“I lëpiu gjithë fjalët, nuk do zgjidhje prej Amerikës”, akuza të rënda ndaj Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes

Politika

“I lëpiu gjithë fjalët, nuk do zgjidhje prej Amerikës”, akuza të rënda ndaj Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes

Nga: P.R Më: 28 gusht 2020 Në ora: 19:26
Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, para nisjes për në takimin me palën serbe me 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës që të dërgojnë përfaqësuesit e tyre, në mënyrë që edhe opozita të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.

Por që të dyja, Vetëvendosje dhe PDK refuzuan ftesën e Hotit që të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës.

E pas këtij refuzimi, sidomos nga ish kryeministri, Albin Kurti, analisti dhe publicisti Rexhep Shahu drejton akuza të rënda ndaj Kurtit.

Ai e quan atë antiamerikan dhe që është kundër Kosovës.

Image
Rexhep Shahu

“Albin Kurti është kundër amerikaneve. Ai ka qenë gjithmonë kundër amerikanëve, kundër projektit amerikan që është Kosova siç është sot. Albini ka qenë kundër Kosovës siç është sot e lirë dhe e pavarur. Albini që nga dalja prej burgut dhe që nga ushtrimi i veprimtarisë për UÇK në Prishtinë, me Demaçin, legalisht me leje nga pushteti i kohës kur shqiptarët e tjerë vriteshin pse ishin shqiptarë, Albini shfaqi veç një talent, me ba protesta udhëve me tërheqë vëmendje”, thotë Shahu për “Bota sot”.

Sipas tij, Kurti vetëm vëmendje kërkon dhe për vëmendje bën çdo gjë.

“Ai gjithmonë ishte kundër Kosovës siç është sot, veç kur u bë kryeministër i lëpiu gjithë fjalët që kishte lëshuar. Sa u hoq nga kryeministër ai prapë është kundër Kosovës siç është projekt amerikan. Kosova është projekt amerikan se pa Amerikën sot ndoshta ne do të flisnim serbisht, me e shumta, por nuk besoj se do të flisnim fare. Pa Amerikën Serbia do te ishte me Kosovë, liri e pavarësi do të shihnim në ëndrra. Ndaj Kosova është projekt amerikan i shkruar me gjak shqiptarësh”, shton Shahu për “Bota sot”.

Më tej, ai ka kritikuar edhe PDK-në, e cila njëjtë si Vetëvendosje refuzoi që të bëhet pjesë e dialogut.

“Për PDK nuk kam ndonjë mendim pse refuzon pjesëmarrjen në bisedime në delegacion, veç nëse PDK nuk merr pjesë nga ndonjë urdhër inati ndaj Amerikës pse Gjykata Speciale ka thirre Hashimin e Kadriun, po nuk kam ndonjë mendim tjetër për mospjesëmarrjen e PDK”.

“Ndërsa VV nuk merr pjesë sepse nuk pret as nuk don zgjidhje prej Amerikës për çështjen e Kosovës. VV është çete antiamerikane dhe ka veç një të mirë që është hapur e jo fshehtas antiamerikane. Antiamerikanizmin i Albin Kurtit kundër Amelikës është demonstruar e shfaqur hapur. Dikur në vitet e luftës kur Amerika luftoi, loboi, e çliroi dhe e pavarësoi Kosovën, Albini nuk shfaqej hapur me antiamerikanizmin e tij. Thonë se është kundër zyrtarëve konkrete, por shteti amerikan me zyrtarë konkrete qeveriset dhe nuk ia cakton askush nga Kosova e VV zyrtarët e këshilltarët Amerikës apo Shtëpisë së Bardhë”, deklaron Shahu për “Bota sot”.

Për fund, Shahu thotë se nuk mund të ketë marrëveshje pa miratuar ne Kuvendin e Kosovës.

“Mospjesëmarrja e VV dhe PDK as nuk e bën as nuk e zhbën ndonjë marrëveshje të mundshme. Kosova, populli dhe qeveria e Kosovës ka aleatin me të ngushtë Amerikën se sa zyrtarët e VV apo PDK. PDK jeton e funksionon nëse është parti e jo çete edhe pa Hashimin e Kadriun. Le të shpresojmë se do të ketë marrëveshje, le të shpresojmë se Kosova si investim e krijesë e Amerikës do të mbrohet prej saj. Dhe besoj se nuk mund të ketë marrëveshje pa miratuar ne Kuvendin e Kosovës. Pastaj ndoshta Albini refuzon të marrë pjesë sepse kërkon të marrë leje të Internacionalja socialiste, ose i duhet të marrë leje nga qarqe të tjera që i sigurojnë vota dhe ushtarë me dalë në protesta kundër Kosovës se lire te pavarur, lirinë e pavarësinë e së cilës e siguron dhe mbron Amerika e cila nuk do të tolerojë besoj unë instalimin e enverizmit e komunizmit shqiptar në Kosovë”, përfundon analisti dhe publicisti, Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat