E zbulon profesor Bytyçi: Gjendja e jashtëzakonshme është iniciuar nga Hashim Thaçi

Politika

E zbulon profesor Bytyçi: Gjendja e jashtëzakonshme është iniciuar nga Hashim Thaçi

Nga: B.F Më: 11 korrik 2020 Në ora: 13:59
Enver Bytyçi

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka paralajmëruar të shtunën shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Hoti ka mbajtur një videokonferencë me kryetarët e komunave, ndërsa i “ka njoftuar ata se me këtë trend të të prekurve me COVID-19, duhet të konsiderohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme”. Është neni 131 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës që e rregullon çështjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Në këtë nen shkruan se “Presidenti i Republikës mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme, kur: ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes; ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike; ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij”. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në mes të marsit kishte përmendur propozimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Me propozimin e tij nuk ishte pajtuar Qeveria Kurti. Ishte kohë kur në Kosovë ishin vetëm 19 raste me koronavirus. Tani çdo ditë po konfirmohen mbi 200 raste të reja .

E lidhur, me ketë profesori Enver Bytyçi, ka thënë se Kosova ka tejkaluar çdo parashikim në përkeqësimin e situatës me Covid -19.

 “Zoti Hoti ka kërkuar që për shkak të pandemisë të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Por shoh se ka një lloj konflikti politik brenda LDK-së edhe sa i përket kësaj çështje. Në fakt Kosova ka tejkaluar çdo parashikim në përkeqësimin e situatës me COVID-19. Nuk pritej që në një ditë të kishte 7- viktima dhe 100 e mbi 200 të infektuar. Kryetarja e Parlamentit paraqiti një ligj për miratim për ta përballuar situatën e krijuar nga virusi, por partitë e koalicionit qeverisës e hodhën poshtë atë, në vend që ta amendementonin e ta miratonin” është shprehur Bytyçi .

 Sipas tij, kur Kosova i kishte një të dhjetën e këtyre rasteve, zoti Hoti i kritikoi masat e qeverisë së mëparshme për mbyllje dhe karantinim.

 “Gjykata Kushtetuese i quajti ato masa jo kushtetuese, ndërkohë që asnjë kushtetutë në asnjë vend nuk ka parashikuar saktësisht se si duhet vepruar në raste të tilla. Megjithatë kryeministri i Kosovës është në të drejtën e vet që të kërkojë marrjen e masave edhe përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme,” ka vlerësuar Bytyçi.

 Por sipas profesorit ka një problem sepse Gjendjen e jashtëzakonshme e propozon presidenti i Republikës dhe e miraton Kuvendi i Kosovës.

 “Në këtë rast do të ishte presidenti ai që merr kompetenca ekzekutive. Në situatën në të cilën ndodhet presidenti, kur ai pasnesër niset për në Hagë, kur ka një akuzë ndaj tij, kur presidentin e Kosovës nuk e pranojnë pas kësaj akuze partnerët ndërkombëtarë, a është në të mirën e Kosovës që kompetencat ekzekutive të kalojnë nga qeveria te presidenti?! Unë besoj se kjo nuk është në dobi të luftës kundër koronavirusit”, është shprehur Bytyçi.

Tutje ai shton se kërkesa e zotit Hoti për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme është iniciuar nga Hashim Thaçi.

 “Madje besoj se kërkesa e zotit Hoti për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme është iniciuar në prapaskenë nga Hashim Thaçi, me qëllim që të gjejë mundësi dhe hapësirë që ta forcojë pozitën e tij politike, në kushtet e izolimit dhe pamundësisë për ta bërë këtë në rrugë e mënyra të tjera. Ndërkaq gjendja e jashtëzakonshme do të dëmtonte rëndë ekonominë e Kosovës dhe biznesin, do të krijonte hapësirë për rritjen e papunësisë, stresit dhe përkeqësimin e situatës sociale e psikologjike”, shton ai.

 Në këto kushte, profesori beson se ka mënyra tjera më të buta për ta përballuar situatën e krijuar.

 “Së pari ka mundësi që qeveria të jetë më aktive, të bëjë prognoza më të sakta e më të mira me qëllim që të shtojë masat parandaluese. Së dyti është e mundur që qeveria të marrë disa masa ligjore, të cilat i mbrojnë qytetarët nga infektimi me COVID-19. Iniciativa ligjore e qeverisë dhe dërgimi nga ana e saj i një drafti ligjor në Kuvend për të forcuar masat, ndoshta është rruga më e mirë. Nuk u bë kjo me iniciativën ligjore të kryetares së parlamentit, që ajo të mos merrte kredite politike, le ta bëjë vetë qeveria një draft-ligj dhe ta çojë në parlament. Situata e jashtëzakonshme, mendoj se nuk e ndryshon situatën, thjesht forcon pozitat e pozicionin e presidentit të vendit. Kosova nuk ka luksin për aventura si kjo”, ka deklaruar Bytyçi për “Bota sot”.

 

 

 

 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat