Përkrahet propozimi i ekspertit amerikan, Bytyçi: Nëse Kosova e bën këtë, merr fund diskutimi për ndarje

Politika

Përkrahet propozimi i ekspertit amerikan, Bytyçi: Nëse Kosova e bën këtë, merr fund diskutimi për ndarje

Nga: A.Zh Më: 17 tetor 2020 Në ora: 18:40
Profesori në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington Edward P. Joseph

Profesori amerikan për Ballkanin në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington Edward P. Joseph, ka dhënë një propozim për zgjidhjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbinë.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Joseph ka thënë se ideja e tij bazohet në futjen e Kosovës në NATO, e cila, nga ana tjetër, do të lironte Serbinë nga ndarja e Kosovës.

Sipas tij, në vend të kësaj, do të krijohej një fushë e barabartë loje për Serbinë - e ndihmuar nga SHBA dhe BE - që të përqendrohet përfundimisht në sigurimin e statusit të serbëve në të gjithë Kosovën, në vend që të përpiqet të ndajë vendin.

“SHBA dhe BE mund t'i adresojnë këto shqetësime. Dhe si Kosova, ashtu edhe Serbia - dhe pjesa tjetër e rajonit, përfshirë Bosnjën, më në fund mund të ecin përpara”, ka deklaruar Joseph, i cili shërbeu gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

Idenë e tij e ka quajtur origjinale dhe të mundshme për t’u realizuar profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi. Ai ka thënë se përmes kësaj zgjidhjeje, Kosova anashkalon Këshillin e Sigurimit për shkak të vetos ruse ose kineze. Sipas tij, Kosova është e gatshme për t’u bërë anëtare e NATO-s.

Image
Enver Bytyçi

“Edward P. Joseph ka folur shumë herë për Kosovën, sepse i njeh në themel zhvillimet, rrethanat, aktorët, politikën dhe gjeopolitikën e rajonit. Ai është ndër njerëzit që është marrë më së shumti me këtë çështje. Përveçse akademik, ai flet gjithashtu edhe si diplomat dhe njohës i shkëlqyer i këtyre zhvillimeve. Në rastin konkret, ai ka dhënë një ide origjinale, të mundshme për t’u realizuar. Është një zgjidhje, e cila anashkalon Këshillin e Sigurimit për shkak të vetos ruse ose kineze. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar miliarda për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Ndërkaq, ato e kanë autoritetin e nevojshëm që të imponojnë anëtarësimin e saj në NATO. Ndërkaq, Kosova është gati të bëhet anëtare me të drejta të plota në Aleancën Atlantike, sepse prej 21 vitesh aty ndodhet ushtria e kësaj aleance. Përveç kësaj, forcat e armatosura të Kosovës kanë dëshmuar se janë partnerë të besueshëm dhe të kualifikuar për NATO-n”, është shprehur Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Profesori ka theksuar se nëse Kosova futet në NATO, do të marrë fund çdo diskutim për ndryshim kufijsh me Serbinë.

Ai ka thënë se me anëtarësimin e Kosovës në NATO, poashtu garantohet stabiliteti evropian.

“Nëse Kosova bëhet anëtare e NATO-, merr fund çdo diskutim për ndryshim kufijsh jo vetëm midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe midis kësaj të fundit dhe shteteve të tjera kufitare me të. NATO është siguri dhe garanci më së pari e integritetit territorial të vendeve anëtare të saj. Për pasojë në rastin e anëtarësimit të Kosovës në të, do të garantohej stabiliteti dhe siguria e paqja në këtë pjesë të Evropës, si garanci edhe për stabilitetin evropian. Stabiliteti evropian është kusht për stabilitetin e përgjithshëm në globin tokësor”, ka thënë më tej Enver Bytyçi.

Ai ka përmendur edhe vendet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, duke thënë se ato në rastin e NATO-s, nuk do të mund të përdornin veton e tyre kundër pranimit të saj në aleancë.

“Janë katër vende të NATO-s, të cilat nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës. Këto shtete, Rumania, Spanja, Greqia dhe Sllovakia, në rastin e NATO-s nuk do të mund të përdornin veton kundër pranimit të saj në aleancë. Kjo, sepse edhe për to Pakti i Atlantikut është garanci për sigurinë dhe paqen. Nëse ndonjëra do të dilte kundër, atëherë të 29 vendet e tjera do i shtronin pyetjen: - Ju u bëtë pjesë e NATO-s, sepse dëshironi të jeni të sigurt dhe në paqe, si dhe të garantoni sovranitetin tuaj përmes kësaj organizate. Atëherë pse nuk doni që edhe Kosova të sigurohet për këto? Nga ana tjetër anëtarësimi i atyre vendeve në NATO është dhe mbetet garanci për to, se nuk do të mund të krijohen situata të tilla me minoritetet që ato kanë brenda vendeve të tyre”, është shprehur Bytyçi.

Profesori ka treguar edhe arsyet se pse vendet anëtare të NATO-s, nuk do të mund t’i thonin JO anëtarësimit të Kosovës në aleancë.

“Vendet anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën e kanë të vështirë t’i thonë JO anëtarësimit të Kosovës në NATO, sepse Aleanca politike ushtarake vepron me një lloj hierarkie, sipas kontributeve financiare për këtë. Financuesit kryesorë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për pasojë ato mund të imponojnë një zgjidhje të tillë, që presupozon anëtarësimin e Kosovës në NATO, me qëllim zgjidhjen përfundimtare të konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Në këtë rast krijohen edhe disa rrethana tjera lehtësuese. Psh. Serbia rrethohet plotësisht nga vende anëtare të NATO-s dhe në kushte të tilla do të detyrohet vetë të kërkojë pa koncesione anëtarësimin e saj në Aleancën atlantike. Ajo nuk mund të mbijetojë si shtet i izoluar dhe i rrethuar nga vende anëtare të aleancës më të fuqishme ushtarake e politike të botës”, ka theksuar më tej ai.

Sipas tij, përmes pranimit të Kosovës në ANTO, do të lehtësohej edhe pranimi i saj në Bashkimin Evropian.

“Nga ana tjetër, katër vendet anëtare të NATO-s që do të pranonin që Kosova të ishte anëtare e saj, këto vende janë edhe anëtare të BE-së. Kësisoj lehtësohet gjithashtu pranimi i Kosovës në Bashkimin Evropian. Kam shkruar disa herë, ku kam dhënë argumentin që Kosova do të duhej të shpenzojë energjitë e veta për t’u pranuar në BE e në NATO, duke forcuar shtetin e së drejtës. Në këtë rast, vjen OKB te Kosova dhe nuk ka nevojë që Kosova t’i lutet OKB-së për t’u bërë anëtare e saj. Fuqitë e Mëdha në KS të OKB-së do të humbasin interesin e tyre për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në OKB, nëse ajo do të bëhej anëtare e NATO-s dhe BE-së!”, ka thënë për “Bota sot” Enver Bytyçi./BS

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat