Cilat janë pasojat nga intervista e Thaçit në Hagë, kush e ka radhën tani? - Bota Sot
Cilat janë pasojat nga intervista e Thaçit në Hagë, kush e ka radhën tani?

Politika

Cilat janë pasojat nga intervista e Thaçit në Hagë, kush e ka radhën tani?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 19 korrik 2020 Në ora: 08:27
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është intervistuar katër ditë radhazi nga prokurorët në objektin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Gjatë këtyre ditëve, falët e Thaçit për mediat ishin të pakta, por me mesazh të qartë.

Ai ka deklaruar se askush nuk mund të rishkruaj historinë dhe se beson në drejtësi.

“Sot jam këtu në respekt të ëndrrës time dhe për atë që kam luftuar, një Kosovë të lirë dhe të pavarur, bazuar në të drejta të barabarta dhe në sundimin e ligjit. Jam gati të përballem me sfidat e reja dhe të fitoj, për djalin tim, për familjen time dhe për vendin tim. Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi i lirisë. Unë besoj në paqe, në të vërtetën dhe në drejtësi. Unë besoj në dialog dhe në marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Kosova është një histori suksesi dhe unë jam shumë krenar. Destinacioni i Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian, NATO dhe marrëdhëniet e mira me SHBA”, ka deklaruar Thaçi para mediave në Hagë.

Ndërkaq, të premten Thaçi është kthyer në Kosovë, përmes pikës kufitare në Morinë. Për kundër që kishin dal në pritje simpatizantët e tij, por ai nuk ka komentuar asgjë rreth asaj se çfarë ka ndodhur në Hagë.

Smaka: Tani Thaçi nuk mund të quhet i akuzuar, por i pandehur

Profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Riza Smaka, në një prononcim për “Bota sot”, ka shpjeguar se janë dy mënyra se si vepron mbrojtja para Gjykatës Speciale.

Image
Riza Smaka

“Mbrojtja e Presidentit të RK-së z. Thaçit, para Gjykatës Speciale në Hagë (Kolegjit Prokurorial përkatësisht Gjyqësor të Specializuar) ka mund të bëhej me përgjigje në pyetje investigative sikundër edhe me heshtje. Nga këtu e jashtë procesit penal, vështirë se do të ishte më mirë për tu mbrojtur duke u përgjigjur ne pyetje investigative apo duke heshtur!”, ka thënë Smaka për “Bota sot”.

Po ashtu, profesori ka shtuar se presidenti Thaçi nuk mund të quhet i akuzuar deri sa akuza të merr formën e prerë.

“Unë gjithsesi e preferoj mbrojtjen proaktive, konstruktive, objektive, racionale dhe të sinqertë të të pandehurit fillimisht e rrjedhimisht të të akuzuarit. Tani z. Thaçi nuk mund të quhet i akuzuar, por i pandehur së pak jo deri (nëse) sa aktakuza do të merrte formën e prerë!”, ka potencuar Smaka për “Bota sot”.

Mehmeti: Intervista e Thaçit, pritet të pasohet me të ftuar të tjerë

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politik, Faton Mehmeti, në një bashkëbisedim është shprehur se ende nuk dihet se çfarë ka deklaruar presidenti i Kosovës në Hagë.

Image
Faton Mehmeti

“Ende nuk dihet se çfarë ka deklaruar Thaçi në Hagë, mirëpo duhet theksuar se Thaçi është përpjekur me të gjitha mënyrat për të mbrojtur veten. Presidenti  duket se ka aktakuza të rënda, pasi që është pyetur për katër ditë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka shtuar se pritet në ditët në vazhdim të shihet se çfarë ka prodhuar intervista e Thaçit.

“Pritet në ditët në vazhdim të shihet se çfarë ka prodhuar intervista e Thaçit, e cila pritet të pasohet me të ftuar të tjerë”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat