Kush është fajtor për mos liberalizim të vizave për Kosovën?

Politika

Kush është fajtor për mos liberalizim të vizave për Kosovën?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 16 tetor 2020 Në ora: 08:41
Ilustrim

Pavarësisht konstatimit të para pak ditëve të Komisionit Evropian se Republika e Kosovës i ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave, brenda shteteve anëtare të Bashkimit Evropian ka rezerva dhe skepticizëm, nëse qytetarëve duhet t’iu hiqet regjimi i vizave.

Ky qëndrim lidhet me fushën e sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, meqë francezët thonë se pavarësisht lëvizjeve pozitive, ende s’janë prodhuar efekte të prekshme.

Në media është publikuar se qëndrimi i Francës së presidentit Macron është që Kosova ende nuk i ka plotësuar kushtet për të marrë liberalizimin e vizave, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës (sundimin e ligjit) dhe me luftën kundër krimit dhe aktiviteteve kriminale.

S’ka guxim për ta luftuar korrupsionin

Profesori Riza Smaka, ka shtuar se me vite do të bllokohet liberalizimi i vizave jo vetëm nga Franca por edhe nga shtete tjera influente, e gjitha kjo për shkak që qëndron në qeverinë e formuar kundër ligjit.

Image
Riza Smaka

“Jo vetëm Franca, por as shtetet tjera influnete as që e kanë ndërmend të përcaktohen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Për shkakun e vetëm që qëndron në Qeverinë e formuar kundër ligjit, e cila nuk ka mbështetje meritore as mandate për të kaluar akte ligjore, që nuk ka kapacitete suficiente mbase as vullnet as guxim politik për ta luftuar korrupsionin as krimin e organizuar. Vendit te tillë çfarë është Kosova aktualisht edhe pse neve nuk na pëlqen, realisht, me vite ju bllokohet liberalizimi i vizave”, deklaroi Smaka.

Mehmeti: Fajtorë janë Qeveritë

Këtë e kanë komentuar edhe disa nga analistët, analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për "Bota sot", ka thënë se fajtor është qeveria, pavarësisht se cila nga qeveritë është në pushtet.

Image
Faton Mehmeti

Ai e konsideron si të pritur këtë lajm për shkak se qeveria nuk është duket bërë reformat e nevojshme.

"Fajtor është qeveria, dhe kjo s’ka diskutim, pavarësisht se cila qeveri është në pushtet, sukseset dhe dështimet gjithnjë i adresohen asaj, pasi ka mekanizmat në dorë. Faktikisht Kosova po përballet me një situatë jo të mirë politike, me një qeveri fragjile, e cila nuk është e aftë për t'i quar përpara proceset. Shuarja e shpresave nga Franca është lajm i keq për vendin, por i pritur kur dihet se qeveria nuk po bën reformat e nevojshme, andaj s’ka si të ketë suksese, që do të mund të hapnin bllokadën e liberalizmit të vizave", u shpreh Mehmeti.

Ai me tej ka thënë se do të kalojnë edhe shumë vite por nuk do të ketë liberalizim, sipas tij përgjegjësi duhet të japë Qeveria e Hotit.

"Qeveria Hoti duhet të jap përgjegjësi, ashtu si edhe të kaluarat për degradimin e Kosovës deri aty, sa askush mos të këtë besim për të dhënë dritën jeshile për vizat. Natyrisht se ky është lajm i keq për Kosovën, por i pritur, dhe me gjasë do të kalojnë edhe shumë vite dhe s’do të ketë liberalizim, derisa të vjen një qeveri dhe ta luftoj korrupsionin, nepotizmin, ta çiroj sistemin e drejtësisë nga kapja etj", shtoi ai.

KE vendos për viza

Një mendim për këtë e ka dhënë edhe njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, i cili e ka vlerësuar si diçka të pa drejtë dhe të pakuptimtë.

Image
Blerim Burjani

Sipas Burjanit, kjo po bëhet për shkak të njerëzve që janë të përfshirë në politikë vetëm për përfitime.

“Jo e drejtë dhe e pakuptimtë, një çështje duhet të jetë e qartë se ministrat e punëve të brendshme të Këshillit Evropian vendosin për liberalizim të vizave, kjo nuk po bëhet për shkak të mos luftimit të korrupsionit të nivelit të lartë në Kosovë. Plotë njerëz gjoja po merren me politikë janë përfshirë në grupe përfituese të parasë publike dhe këtë të gjithë e dinë në BE, se këtu ka njerëz që janë bosa marrin para dhe përfitojnë nga buxheti i shteti duke qëndruar kafeve dhe restoranteve”, u shpreh Burjani

Burjani më tej shtoi se esenca e gjithë kësaj rreth vizave qëndron se nuk ka përkushtim për të ndalë zhvatjen e buxhetit përderisa avokatët bëhen ministra, veç të pritet kur një gjyqtarë të bëhet kryeministër.

“Pra, Kosova ka dështuar të bëj ekonomi tregu, e jo si tash që duket ekonomi socialiste me 90 mijë të punësuar me para të atyre që mezi dalin në fund muaji. Pra, këtu qëndron esenca e gjithë kësaj drame rreth vizave, nuk ka përkushtim për të ndalë zhvatjen e buxhetit , kur avokatë bëhen ministra dhe ombusperson si degë të drejtësisë ku nuk duhet të jenë njerëz politik, prej partisë veç të pritet kur një gjyqtarë të bëhet kryeministër, pra nuk funksionin pushteti i pavarur i gjyqësorit këto janë probleme që BE nuk i falë”, përfundoi Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat