Isa apo Ramushi, kush do të triumfojë?

Politika

Isa apo Ramushi, kush do të triumfojë?

Nga: A.SH Më: 26 tetor 2020 Në ora: 21:33
Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë thënë se Isa Mustafa, është emri i vetëm i LDK-së për president.

Kurse nga ana tjetër, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kohë që ka shpallë kandidimin për postin e Presidentit.

Në një deklaratë të tyre thuhet se “AAK nuk i do zgjedhjet, por ato janë opsion nëse dështojmë në zgjedhjen e presidentit që tashmë është nominuar zyrtarisht nga Aleanca”.

Analisti politik, Skënder Zogaj për “Bota sot” e ka komentuar këtë çështje duke thënë se, kandidimi i Ramush Haradinajt, është veprim krejtësisht legjitim, mirëpo nuk i kuptoj reagimet, kundër kërkesës së tij, derisa, çelësi është tek spektri i gjerë partiak që vendos për postin e Presidentit.

“Shpallja e kandidaturës nga ana e liderit të AAK-s dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, është veprim krejtësisht legjitim, sepse jemi në një shoqëri demokratike parim themelor e ka shprehjen e fjalës së lirë dhe transparencën e çdo lloj kërkese që e sheh të arsyeshme ta parashtrojë çdo shtetas i Kosovës. Pra, Ramush Haradinaj e ka shfrytëzua të drejtën e garantuar kushtetuese që ia lejon çdo qytetari me konkurrua për t'u zgjedhur dhe për të zgjedhur! Prandaj nuk i kuptoj reagimet, kundër kërkesës së Ramush Haradinajt, derisa, çelësi është tek spektri i gjetë partiak që vendos për postin e Presidentit”, thotë Zogaj.

Sipas tij, çështja e kandidaturës së Haradinajt, nuk ka pasur kushtëzime për prishjen e koalicionit.

“Sa di unë, Haradinaj nuk ka kushtëzuar LDK-në, por ia ka bërë me dije partnerit të koalicionit për kandidaturën verbale, dhe, sa jemi informuar, LDK-ja publikisht ka thënë se nuk është marrë me këtë çështje sepse ende është herë të flitet, derisa e ka Presidentin funksional. Prandaj, deri në këtë çast, për çështjen e kandidaturës së Haradinajt, nuk ka pasur kushtëzime për prishjen e koalicionit”, shprehet Zogaj.

Image
Skënder Zogaj

 

Sa i përket zgjedhjeve Zogaj thotë se, ato nuk do t’i konvenonin një pjese të opozitës dhe do të ishin shumë të dëmshme.

“Mospajtimet e caktuara për disa qëndrime qeverisëse nuk nënkuptojnë prishje koalicioni, por vullnet për qeverisje sa më të mirë. Këtë e kanë vërtetuar dy palët që mospajtimet i kanë tejkaluar me mirëkuptim shumë domethënës! Prandaj, nuk mendoj se do të ketë shpejt zgjedhje, sepse, një pjese të opozitës kjo nuk i konvenon, për më tepër zgjedhjet e reja do të ishin shumë të dëmshme. Prandaj, kjo pjesë e opozitës, më shumë se pozita do ta ruaj Qeverinë Hoti, përderisa të ndodh ndonjë ndryshim i zhvillimeve madhore kosovare”, përfundon Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat