Grilat e burgut të Speciales, do mbajnë deri në shtator Thaçin dhe të tjerët

Politika

Grilat e burgut të Speciales, do mbajnë deri në shtator Thaçin dhe të tjerët

Nga: A.Morina Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 16:40
Foto ilustrim "Bota sot"

Gjykata Speciale ka publikuar parashtresën e kryeprokurorit Jack Smith se kur duhet të nisë gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit dhe aty theksohet se ky gjykim duhet të fillojë verës apo jo më vonë se shtatori. 

“Mbrojtja duhet të ketë mundësi për t’u përgatitur për gjykim por duke pasur parasysh atë që ka ofruar mbrojtja, dhe kjo duhet të marrë muaj, jo vite. Për këtë arsye, kryeprokurori njofton që gjykimi të fillojë këtë verë, dhe jo më vonë se muaji shator 2021”, thuhet në njoftim. 

Profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Riza Smaka, në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli rreth zgjatjes së gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së, nga Gjykata Speciale. Ai tha se procedurat juridike – penale synohet të jenë të shkurtëra dhe gjatësia kohore e tyre varet nga proceset e administrimit të provave. 

“Kurdoherë e kudo herë, procedurat juridike - penale synohet të jenë të shkurtra, efikase dhe eficiente. Në anën tjetër gjatësia kohore e procedurave juridike- penale, varet nga proceset e administrimit të provave të cilat jo rrallë herë ndodhë të jenë të ndërlikuara e problematike. Administrimi i provave është i karakterit hetimor, gjurmues e investigues”, theksoi Smaka. 

Ndërsa, për rastin e Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit, profesori paralajmëroi një procedurë të ndërlikuar e cila do të shkaktojnë zgjatje të periudhës kohore për administrim të provave. 

“Në rastin e të pandehurve, ish-funksionarë të strukturave të UÇK- së, sipas elementeve aktuale të aktakuzave, rezulton se do të pasojë një procedurë e ndërlikuar e administrimit të provave e cila shkakton zhagitje të periudhës kohore të procedimit penal kundër tyre”, nënvizoi Smaka, përcjell "Bota sot".

Mirëpo, Smaka nuk e justifikoi assesi paraburgimin për një periudhë kaq të gjatë kohore, deri në shtator të 2021. Pasi, sipas tij, prokuroria duhet të i kishte administruar provat gjatë kohës së ngritjes së aktakuzave. 

“Gjithsesi paralajmërimi i vazhdimit të paraburgimit për një periudhë tejet të gjatë, nuk mund të justifikohet me asgjë. Përderisa, prokuroria ka ngritë aktakuza do të ishte dashtë që paraprakisht t'i kishte administruar provat për t'i justifikuar aktakuzat penale. 

Vijimisht gjykata do të duhej të procedonte çështje juridike penale kryesisht duke i konsideruar provat e faktet e ofruara nga prokuroria e sipas diskrecionit duke administruar përkatësisht duke re administruar prova të caktuara. Për këto procedime deri diku do të mund të arsyetohej vijimi i paraburgimit për deri në një apo dy muaj por kurrsesi për afër një vit.”, u shpreh profesori. 

Në fund, Smaka deklaroi se zgjatja e paraburgimit afër një viti është akt i paarsyeshëm dhe në rrethana normale paraburgimi do të zgjaste më së shumti tre muaj, jo më shumë. 

“Paraburgimi në rrethanat normale do të justifikohej të zgjaste deri në tre muaj e eventualisht dhe përjashtimisht deri në gjashtë muaj por kurrsesi jo me gjatë. Përfundimisht zgjatja e paraburgimit afër një vit, është akt irracional dhe i papresedencë juridike - penale. 

Për të qenë ironia sarkastike më e spikatur, kolegjet prokuroriale e gjyqësore të specializuara , në vend të Kodit Penal dhe të Kodit Penal Procedural të Kosovës, funksionojnë sipas " rregullave të vetë miratuara" si surrogate të akteve juridike të sipërthëna të karakterit organik e sistemor”, përfundoi Smaka. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat