Sa do të zgjasë intervistimi i Thaçit nga Specialja? Juristi jep parashikimin, tregon edhe kur mund të konfirmohet aktakuza

Politika

Sa do të zgjasë intervistimi i Thaçit nga Specialja? Juristi jep parashikimin, tregon edhe kur mund të konfirmohet aktakuza

Nga: N. H Më: 15 korrik 2020 Në ora: 22:23
Hashim Thaçi

Në Zyrën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë, për të tretën ditë me radhë, u intervistua presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas intervistimit, që zgjati gjashtë orë, Thaçi nuk u prononcua për media. Intervistimi i Thaçit mësohet se do të vazhdojë edhe gjatë ditës së enjtes.

E, për të folur për këtë çështje, “Bota sot”, ka kontaktuar njohësin e çështjeve juridike në vend.

Juristi, Blerim Burjani, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se Gjykata Speciale nuk ka një metodologji të punës, dhe se kjo gjykatë është hibride, pa rregulla të sakta të punës.

Ai shprehet se për shkak se është e tillë, intervistimi i presidentit Thaçi, mund të vazhdojë edhe më ditë e muaj të tërë nëse është e nevojshme.

Image
Blerim Burjani

“Së pari kjo është çështje e prokurorisë speciale, kjo gjykatë nuk ka metodologji të saktë për intervistim, është gjykatë hibride, pra një gjykatë e cila nuk ka rregulla procedurale plotësisht të qarta dhe të sakta dhe rregullore të përpunuara, kjo është e qëllimshme, këto gjykata janë të tipit gjysmë politik dhe gjysmë ushtarak, veprojnë sipas nevojave që kanë. Nëse kanë nevojë ata mund të vazhdojnë me ditë dhe një muaj, por mund ta lirojnë edhe menjëherë nga intervistimi, pra nuk ka rregulla strikte, precize të veprimit dhe të përgjegjësisë”, ka thënë Burjani.

Burjani thekson se është në interesin e presidentit të Kosovës, që sa më shumë të ketë zvarritje përmes intervistimeve.

“Ligji për gjykatën parasheh Ombudspersoni që e vlerëson të drejtat e njeriut dhe të është e lidhur me gjykatën e këshillit të Evropës, pra mund të ketë intervenim të Ombudspersonit që është ndërkombëtare, por figuron në ligjin për gjykata. Është jetike për presidentin këto intervistime, sa më shumë që do të ketë zvarritje dhe përmes intervistimeve është në favor të Thaçit si president dhe si person i dyshuar për vepra penale, nëse përfundon pa rezultat intervistimi atëherë do të hedhet poshtë komplet aktakuza, gjasat janë të hedhet poshtë edhe pse prokuroria jo formalisht ka bërë një version të aktakuzës”, ka thënë ai.

Kurse, krejt në fund, juristi nënvizon se këto intervistime do të vendosin edhe përfundimisht për aktakuzën e ngritur javë më parë, pra për të konfirmuar apo për të hedhur poshtë.

“Intervistimet do të vendosin ose lirimin nga aktakuza ose konfirmimin e aktakuzës, tash duhet pritur, brenda këtyre dy muajve të ardhshme e më së largu deri në tetor do të dihet për fatin e kësaj aktakuze ndaj Thaçit dhe Veselit”, ka thënë në fund, juristi, Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat