VV në mbrojtje, LDK heshtë për sulmin ndaj Vjosa Osmanit - Bota Sot
VV në mbrojtje, LDK heshtë për sulmin ndaj Vjosa Osmanit

Politika

VV në mbrojtje, LDK heshtë për sulmin ndaj Vjosa Osmanit

Nga: G.B Më: 11 korrik 2020 Në ora: 09:02
Kuvendi i Kosovës

Mbrëmë seanca e Kuvendit ka dalë jashtë kontrollit dhe është dashur të ndërpritet.

Kjo, për shkak se deputeti i LDK-së, Xhavit Ukaj, i është vërsulur kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, shkruan Bota sot.

Situata filloi kur po diskutohej për rishikimin e buxhetit, ku deputetja e PDK-së Ganimete Musliu gjatë fjalës së saj u përplas me deputeten e Vetëvendosjes Fitore Pacollin.

Më pas, derisa fliste deputetja Musliu, deputeti Ukaj, iu afrua në foltore kryeparlementares Osmani.

Menjëherë pas veprimit të tij është ndërprerë seanca e Kuvendit të Kosovës.

“Ndërpritet seanca për shkak të paedukatës së një deputeti”, ka deklaruar Vjosa Osmani.

E këtë deputeti Ukaj nuk e ka quajtur incident, pro reagim pasi Osmani ia bëri me gisht.

“Nuk ka qenë incident, diçka unë reagove pse po e lejon atë të LVV-së me ja dhënë fjalën edhe me ofendu zv kryeministrin, ajo më bëri me gisht me tha ulu, ajo është tash përkrah VV-së. Nuk e kam mërit me ma bo me gisht, nuk duhet me ja bo deputetit me gisht. Ajo dihet qëndrimi i asaj, çdo gjë kundër LDK-së”, ka thënë Ukaj.

Ndërsa, kryetarja Osmani, përmes një njoftimi në Facebook tha se ka hapur rast në polici ndaj deputetit dhe se seanca vazhdon të hënën.

"Ndaj deputetit që më ka kërcënuar fizikisht dhe me gjuhë banale të paprecedent për një institucion si Kuvendi, kam hapur rast në polici. Shpresoj që organet e rendit të merren sa më shpejt me këtë rast, ndërkaq ne i kthehemi punës së Kuvendit të hënën në orën 14:00, sipas vendimit të Kryesisë së Kuvendit. Ka tema të rëndësishme me të cilat duhet të merremi, siç është menaxhimi i pandemisë dhe nuk lejoj asnjë person të papërgjegjshëm të më pengojë në kryerjen e detyrës zyrtare në përputhje me rregulloren e Kuvendit", shkroi Osmani në Facebook.

E gjatë incidentit që ndodhi, ishin deputetë të VV-së që ndërhynë, derisa vëmendje mori dhe u kritikua ministrja Hykmete Bajrami, e cila injoroi gjithë situatën dhe nuk e ktheu as kokën për të shikuar se çfarë po ndodhë.

Pas përfundimit të seancës pati reagime të shumta në mbrojtje të Vjosa Osmanit, nga deputetë të VV-së e shoqëria civile.

Mirëpo, nga partia e saj reagoi vetëm deputeti Haxhi Avdyli, i cili i doli në mbrojtje asaj.

"Kur argumenti i shprehjes mungon, e dija për debat është e mangët, ateherë qyqarllëku muskulor tregohet me gra. Dhe atë jo vetëm ndaj një grua por kryetare e Kuvendit. Ah ku je katandisë LDK-ja ime. Përjashtimi i këtij kolegu që njihet për këso sjellje me persona të dobët është pak, ose po bëjmë Kuvendin Teksasin e shekullit 19", ka shkruar Avdyli në Facebook.

Ndërsa, nga zyrtarët e tjerë të LDK-së ende nuk ka pasur asnjë reagim lidhur me gjithë atë që ka ndodhur mbrëmë në Kuvend.

Ata ende vazhdojnë të heshtin për rastin.

Kujtojmë që Osmani së fundmi është përjashtuar nga LDK si nënkryetare e partisë dhe anëtare e këshillit të përgjithshëm.

Ajo vazhdon të jetë kryetare e Kuvendit./BS/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat