A mund të ketë destabilizim politik nëse konfirmohet aktakuza ndaj Thaçit? Flet raportuesja për Kosovën në PE

Politika

A mund të ketë destabilizim politik nëse konfirmohet aktakuza ndaj Thaçit? Flet raportuesja për Kosovën në PE

Nga: Arbnore Zhushi Më: 24 korrik 2020 Në ora: 21:22
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka folur edhe një herë për vizitën e saj më 17 korrik në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ajo është akuzuar nga zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe këshilltarë të presidentit Hashim Thaçi, për “ndërhyrje” në punën e Gjykatës.

Por, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, von Cramon, ka thënë se ajo e kishte planifikuar këtë udhëtim kohë më parë, por ishte shtyrë për shkak të pandemisë.

Europarlamentarja ka thënë se duhet pyetur anëtarët e PDK-së dhe këshilltarët e Thaçit se si një deputete e parlamentit mund të ndikojë në punën e Gjykatës.

Von Cramon ka thënë se nuk ajo sinqerisht nuk i kupton ata.

“Ju duhet t'i pyesni ata për këtë. Është një pjesë e rëndësishme e punës sime të di se si funksionojnë institucionet. Unë bëra atë që shumë politikanë kanë bërë më parë. Unë e kam planifikuar këtë udhëtim për një kohë të gjatë, por natyrisht, për shkak të pandemisë nuk kam pasur shans për të udhëtuar më parë. Dhe nëse flisni me ata, të cilët thanë se unë jam duke ndërhyrë, ju gjithashtu mund t’i pyesni se si saktësisht një deputet i parlamentit mund të ketë ndikim në punën e Gjykatës, sepse unë sinqerisht as nuk e kuptoj se çfarë mendojnë ata. Si do t'u tregoja atyre cilat pyetje duhet të bëjë Prokurori?”, ka deklaruar gjermanja për “Bota sot”.

E pyetur nëse mund të ketë destabilizim të situatës politike në vend, në rast se Prokurori konfirmon aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj presidentit Thaçi, von Cramon ka thënë se këtë do ta tregojë vetëm e ardhmja.

Sipas saj, mbetet në dorën e presidentit se si do të veprojë.

“Vetëm e ardhmja do të tregojë se cili do të jetë vendimi, dhe i takon Presidentit Thaçi si do të reagojë”, ka thënë raportuesja për Kosovën në PE.

(Intervistën e plotë me von Cramon, mund ta lexoni nesër në versionin online në gazetën “Bota sot”)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat