“Goditjet e vazhdueshme”, arsyet pse VV, AAK dhe Lutfi Haziri po e sulmojnë Avdullah Hotin - Bota Sot
“Goditjet e vazhdueshme”, arsyet pse VV, AAK dhe Lutfi Haziri po e sulmojnë Avdullah Hotin

Politika

“Goditjet e vazhdueshme”, arsyet pse VV, AAK dhe Lutfi Haziri po e sulmojnë Avdullah Hotin

Nga: P.R Më: 29 korrik 2020 Në ora: 20:36
Avdullah Hoti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti po përballet me sulme të vazhdueshme nga opozita në Kosovë, e cila përbëhet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Por, përveç këtyre dy partive, Hoti është përballur edhe me dy sulme befasuese, njëri nga partneri i koalicionit, AAK, dhe nga brenda LDK-së, sidomos nga nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri.

AAK-ja përmes Ministres së Jashtme, Meliza Haradinaj ka drejtuar akuza ndaj Hotit lidhur me dialogun me Serbinë.

“Si partner koalicioni besoj që kjo nuk është një praktikë e cila duhet të ndiqet, sepse ne kemi punuar me transparencë të plotë me partnerët e koalicionit dhe duhet të vazhdojë një bashkëpunim i ngushtë me transparencë në këtë temë. Siç është paraparë platforma e zhvillimit të dialogut, duhet të zhvillohet ashtu siç jemi dakorduar si partnerë. Por kjo nuk po ndodhë fatkeqësisht – dhe emërimi i Koordinatorit [Skender Hyseni], është i panevojshëm. Qeveria e ka një udhëheqës të dialogut që e përcakton Kushtetuta dhe ai është Kryeministri Hoti, dhe nuk e shohim të arsyeshme të bëhet një koordinator për çështje të tjera teknike”, tha Haradinaj në një intervistë të saj.

Po ashtu, vendimin e qeverisë Hoti për testin negativ për hyrje nga kufiri me Shqipërinë, pjesë e secilës është edhe vet, Haradinaj e kishte quajtur absurde.

“Propozimet për shtim të masave duke kërkuar testin negativ për hyrje nga kufiri me Shqipërinë, janë absurde, thënë më së paku. Është një numër i madh i qytetarëve tanë që veçse janë në Shqipëri, dhe në mungesë të testeve, është krejt absurde të vetëizolohen rreth 100,000 qytetarë, pa asnjë bazë. Logjika e izolimit total kufitar, ka sjellur vetëm dëme, sidomos për ata që kanë nevojë për trajtim shëndetësor jashtë Kosovës! Unë do të votoj KUNDËR këtij propozimi”, ka shkruar Ministrja Haradinaj.

Kurse, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë qeveria e Avdullah Hotit nuk ka koordinim me kryetarët e komunave, dhe situata me Covid-19 është jashtë kontrollit.

“Situata po del në padëgjueshmëri qytetare, në mënyrën qysh po menaxhohet. Nëse nuk marrin vendime në koordinim me kryetarët e Komunave, le ta dinë se unë si kryetar i Komunës nuk i ndahem qytetarëve të mi. Unë në ora 21:05 dalë e festoj në Gjilan ose marr pjesë në funerale sepse na kanë dhanë detyra pa kapacitete”, ka thënë Haziri teksa ka shtuar se nuk është kryetar që të numërojë kufoma por të evitojë ato.

Gjithashtu, Haziri kishte deklaruar qysh në fillim, se nuk i beson Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Por pse po ndodhin këto sulme ndaj kryeministrit Hoti, dhe pse pikërisht nga bashkëpunëtorët e tij?

Lidhur me këto, për gazetën “Bota Sot” ka folur analisti politik, Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

 

“Qysh në fillim është ditur se kjo qeveri nuk e ka jetën e gjatë, në zhargonin mjekësor do quhej lindje e foshnjës të vdekur. Të gjithë që e sulmoj ë qeverinë Hoti kanë arsyet e tyre: Luta, me arsyen që nuk mori ai postin e kryeministrit, VV se iu mori pushtetin nga duart dhe AAK për mungesë të të qenurit protagonist në qeveri”, thotë Mehmeti për “Bota Sot”.

Sipas tij, qeveria Hoti ka mbijetuar vetëm falë pandemisë Covid-19.

“Në këtë sens kjo qeveri e ka të vështirë mbijetesën, fal Covidi 19 se kjo qeveri do ishte rrëzuar shpejt nga qytetarët. Duhet theksuar se kjo qeveri vepron pa tru, thjeshtë i ka humb udha në oborr. Nuk besoj se dimri do e zë Kosovën me këtë qeveri, e cila dorën në zemër ka dështuar totalisht”, thekson analisti Mehmeti.

Për fund, ai thotë pa VV dhe PDK nuk ka qeveri stabile në Kosovë.

“Ka shumë mundësi që PDK të përfshihet në koalicion, të gjitha tentativat janë të vij LDK-PDK përsëri në pushtet. Ndryshe vendi shkon në zgjedhje, pa VV dhe PDK nuk ka qeveri stabile”, përfundon Mehmeti për “Bota Sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat