet dhe punën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që do të trajtojë të gjitha çështjet e hapura”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano.

Kosova dotë përfaqësohet nga kryeministri Hoti, derisa takimi i 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë për dialogun, u anulua për shkak të aktakuzës së ngritur nga Gjykata Speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi.

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ai mund të shkojë e bisedojë me këdo por jo të udhëheq ekipin negociues sepse qeveria e tij nuk ka legjitimitet nga sovrani dhe as mandat kushtetues.

“Kryeministri Avdullah Hoti, mund të udhëtojë në Washington, apo kudo tjetër që e thërrasin në takime bilaterale, por para se të niset në SHBA ose Bruksel, ai duhet ta ketë të qartë faktin, se mund të bisedojë me këdo qoftë lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, por jo të udhëheq ekipin negociues me Serbinë, sepse qeverinë që ai e udhëheq tani, ajo nuk ka legjitimitet nga sovrani dhe as mandat kushtetues. Vetë A. Hoti e di shumë mirë se në postin e kryeministrit që aktualisht e mbanë është zgjedhur në mënyrë antikushtetuese, me vet faktin se LDK-ja si parti e dytë e dalë nga zgjedhjet e fundit (6 tetor 2019) nuk ka pasur mandat për ta formuar qeverinë e dytë, duke e dërguar partinë e parë, pra LVV-je, në opozitë”, është shprehur ai.

Sipas Elezajt, të gjithë e dinë se Qeveria Hoti nuk ka mandat për dialog pasi ka dalë nga një marrëveshje Thaçi-Veseli.

“Siç dihet, i gjithë spektri politik në Kosovë dhe po ashtu edhe Brukseli zyrtar e dinë, se qeveria “Hoti” nuk ka mandat dhe as legjitimitet me udhëheq dialogun me Serbinë, ngase thjesht është një qeveri xhuxhe e dalë nga një marrëveshje klandestine midis (ish) presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit puçist të LDK-së, Isa Mustafës, të cilët duke e shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Kosovës, Nenin 82. Pikë 2 dhe Nenin 95 pikë 5, kanë bërë puç juridik ndaj qeverisë “Kurti” të ndihmuar rrast nga Gjykata kushtetuese, e cila doli hapur të jetë një instrument politik i H. Thaçit, andaj si e tillë kjo qeveri nuk ka kurrfarë mandati legjitim që t’i udhëheq bisedimet me Serbinë”, ka vlerësuar Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Image
Rexhep Elezaj

Sipas tij, Hoti mund të shkojë e të bisedojë me Trump e Grenell, por nuk mund të nënshkruajë marrëveshje pa e formuar ekipin legjitim për dialog dhe pa e prezantuar platformën në Kuvend.

“Avdullah Hoti mund të shkojë dhe bisedojë në Washington edhe me presidentin D. Trump, me z. Richard Grenell dhe këdo tjetër, por në asnjë mënyrë nuk mund të nënshkruajë ndonjë projekt-marrëveshje me palën serbe pa e zgjedhur dhe formuar ekipin legjitim për dialog me Serbinë me pëlqim të Kuvendit të Kosovës, por as pa e prezantuar Platformën e bisedimeve për diskutim dhe miratim në Kuvend dhe tek pastaj mund ta udhëheq delegacionin (ekipin) profesional të Kosovës në bisedime me Serbinë”, ka shtuar ai.

Elezaj thotë se me Kushtetutë kryeministri udhëheq dialogun e jo siç ka ndodhur deri tash që e ka udhëhequr presidenti Thaçi, për të cilin thotë se do të duhej të jepte dorëheqje menjëherë pas aktakuzës nga Gjykata Speciale.

“Është qartë se sipas Kushtetutës së vendit tonë, është qeveria ajo e cila i përgatit dhe udhëheq çfarëdo dialogu me vendet tjera, gjegjësisht në krye të çdo lloj bisedimesh qëndron kryeministri, e jo siç ka ndodhur mbrapsht deri më tash në 7-8 vitet e kaluara, që bisedimet me Serbinë t’i udhëheq presidenti i vendit, H. Thaçi, dhe kjo praktikë antikushtetuese duhet të merr fund njëherë e mirë, pa marrë parasysh se çfarë i ndodhë presidentit të Kosovës, sikur që i ka ndodhur H. Thaçit, ndaj të cilit Prokurori special i Gjykatës së Hagës e ka bërë publik njoftimin se ndaj tij GJS me 26 Prill ka ngritur aktakuzë për “krime kundër njerëzimit”, dhe, i cili natyrisht do duhej menjëherë të jepte dorëheqje nga posti i presidentit”, ka deklaruar Elezaj.

Më tej, ai thotë se presidenti mund ta ketë vetëm rolin e këshillë-dhënësit në çfarëdo bisedimesh me shtetet e huaja, duke shtuar se Kosova është e hendikepuar të udhëheq çfarëdo bisedimeve me Serbinë për shkak të gjendjes së brishtë shtetërore.

“Me një fjalë, presidenti i Kosovës sipas normave të Kushtetutës sonë mund ta ketë vetëm rolin e këshillë-dhënësit në çfarëdo bisedimesh me shtetet e huaja, por në asnjë mënyrë nuk ka të drejt të jetë pjesë e ekipit negociator, dhe jo se jo t’i udhëheq bisedimet. Mbase në rastin konkret që i ka ndodhur Hashim Thaçit, ai në asnjë mënyrë të mundshme nuk ka të drejtë ta lëshojë Kosovën pa dijeninë e Gjykatës speciale, e lëre më të ketë takime zyrtare me ndonjë udhëheqës evropian dhe botëror, ngase njoftimi publik i dhënë nga GJS, se ndaj tij është ngritur aktakuzë e rëndë, moralisht dhe ligjërisht ia pamundëson atij të ketë takime në nivel ndërkombëtar, si dhe të flas në emër të Kosovës, derisa të sqarohet aktakuza ndaj tij, është apo nuk është fajtor për ato vepra me të cilat e ka ngarkuar Gjykata speciale. Shikuar realisht Kosova aktualisht gjendet në një situatë tejet të brishtë shtetërore, me gjysmë legjitimiteti qeverisës, andaj si e tillë ajo është e hendikepuar të udhëheq çfarëdo bisedimeve me Serbinë, të cilat mbase është iluzore të pritet se do fillojnë para zgjedhjeve presidenciale në Amerikë...!?”, ka përfunduar Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat