Apetitet për padrejtësi ndaj Kosovës nuk kanë të ndalur!

Politika

Apetitet për padrejtësi ndaj Kosovës nuk kanë të ndalur!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 tetor 2020 Në ora: 08:18
Miroslav Lajçak dhe Hashim Thaçi

Njëra ndër çështjet me të rëndësishme dhe njëkohësisht më të ndjeshme, me të cilën po përballen institucionet e Kosovës është dialogu me shtetin fqinjë, Serbinë.

Dialogu Kosovë-Serbi për përmirësimin e raporteve ka filluar në vitin 2011, ndërsa, marrëveshja formale u nënshkrua me 19 prill 2013, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiq.

Kjo marrëveshje përmbante 15 pika, ku ndër më të rëndësishmet cilësohej krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shuarja e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë gjë që akoma nuk ka ndodhur plotësisht. Asociacioni i komunave me shumicë serbe, akoma nuk është themeluar, sepse udhëheqësit e institucioneve të Kosovës këmbëngulin që pa njohjen reciproke nga ana e Serbisë, nuk do të nisë krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se nuk do të ketë formim të asociacioni, pa njohje të Kosovës nga Serbia. Pas kësaj deklarate reaguan menjëherë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët kërcënuan me largim nga koalicioni qeverisës.

Këto “përplasje” deklaratash në mes politikanëve shqiptarë dhe serbë mund të vështirësojnë vazhdimin e më tutjeshëm të dialogut.

Për t’i shtuar tensionet edhe më shumë, diplomati slloven, Miroslav Lajçak erdhi me një deklaratë nga e cila kërkoi nga shteti i Kosovës ta ndryshojë Kushtetutën e saj. Kjo nxiti edhe më shumë debate dhe reagime ne vend.

Njohësit e çështjeve politike dhe juridike në vend, nga këndvështrimet e tyre thanë se vazhdimi i dialogut varet nga përballimi i presioneve të ndërkombëtarëve lidhur me Asociacionin.

Krasniqi: Serbia nuk heq dorë nga krimet dhe gjenocidet ndaj shqiptarëve

Kreu i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate Jakup Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se Serbia po e përdor dialogun dhe asociacionin vetëm si shkas.

Ai tha se Serbia nuk do të heq dorë nga politikat e saj 200 vjeçare lidhur me shqiptarët.

Image
Jakup Krasniqi

“Dialogu është vetëm shkas. Serbia nuk është e gatshme të hjek dorë nga politikat e saja 200 vjeçare për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e banuara denbabaden”, deklaroi Krasniqi.

Ai paralajmëroi edhe mundësinë e përsëritjes së krimeve nga ana serbe drejtuar shqiptarëve.

“Pra për krimet e gjenocidit Serbia nuk është dënuar asnjëherë dhe nuk heq dorë. Çdo krim i pa ndëshkuar, është potencial për përsëritje e krimit”, përfundoi Krasniqi.

Miftaraj: Lajçak po shton presion dhe trysni ndaj Qeverisë Hoti

E lidhur me këtë çështje, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se deklarata e Lajçakut e vë në pozicion të pabarabartë Republikën e Kosovës.

Image
Ehat Miftaraj

“Deklarata e Lajçak e ka vënë në pozicion të pa barabartë Republikën e Kosovës lidhur me formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh Miftaraj.

Ai deklaroi se kjo qasje e diplomatit slloven mundë të shtoj trysni dhe presion ndaj Qeverisë Hoti dhe kështu Kosova nuk do të jetë në gjendje ta zbatoj agjendën e saj në dialog.

“Një qasje e tillë e Lajçak do të shtoj trysninë dhe presionin ndërkombëtar ndaj qeverisë Hoti. Në anën tjetër, përderisa, Kosova nuk është në gjendje të imponojë agjendën e saj në dialog, por t’i përshtatet agjendës së Lajçakut e që së paku në publik, po shpërfaqet se i njëjti po promovon haptas agjendën e Presidentit Vuçiq”, nënvizoi Miftaraj.

Për fund, ai tha se vazhdimin i dialogut varet nëse Qeveria Hoti arrijnë të I bëj ballë presionet të ndërkombëtarëve.

“Në këto rrethana, varet se sa do ti bëj ballë këtij presioni Qeveria Hoti, dhe sa do të jetë në gjendje të imponoj interesat e Republikës së Kosovës”, përfundoi Miftaraj.

Burjani: Asociacioni temë e mbyllur për Kosovën, por jo për ShBA-në dh BE-në

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani në një bashkëbisedim më gazetën “Bota sot” deklaroi se asociacioni është problem i patejkalueshëm për Kosovën, njësoj si njohja e Kosovës për Serbinë.

Image
Blerim Burjani

“Asociacioni është problemi aktual i patejkalueshëm po sikur Serbia që nuk e heq Kosovën prej preambulës kushtetuese dhe nuk e njeh Kosovën. Serbia po me mendon se perëndimi dhe BE-ja mundë të mashtrohen nga Serbia, që ajo të nxjerrë të gjitha interesat e veta prej Kosovës dhe të mos jap asgjë për Kosovën. Kjo është e dijshme edhe në SHBA edhe në BE , pra potezi i fundit do të jetë që Serbia ta pranoj Kosovën se shtet dhe të i pranoj kufijtë ekzistues”, tha Burjani.

Ndër të tjera, ai shtoi se asociacioni është temë e mbyllur për Kosovën, por Amerika dhe Bashkimi Evropian dëshirojnë ta zgjidhin këtë temë në të mirë të pakicave serbe dhe Serbisë.

“Asociacioni është temë e mbyllur nga Kosova, por jo edhe për SHBA-të dhe BE-në, ata dëshirojnë një zgjidhje rreth kësaj teme që donte jetë pranuese për Serbinë dhe pakicën serbe. E keqja është se kanë pranuar të folet për pakicat e problemi kryesor Kosovë -Serbi nuk janë pakicat por janë territoret”, shtoi Burjani.

Njohësi i çështjeve juridike tha se Kosova është duke shkuar teposhtë në këtë dialog dhe synimi kryesor i shtetit tonë duhet të jetë mbetja e një shteti unitar dhe të konfederalizuar.

“Pra njëherë Kosova është duke shkuar teposhtë në këtë dialog, tash synimi në këtë çështje është që Kosova të mbetet shtet unitar apo shtet i konfederalizuar dhe me vonë nuk qon peshë edhe të i bashkohet Kosova, Shqipërisë”, përfundoi Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat