Vrasja që tronditi Kosovën: Veprimtari i LDK-së e “zbulon” se ku ndodhen urdhërdhënësit e vrasjes së Xhemajl Mustafës – ja cili ishte skenari i tyre

Politika

Vrasja që tronditi Kosovën: Veprimtari i LDK-së e “zbulon” se ku ndodhen urdhërdhënësit e vrasjes së Xhemajl Mustafës – ja cili ishte skenari i tyre

Nga: N. H Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 22:22
Xhemajl Mustafa, foto ilustrim nga “Bota sot”

Kosova 20 vjet më parë përjetoi një nga tronditjet më të mëdha. 20 vjet më parë është vrarë Xhemajl Mustafa, një prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, teksa që nga ajo ditë akoma nuk është zbardhë vrasja e tij.

Veprimtari Fatmir Bajraj ka folur rreth vrasjes së Xhemajl Mustafës së LDK-së, që tronditi Kosovën 20 vjet më parë.

Bajraj ka deklaruar se urdhërdhënësit e vrasjes së Xhemës, dhe e mbi 100 burrave dhe një gruaje heroinë (Sabahate Tolaj), janë në Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Kosovës me seli në Hagë, e njohur si Gjykata Speciale.

“20 vite nga vrasja mizore e Xhemajl Mustafës, nga vrasja e intelektualit të shquar, politikanit të guximshëm, atdhetarit të spikatur dhe luftëtarit të paepur të kauzës së lirisë, e cila u goditë rënd me atentatin ndaj tij dhe kryeveprës së tij dhe të popullit të tij, lirisë së Dardanisë antike-Kosovës. U vra nga dora gjakatare, lajmëtari dhe bilbili i Kosovës së lirë, zëdhënësi dhe këshilltari politik i presidentit historik Rugova, u vra gazetari sypatrembur, penda e mprehtë e liberatorit unik e fisnik, e cila fliste gjuhën e kombit, gjuhën e atdheut, gjuhën e lirisë të cilën mëtonte, tok me popullin martir të Dardanisë ë së vjetër në gadishullin Ilirik”, shprehet Bajraj për “Bota sot”.

Ai thotë se publicisti Xhemajl Mustafa, bashkë me presidentin Rugova, dhe akademik Aganin, i dolën zot kauzës kombëtare për liri.

“Xhemajl Mustafa, ndër prijetarët dhe themeluesit e LDK-së, përkatësisht, Lëvizës Nacionale të Kosovës së fundviteve të 80-ta, dhe ndër të parat e Evropës Lindore, e cila e flaki komunizmin, kundërshtoi dhe e luftoi robërinë shekullore me pendë e pushkë, deri në çlirimin definitiv të atdheut me 12 qershor 1999. Xhemajl Mustafa, ky burrë i fjalës ë urtë dhe i mendimit të thellë, bashkë me presidentin Rugova, akademik Aganin dhe shumë burra e gra të spikatura të Dardanisë së vjetër, i dolën zot kauzës kombëtare për liri dhe gjakuan e mishëruan idealet e brezave në projektin nacional për liri e pavarësi, frytet e së parës, Xhema i preku, por u ndalua t’i shijoj nga falangat shqipfolëse të krimit fatkeqësisht”, ka thënë ai.

Kush e vrau Xhemën, rrezen e lirisë?

Ai është i mendimit se Mustafa u vra, ngase ishte krah i djathtë i presidentit Rugova, dhe vrasësit  kishin qëllim për ta dobësuar Rugovën.

“Dorasit katil e qyqarë, mund të mos kishin mend as tru, por kishin forcën e mallkuar duke ngre gishtin e krimit, kundër Xhemës dhe lirisë së Kosovës. Vrasësit e Xhemës, tani pas 20 viteve nga dita e krimit, mund të mos jenë as në jetë, mund të jenë të zhdukur pa gjurmë, sikurse , mund të jenë edhe “heronj” dhe të kenë përmendore diku në Kosovë, ngase ata kanë krye punën e tyre “atdhetare”, kanë marrë kompensimin e premtuar, por nuk kanë qenë të vetëdijshëm se edhe ata duhet të ikin nga kjo botë për faktin se urdhërdhënësit e tyre duhet t’i gëzojnë favoret e lirisë e cila ka emrin e Xhemajl Mustafës, dëshmorëve të lirisë dhe sakrificës së brezave. Pse u vra Xhema, ku janë urdhërdhënësit qyqarë? Xhema u vra, ngase ishte krah i djathtë i presidentit Rugova, u vra për ta dobësuar Rugovën duke ia vra krahët e lëvizës për pavarësi. Pas atentatit ndaj Kolonel Ahmet Krasniqi gjatë luftës, tanimë në liri, falangat e krimit dhe recidiv të armikut shekullor, kishin hapur kurbën dhe pistën e krimit në njerëz të dijes, intelektit dhe guximit veprues politik, ku ndër të paret ishin më të afërmit e presidentit sikurse ishte Xhemajl Mustafa”, ka deklaruar veprimtari i LDK-së.

Rrëmbimi i pushtetit me çdo çmim, kauzë kapitale dhe kruciale kupolës së krimit

Ai madje thekson se kupola e krimit antikombëtar dhe urdhërdhënësit e vrasjes së Xhemës, dhe e mbi 100 burrave, tashmë ndodhet veçse në Speciale.

“Vrasjet, rrëmbimet, keqtrajtimet, frikësimet dhe shantazhet e organizatës kriminale dhe anti-shqiptare, ishin metoda dhe logjikë veprimi deri sa morën pushtetin, uzurpuan pasurinë nacionale dhe vuan në zap, pushtet e ndara me Kushtetutë në shtetin e kapur të Kosovës. Kupola e krimit antikombëtar dhe urdhërdhënësit e vrasjes së Xhemës, dhe e mbi 100 burrave dhe një gruaje heroinë (Sabahate Tolaj), janë në Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Kosovës me seli në Hagë, e njohur si Gjykata Speciale. Ata të cilët urdhëruan vrasjet e bashkëpunëtorëve të presidentit Rugova, dhe të Xhemajl Mustafes, dhe të cilët kanë zhduk provat edhe dëshmitarët, me gjasë edhe autorët e krimeve, tani kanë mundësinë faktike që të dëshmojnë para drejtësisë dhe qytetarëve të Kosovës, arsyeshmërinë dhe nevojën e kryerjes së krimeve mbi atdheun dhe veprimtarët e tij”, ka theksuar Bajraj.

Krejt në fund, veprimtari Bajraj ka nënvizuar se zbulimi i kësaj vrasje nga Specialja do të jetë një nga ngjarjet më me peshë në historinë e re të Kosovës.

“Zbardhja e vrasjes së Xhemës, dhe jo vetëm, si dhe dënimi i merituar nga gjykata do të jetë një nga ngjarjet më me peshë në historinë e re të Kosovës, me ç’rast, përfundimisht do të ndahet shapi prej sheqerit, pra do dihet kush janë ata të cilët ia vranë bijtë më të mirë të Dardanisë antike-Kosovës. Dimensioni i lirisë së Kosovës dhe i shqiptarëve, do të ishte i zymtë dhe gati i pamundur pa kontributin e Xhemajl Mustafës dhe bashkëveprimtarëve të tij, zaten, zbardhja dhe dënimi i autorëve të krimit, do të jetë satisfaksion për familjet e tyre dhe gjithë Kosovës, dhe mbi të gjitha, trupi i Xhemës dhe tjerëve, tek atëherë do prehën të qetë në atdheun e larë në gjak nga armiku dhe shërbëtorët e tyre”, tha në fund, veprimtari Fatmir Bajraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat