Thirrjet e Haradinajt e Limajt drejtuar PDK-së për hyrje në Qeveri, deklarohen nga Vetëvendosje

Politika

Thirrjet e Haradinajt e Limajt drejtuar PDK-së për hyrje në Qeveri, deklarohen nga Vetëvendosje

Nga: A.Zh Më: 27 korrik 2020 Në ora: 13:42
Kurti, Limaj, Veseli dhe Haradinaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, i kanë bërë thirrje publike Partisë Demokratike të Kosovës, që të hyjë në koalicionin qeverisës.

Thirrjeve të Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt, nuk u janë përgjigjur ende zyrtarisht nga partia e Kadri Veselit.

Por, në Lëvizjen Vetëvendosje, bashkangjitjen eventuale të PDK-së në Qeveri, e shohin si dëshmi se ata kanë qenë së bashku gjatë gjithë kohës, por vetëm etapat e bashkimit i kanë pasur të ndryshme.

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, zëdhënësi për media në LVV Përparim Kryeziu, ka konfirmuar se Vetëvendosje, nuk do të jetë pjesë e qeverisë e cila nuk buron nga vullneti i qytetarëve.

Image
Përparim Kryeziu

“Lëvizja Vetëvendosje! nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie, e cila nuk buron nga vullneti i qytetarëve, e aq më pak e një të atillë, e cila është rezultat i një deformimi të hapur të vullnetit të tyre. Bashkangjitja eventuale e PDK-së në koalicionin qeverisës, është dëshmi se ata kanë qenë së bashku e të bashkuar gjatë gjithë kohës, por vetëm etapat e bashkimit i kanë pasur të ndryshme”, ka thënë Kryeziu.

Sipas tij, hyrja e PDK-së në Qeveri, dëshmon që “klubi i stërvjetëruar politik”, janë në gjendje të kundërshtojnë vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e tetorit.

“Është po ashtu dëshmi se të gjitha subjektet që tashmë i takojnë klubit të stërvjetëruar politik, për interesat e tyre janë në gjendje t'i kundërvihen vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e fundit”, është shprehur më tej zëdhënësi i VV-së.

Ai ka theksuar se Kosovës i duhen zgjedhje të reja dhe qeveri e re, me legjitimitet popullor.

“Vendi ka nevojë për zgjedhje të reja, dhe qeveri të re, e cila është derivat i vullnetit të qytetarëve dhe gëzon legjitimitet të plotë përball nevojave dhe sfidave të Republikës”, ka deklaruar Përparim Kryeziu për “Bota sot”./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat