Finalja e madhe Kosovë-Serbi, dalin parashikimet se çka mund të përmbajë dhe kur do të arrihet ajo

Politika

Finalja e madhe Kosovë-Serbi, dalin parashikimet se çka mund të përmbajë dhe kur do të arrihet ajo

Nga: P.R Më: 31 korrik 2020 Në ora: 19:49
Takimi Hoti-Vuçiq

Pas 20 muajsh ndërprerje, në Bruksel ka rifilluar dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka përsëritur se dialogu është duke u bërë në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe së një marrëveshje përfundimtare do të bëhet vetëm me njohje reciproke.

“Ka dialog vetëm për marrëveshje finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, ka thënë kryeministri Hoti.

Por kur mund të arrihet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë, dhe çfarë do të përmbajë ajo?

E lidhur me zhvillimet në dialogun mes dy shteteve, për gazetën “Bota Sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Tashmë ka ardhur momenti që diskursi dhe shqetësimi i shqiptarëve e sidomos shtetarëve të jetë se si do të jetë fundi i këtij procesi. Unë parashikoj një dy përfundime: Njëra lidhet me vetë projektin dhe mundësinë që Beogradi e Prishtina ta pranojnë atë. Tjetra lidhet me refuzimin e projektit dhe më pas pala që refuzon do të vihet nën presionin euro-amerikan”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

 

Sipas tij, pranvera e ardhshme mund të jetë koha kur do të nënshkruhet marrëveshja finale mes dy shteteve.

“Kam përshtypjen se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke të të dy shteteve do të përfundojë nga fundi i pranverës së ardhshme, nëse procesi nuk do të ndalonte më për shkak të ndonjë krize të thellë politike në Kosovë ose në Serbi. Vazhdimi normal i dialogut do ta përmbyllë procesin e vet së paku në pranverën e ardhshme edhe për një arsye: Ky proces është kryesisht atribut i Angela Merkel dhe ajo do të donte që të kishte si medalje të saj në përfundim të karrierës një trofe politike. Nuk besoj se ajo ka ambicie të sëmurë për këtë. Por është normale që një proces i nisur prej saj të përfundojë para kohës së mbylljes së karrierës së saj”, thekson profesor Bytyçi për “Bota Sot”.

“Megjithatë duhet thënë se kushtet e rrethanat kanë ndryshuar. Pandemia e Covid-19 është një faktor serioz pengues. Mundet që në dialog të interferojnë përsëri forca dhe grupime, të cilat nuk e duan një zgjidhje të ndryshme nga ajo që ofroi Aleksandër Vuçiç, Hashim Thaçi dhe Edi Rama përmes ndryshimit të kufijve. Mundet që qeveria e Kosovës të rrëzohet e për pasojë të ketë zgjedhje të reja, të cilat do të ndikonin në zgjatjen e procesit. Pra, asgjë nuk është e sigurt. Por ekziston edhe një mundësi që një projekt me njohje të Kosovës bazuar në kërkesat për stabilitet në Kosovë e në rajon të refuzohet nga Moska dhe Beogradi. Sinjalet janë dhënë tashmë për këtë. Presidenti i Serbisë deklaroi në samitin e fundit virtual se “Nuk mund të vendosë Angela Merkel për rajonin”, duke u shfaqur kështu si tutor i vendeve të tjera dhe duke folur jo vetëm në emër të Serbisë, por edhe të pesë vendeve të tjera, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina”.

Më tej, ai ka treguar edhe se çfarë mund të përmbajë marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ndërsa sa i përket pyetjes se çfarë mund të përmbajë projekt-marrëveshja e re e Brukselit, duhet thënë se kësaj radhe bisedimet kanë kushtëzimet veta në projektin e ardhshëm. Ndryshe nga Frederica Mogherini, shefi i ri i drejtimit të bisedimeve, Miroslav Lajçak, ka një axhendë të re, të ndryshme nga ajo e mëparshmja. Prandaj dhe refuzohet nga ana e Hashim Thaçit, i cili do të donte të vazhdonte “puthjet” me Mogherinin! Por çfarë mund të përmbajë projekti i ri i Lajçak? Mundet të kërkohet rikthimi i idesë së Asosacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Do të jetë meritë e delegacionit të Kosovës që të argumentojë fort e bindshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pse ky asosacion nuk mund të funksionojë me kompetenca ekzekutive. Duhet theksuar me forcë se Kosova nuk është federatë, por shtet i qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë etnike e fetare dhe të jepen prova e shembuj pa fund pozitivë për tolerancën e shqiptarëve dhe urrejtjen e serbëve ndaj shqiptarëve. Duhet theksuar vazhdimisht fakti se nëse serbët i urrejnë shqiptarët, ndërkohë që shqiptarët i mirëpresin ata, kjo nuk është arsye e parashikuar në asnjë dokument ndërkombëtar për krijimin e shteteve të pastra etnike. Edhe baskët i urrejnë spanjollët, por sa kohë që spanjollët ruajnë qetësinë e tolerancën, baskët nuk mund ta fitojnë të drejtën e shtetësisë. Në Kosovë ka ndodhur e kundërta. Shqiptarët u organizuan dhe vepruan me mosviolencë, ndërkohë që serbët u sollën mizorisht kundër tyre dhe për këtë shkak sot Kosova është e pavarur”, shprehet për “Bota Sot” profesor, Enver Bytyçi.

Bytyçi thotë se duhet përdorur fort fakti që Beogradi vazhdon të fshehë eshtrat e shqiptarëve të masakruar në Kosovë e të varrosur në Beograd.

“Duhet vënë në dukje dallimi diametralisht i kundërt i sjelljes së serbëve ndaj shqiptarëve dhe i shqiptarëve ndaj serbëve. Duhet argumentuar se edhe nëse ka patur dhunë kundër serbëve nga ana e shqiptarëve kjo ka ndodhur në raste të caktuara, pasi shqiptarët u vranë, u dogjën dhe u masakruan. Duhet përdorur fort fakti që Beogradi vazhdon të fshehë eshtrat e shqiptarëve të masakruar në Kosovë e të varrosur në Beograd. Vuçiqit i duhet kujtuar se serbët kanë vrarë serbë, me qëllim që të fajësojnë shqiptarët për vrasjen e tyre dhe të përmenden provokimet e pafund prej mbarimit të luftës e deri më sot pikërisht në tentativë për të fajësuar shqiptarët për krimet serbe. Pra ka aq shumë duhet.... sa! Por nëse nuk arrihet të mënjanohen plotësisht kompetencat ekzekutive, atëherë duhet mënjanuar me çdo kusht që ky asociacion të shndërrohet në mekanizëm bllokues për institucionet qendrore. Serbët e kanë mekanizmin bllokues me dy të tretat e votave të tyre për ndryshimet kushtetuese. Maksimumi mund të tolerohet mekanizmi i kompetencave të plota në fushën e ekonomisë, kulturës, shëndetësisë. Por jo për kontrollin e territorit dhe planifikimin e tij”, deklaron Bytyçi.

Për fund, profesor Bytyçi thotë se duhet të këmbëngulet që një marrëveshje e tillë të ratifikohet në parlamentin e Kosovës, vetëm pasi të jetë ratifikuar dhe të jetë depozituar në OKB nga ana e Serbisë.

“Projekti evropian do të parashikojë ruajtjen e trashëgimisë kulturore e fetare të Serbisë në Kosovë. Ndoshta do të kërkohet ekstraterrioralitet. Delegacioni i Kosovës i ka mundësitë e plota që t’u provojë evropianëve e kujtdo, se kishat, manastiret dhe objektet e tjera të kulturës fetare serbe kanë qenë historikisht të garantuara. Të kujtojë se edhe 17-18 marsi i vitit 2004 ishte një provokim i qëllimshëm Serbisë për të fajësuar shqiptarët. Duhet menduar se çfarë garancish tjera duhen dhënë për mbrojtjen e këtyre objekteve. Të tjera opsione për kthimin e të pagjeturve ose të serbëve të larguar, janë thjesht retorika me të cilat mund të operohet, por pa efekt. Dhe së fundmi, duhet të këmbëngulet që një marrëveshje e tillë të ratifikohet në parlamentin e Kosovës, vetëm pasi të jetë ratifikuar dhe të jetë depozituar në OKB nga ana e Serbisë dhe vetëm pasi Serbia dhe Këshilli i Sigurimit të kenë vendosur njohjen e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Serbët janë të pabesë, ndërkohë që shqiptarët nuk duhet të sillen me inferioritet. Kaq e thjeshtë është. Balancë, barazi dhe jo diktat! Kosova nuk duhet të ketë frikë nga dështimi i dialogut dhe i marrëveshjes përfundimtare. Edhe kjo është e rëndësishme!”, përfundon për “Bota Sot”, profesor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat