Letër e Ramashenkos për Lukashenkon: “Për ne pushteti është gjithçka, opozita asgjë”!

Politika

Letër e Ramashenkos për Lukashenkon: “Për ne pushteti është gjithçka, opozita asgjë”!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 24 gusht 2020 Në ora: 18:26
Edi Rama dhe Baton Haxhiu

Edi Rama dëshiron, madje me këmbëngulje, të bëhet “ndërmjetës” i zgjidhjes së krizës në Bjellorusi. Ka telefonuar Sergei Lavrovin në Moskë, por nuk ka mundur ose nuk ka dashur të telefonojë kreun e Këshillit të Ministrave të BE-së, ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Heiko Maas. E do këtë mision të tij në Minsk si certifikatë virgjërie për shkeljet e rënda, vjedhjen dhe trafikimin e votave që ai ka bërë në të gjitha zgjedhjet prej vitit 2015 e deri më sot në Shqipëri.Për këtë qëllim i ka shkruar gjithashtu një letër diktatorit bjellorus, Lukashenko.

Po çfarë mund të përmbajë kjë letër e zotit Ramashenko për presidentin e Bjellorusisë, Lukashenko? Do përpiqem ta ofroj këtë letër sa më afër përmbajtjes së saj si më poshtë:

“I dashur miku im, Shkëlqesi president, Lukashenko,

Jam shumë i nderuar dhe priveligjuar nga Ju, sepse më dhatë shansin të shfrytëzoj rastin e zgjedhjeve në vendin tuaj që unë të faktorizohem në sytë e opinionit ndërkombëtar. Sinqerisht ju jam mirënjohës, sepse po mos bënit pjesë edhe në OSBE, unë kurrë nuk do të kisha shansin të merrja një rol të caktuar në Bjellorusi, për të cilin jam i angazhuar maksimalisht. Ju u treguat më i guximshëm se ne. Ndryshe nga ne, ju nuk pranuat të aspironi të bëheni pjesë e BE-së e madje me krenari ikët edhe nga Këshilli i Europës. Sa për NATO-n, atë e konsideroni armik tuajin. Kjo më ka krijuar mundësinë që si kryetar i OSBE-së të bëhem protagonist në zgjidhjen e krizës elektorale në vendin tuaj dhe të shfrytëzoj rastin për një periudhë të re historike në marrëdhëniet tona të ngushta.

Në fakt për mua nuk ka kurrfarë krize elektorale, as politike te Ju. Ju duhet ta dini se unë, kryeministri i Shqipërisë, rastësisht gjithashtu kryetar i OSBE-së, jam i vetmi në Europë që bëj zgjedhje pa opozitë dhe kur ajo merr pjesë në zgjedhje, ia vjedh dhe blej asaj shumicën e votave, që zgjedhësit injorantë të vendit tim ia japin opozitës.Miku im dhe Juaji, Sandri, po ashtu zgjedhjet e fundit i bëri pa opozitën. Po ta përmend Sandrin, sepse ai ka mundësi t’ju telefonojë që Ju të më pranoni si ndërmjetësues të bisedimeve me opozitën e vendit tuaj. Sandri më ka bërë ndërmjetësime për të vizituar Moskën dhe ka ndikuar te presidenti Macron që të më akordojë dekoratën e lartë të legjionit francez! Ndërkaq si ndërmjetësues direkt kam edhe Batonin nga Prishtina, të cilin do ta marr me vete në vizitën time në Minsk. Nëse nuk e njihni Batonin, mund të pyesni Sandrin ose Lavrovin!

Në fakt, edhe pse ju jeni shansi im, mund të them se edhe unë jam shansi juaj. Ku ka më mirë për ju, që zgjidhjen e krizës në vendin tuaj ta marrë përsipër një personalitet me të njëjtat sjellje, me të njëjtin mentalitet dhe model, si edhe ju. Ju duhet ta kuptoni pse para se t’ju shkruaj Ju, kam telefonuar zotin Lavrov. Mund të kisha telefonuar edhe kryesuesin e Këshillit të Ministrave të BE-së, ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas. Por këta gjermanët ma kanë vënë vizën. Madje dhe socialdemokratët, me të cilët jemi aleatë në Internacionalen Socialiste! Mbështetja e vetme për mua tashmë është miku im shumë i çmuar, president i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ministri i mjeshtri i diplomacisë, Sergei Lavrov.

Përmes këtyre dy personaliteteve dua të lidhem dhe me ju. Të jem i sinqertë, unë nuk kam ndërmend të vij në Minsk e të mbështes opozitën në vendin tuaj. Nëse më pranoni, kam shumë dëshirë që të vij të mësoj nga përvoja Juaj në qeverisje, sepse dua të di se si do të mundem të qëndroj dhe unë në pushtet për 26 vite, pavarësisht se, krahasuar me ju, i kam disa pengesa. Tashmë nuk mundem të tërhiqem nga NATO, por mundem të ta pamundësoj anëtarësimin në BE dhe të mundësoj përjashtimin nga Këshilli i Europës. Në atë rrugë jam! Sa i përket NATO-s, jam në pritje që atë ta shkatërrojnë të tjerët dhe kësisoj të mos kem asnjë pengesë për të ndërtuar një marrëdhënie strategjike me ju dhe me zotin Putin!

I dashur zoti Lukashenko,

Unë jam mësuar me ndërmjetësues ndërkombëtarë. Ia kam marrë dorën dhe di si të sillem me ta. Paratë e drogës dhe femrat janë mjeti më i mirë për t’i zbutur ata. Prandaj ua këshilloj dhe ju këtë metodë dhe këto mjete, me qëllim që pas zhurmës së radhës të vijë qetësia për ju, familjen tuaj, shtetin tuaj dhe bashkëpunëtorët tuaj në qeverisje!

Nëse më pranoni si ndërmjetës, ju garantoj se këtë do ta shfrytëzoj thjesht për imazhin tim, ndërkohë që do të kontribuoj si askush tjetër për forcimin e pushtetit tuaj në Bjellorusi. Në fund të fundit të dy ne kemi një të përbashkët të pandryshueshme: Për ne pushteti është gjithçka, opozita asgjë!

Faleminderit!

Në pritje të një përgjigjeje pozitive sa më të shpejtë,

Juaji

Edi Ramashenko

Tiranë, më 24.08.2020

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat