Si e kishte kidnapuar SHIK-u Bytyçin ditën kur në Prishtinë ishte ekzekutuar Xhemajl Mustafa?

Politika

Si e kishte kidnapuar SHIK-u Bytyçin ditën kur në Prishtinë ishte ekzekutuar Xhemajl Mustafa?

Nga: A.Zh Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 13:20
Enver Bytyçi

Sot janë bërë 20 vite që nga vrasja e ish-bashkëpunëtorit të ngushtë të presidentit Ibrahim Rugova, Xhemajl Mustafës.

Ai ishte vrarë më 23 nëntor 2000 në shkallët e banesës ku jetonte.

Në të njëjtën ditë, tmerr kishte përjetuar edhe Enver Bytyçi, drejtor i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore (ISEJ) dhe profesor në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Bytyçi në vitin 2018, kishte thënë se ai ishte kidnapuar me pistoletë në kokë në Tiranë.

Sipas tij, kjo kishte ndodhur nga SHIK-u i Shqipërisë, për shkak të shkrimeve të tij që i botonte në atë kohë.

“Kjo ka të bëjë me SHIK-un e Shqipërisë. Më vjen mirë se në Shqipëri i vetmi segment ku është bërë përparim është shërbimi informative. Ky shërbim është larguar më shumë se institucionet e tjera nga politika. Kjo është shenjë e mirë. Por, kjo ka ndodhur pas largimit të Fatos Klosit nga detyra e kreut të SHIK. Fatos Klosi erdhi në këtë detyrë pas revolucionit të vitit 1997. Sapo erdhi në krye të SHIK-ut, ai solli në përbërje të tij të gjithë ish-sigurimsit e diktaturës. Për pasojë, vendosi standardin e Sigurimit të Shtetit. Ishin këta njerëz që më kindnapuan më 23 nëntor 2000, para dite dhe më morën peng me pistoletë te koka. Ishte e njëjta ditë kur SHIK-u në Prishtinë ekzekutoi Xhemajl Mustafën. Gjykata në Shqipëri asokohe ishte plotësisht një gjykatë politike, e cila më dënoi për shkrimet e të tjerëve që unë i botoja në revistën Koha. As që bëhej fjalë për ndëshkimin e autorëve të pengmarrjes. Prandaj, ika refugjat në Gjermani, ku menjëherë më dhanë statusin e azilantit politik. Është një histori e gjatë më vete. Jam i lumtur që së paku SHIK-u në Shqipëri nuk e ka sot atë fytyrë kriminale si atëherë SHIK-u i Fatos Klosit!”, kishte deklaruar profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare për “Bota sot”.

E sot në një postim në Facebook, ai kujtuar edhe një herë këtë ngjarje.

“Sot u bënë 20 vite, kur provova për herë të parë dhe shpresoj për herë të fundit, pengmarrjen! Zoti mos ju provoftë!”, ka shkruar Enver Bytyçi./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat