Video-takimi i sotëm me Hotin, “Washington Post”: Vuçiq nuk e do dialogun nëse i kërkohet kjo gjë

Politika

Video-takimi i sotëm me Hotin, “Washington Post”: Vuçiq nuk e do dialogun nëse i kërkohet kjo gjë

Nga: A.Zh Më: 12 korrik 2020 Në ora: 19:52
Avdullah Hoti, Aleksandar Vuçiq

Video-takimi i sotëm i zhvilluar mes kryeministrit të Kosovës Avdullah Hotit dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e shefit të Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell, ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave amerikane.

Washington Post” shkruan se gjatë takimit, Hoti dhe Vuçiq, kanë mbrojtur pozicionet e tyre.

Vuçiq, siç raporton media amerikane, ka thënë se procesi i mbështetur nga BE-ja do të jetë "i pakuptimtë" nëse ata kërkojnë që Beogradi duhet të njohë pavarësinë e Kosovës, derisa Hoti ka thënë se "njohja e ndërsjellë midis dy vendeve është mënyra e vetme për të normalizuar marrëdhëniet", përcjell Bota sot.

Media shkruan se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është e vetmja mënyrë që të dyja vendet të kërkojnë futjen në BE.

“Washington Post” nuk lë pa përmendur as presidentin Hashim Thaçi, për të cilin shkruan se nesër do të merret në pyetje nga Haga.

“Gykatësi paraprak nuk ka vendosur ende nëse do të procedojë me akuzën apo ta hedhë poshtë atë”, ka shkruar media, përcjell Bota sot.

Shkrimi i plotë:

Liderët e Serbisë dhe Kosovës bien dakord për agjendën për bisedimet e Brukselit

Bashkimi Evropian ka lavdëruar liderët e Serbisë dhe Kosovës, që vendosen të dielën për të vazhduar bisedimet e ngecura gjatë për normalizimin e marrëdhënieve të tensionuara mes tyre dhe për vendosjen e një takimi ballë për ballë në Bruksel më vonë gjatë javës së ardhshme.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti zhvilluan një video-bisedë të ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, që synonte ringjalljen e procesit të dialogut Beograd-Prishtinë, i cili ishte i ngrirë që nga nëntori i 2018-ës.

“Ne u pajtuam për elementet kryesore të procesit. Ne gjithashtu u pajtuam për agjendën e takimit tonë të radhës që do të zhvillohet këtë të enjte, në Bruksel, personalisht. Unë dua të falënderoj partnerët tanë për angazhimin e tyre konstruktiv sot", tha i dërguari i posaçëm i BE-së Mirosllav Lajçak, i cili gjithashtu mori pjesë në takim.

Kosova shpalli njëanshmërisht pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, rreth një dekadë pasi Beogradi dërgoi trupa në territorin e saj të mëparshëm për të shtypur një kryengritje nga separatistët etnikë shqiptarë. Serbia nuk pranon të njohë shtetësinë e Kosovës dhe tensionet janë në rritje qysh atëherë.

Në bisedimet e së premtes, Vuçiq dhe Hoti u mbajtën të vendosur në pozicionet e tyre. Vuçiq tha që procesi i mbështetur nga BE-ja do të jetë "i pakuptimtë" nëse ata përqendrohen në atë se Beogradi duhet të njohë pavarësinë e Kosovës; Hoti tha se "njohja e ndërsjellë midis dy vendeve është mënyra e vetme për të normalizuar marrëdhëniet".

Hoti të dielën riafirmoi qëndrimin e Kosovës se bisedimet duhet të përfundojnë në njohje të ndërsjellë.

Bisedimet, për të cilat thonë zyrtarët e BE-së, janë mënyra e vetme që Kosova ose Serbia mund të kërkojnë të hyjnë në bllok, filluan në mars 2011 dhe kanë prodhuar rreth 30 marrëveshje, por shumica nuk janë zbatuar.

Përpara takimit të së dielës, Borrell tha se arritja e një marrëveshjeje për normalizimin e lidhjeve "është thelbësore për një të ardhme më të mirë për popullin e Kosovës dhe Serbisë”.

“Është thelbësore për perspektivën e tyre evropiane dhe për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Këto bisedime do të kërkojnë guxim politik nga të dy palët. Do të kërkojnë angazhim, në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit", tha ai. "Nuk është një proces i lehtë, nuk ka qenë kurrë, por ka urgjencë të punohet drejt paqes dhe prosperitetit për hir të një të ardhme të përbashkët”, shtoi Borrell.

Një takim i Shtëpisë së Bardhë muajin e kaluar midis dy palëve me të dërguarin e posaçëm amerikan Richard Grenell dështoi,pasi u lëshua një aktakuzë për krime lufte për Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Thaçi shkon të hënën në Hagë për t'u marrë në pyetje, megjithëse gjykatësi paraprak nuk ka vendosur ende nëse do të procedojë me akuzën apo ta hedhë poshtë atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat