“Një skemë e re dhe një ftesë për Albin Kurtin”, profesori tregon planin Mustafa-Haziri

Politika

“Një skemë e re dhe një ftesë për Albin Kurtin”, profesori tregon planin Mustafa-Haziri

Nga: P.R Më: 19 nëntor 2020 Në ora: 18:46
Isa Mustafa dhe Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri beson se ka ardhur koha që LDK-ja ta marrë Presidencën, por jo në kurriz të Qeverisë Hoti.

“Jo. Nuk është kjo rruga e mirë dhe e shkurtër, por ajo që unë besoj, është se ka ardhë koha që LDK-ja ta marrë Presidencën dhe ta udhëheqë, sepse ne do të arrijmë të mbulojmë, të bëhemi jorgan i gjerë për të gjitha subjektet politike dhe do të arrinim që t’i kalojmë proceset e brendshme dhe ndërkombëtare me një menaxhim dhe pritjet që janë ndaj tërë këtij procesi t’i realizojmë suksesshëm. Ky është besim i imi dhe unë besoj që duhet të shqyrtohet ose vlerësohet si një opsion i mundshëm që të realizohet. Deri atëherë, ne e mbështesim Qeverinë. Nuk jemi të gatshëm të bëjmë kompromise në kurriz të Qeverisë aktuale, jo vetëm për shkak të LDK-së, por për shkak të partnerëve të koalicionit. Kemi hyrë me ta në mirëbesim dhe dëshirojmë që me mirëbesim t’i zgjidhim problemet, në shkallën e parë. Ndërsa në shkallën e dytë, duhet që partnerët e koalicionit dhe opozita të ulen dhe ta gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme dhe një format dialogu duhet të ndërtohet shpejt, i cili i jep vendit president, Qeveri apo mundësisht edhe datë të zgjedhjeve sepse nuk përjashtohet ky opsion”, ka thënë Haziri gjatë ditës së djeshme.

Por profesor, doktor Enver Bytyçi thotë se në këtë mënyrë, Lutfi Haziri po del në kundërshtim me kryetrarin e LDK-së, Isa Mustafa.

Image
Enver Bytyçi

“Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, zoti Lut Haziri, është politikan që i trazon ujerat. Nuk rri, nuk kopjon dhe dëshiron të jetë vetvetja, pavarësisht se shpesh herë i shkon për shtat dikujt, si në rastin e territoreve, kur ndihmoi presidentin Thaçi në lojën e tij për ndarjen e Kosovës. Ka raste kur është realist. Në shumicën dërmuese të rasteve, thjesht fantazon dhe nxit debat, por vetëm kaq. Në rastin konkret ai ka folur për një president të Lidhjes Demokratike, ndërkohë që shefi i tij, Isa Mustafa, ka thënë se “Presidenti i takon Partisë Demokratike të Thaçit. Një kontradiktë kjo që dëshmon se kryetari dhe nënkryetari i LDK-së nuk mendojnë njësoj sa i përket postit të kreut të shtetit të Kosovës dhe kjo është diferencë që nuk kalon lehtë, nëse të dy këta nuk kanë projektuar ndonjë kurth diskursusi”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Lutfi Haziri po dëshiron që LDK t’i ketë të dy pozitat shtetërore, kryeministrin dhe presidentin.

“Lutfi Haziri dëshiron që edhe “qeverinë e Avdullah Hotit ta ruajë”, edhe presidentin ta marrë! Pra që LDK të ketë të dy postet kryesore të shtetit. Por nga ana tjetër thotë se “Kjo nuk mund të arrihet pa opozitën” dhe jep mendimin se presidenti mund t’i jepet opozitës, me qëllim që të evitohen zgjedhjet e të ruhet qeveria. Lutfi Haziri dëshiron sot ta marrë presidentin, qeverinë Hoti ta ketë e ta ruajë dhe zgjedhjet e parakohshme të bëhen kur ta dëshirojë këtë Lidhja Demokratike e Kosovës. Pra të realizojë të pamundurën. Mesa duket edhe zoti Haziri nuk e ka seriozisht martesën e LDK-së me postin e presidentit të Republikës. Mendoj se kjo është lojë e Isa Mustafës me qëllim që përmes ndonjë konfigurimi të ri të qeverisë, të rrëzojë qeverinë e Avdullah Hotit dhe t’i hapë rrugë zgjedhjes së tij si president i Republikës”, thekon Bytyçi.

“Kjo skemë u përdor nga kreu i LDK-së edhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, kur u krijua qeveria jetëshkurtër e Albin Kurtit. Nëse Kurti do ia kishte garantuar Mustafës postin e presidentit, koalicioni nuk do të ishte prishur. Por Kurti nuk e bëri gabimin e Mustafës, kur i pati premtuar Thaçit gati tri vite përpara për ta katapultuar në detyrën e kreut të shtetit”, shton profesor Bytyçi.

Më tej, Bytyçi deklaron se deklarata e Haziri është edhe një sinjal për kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

“Deklarata e Lutës është në fakt ftesë për Albin Kurtin, që ky i fundit të vinte në qeveri, të merrte kreun e ekzekutivit dhe të lejonte Isa Mustafën të bëhej president i Kosovës. Këtë skemë loje Luta e ka promovuar disa herë, sidomos në mbledhjet për të zgjedhur kreun e LDK-së. Të gjithëve u kujtohet kur në emër të unitetit, Mustafa thoshte se nuk do të kandidojë dhe të tjerët rreth tij sajonin ditën e fundit lutjen për të “Mos ik”! E tillë është loja e Isa Mustafës edhe në këtë rast. Të tërheqë Vetëvendosjen në qeverisje, t’i bëjë dalje partnerët e tjerë të koalicionit dhe në fund të kapë detyrën e presidentit të vendit. Të shohim si do të shkojë rezultati i zgjedhjeve në Podujevë dhe pas tyre do të kemi zhvillime sa i përket qeverisjes dhe temave të tjera politike në Kosovë”.

Për fund, Bytyçi ka thënë se vetëm zgjedhjet e reja do të ishin zgjidhje për situatën e tanishme.

“Në deklaratën e tij për të marrë presidentin e vendit, Lutfi Haziri u përpoq të joshë edhe faktorin ndërkombëtar, kur tha se LDK “është e aftë të përballet edhe me dialogun”, duke dhënë sinjalin se “është e gatshme për kompromise, të cilat Thaçi i quante “të dhimbshme”! Duket se në këtë pikë ka dallime midis qeverisë Hoti dhe lidershipit të LDK-së. Prandaj besoj se vetëm zgjedhjet e reja do të sillnin në Kosovë institucione legjitime, qeveri dhe president legjitim, kuptohet pasi të dilte prej zgjedhjeve edhe parlamenti legjitim. Ndërsa Luta foli për pazare, dhe çdo Pazar politik në Kosovë vetëm se e dobëson shtetin ligjor të së drejtës dhe delegjitimon qeverisjen e vendit. Pikërisht nga kjo lloj situate mund të përfitojë më shumë Beogradi, sepse ndikimi i tij te institucionet legjitime do të kufizohej vetvetiu”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat