“Skandali” me Konsullin e Përgjithshëm në Pragë, u zbulua “pazari” mes Thaçit, Haradinajt e Shalës – juristi i njohur përmend edhe tjera raste

Politika

“Skandali” me Konsullin e Përgjithshëm në Pragë, u zbulua “pazari” mes Thaçit, Haradinajt e Shalës – juristi i njohur përmend edhe tjera raste

Nga: G.B Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 17:01
Ramush Haradinaj dhe Haxhi Shala

Lajmi për emërimin konsull në Ambasadën e Kosovës në Pragë të Çekisë të Flakron Shalës, djalit të deputetit Haxhi Shala, bëri bujë të madhe, që nga mbrëmë kur u publikua.

Krerët e shtetit, politikanët e partive politike, analistët e shoqëria civile reaguan lidhur me këtë.

E për këtë çështje, profesori Riza Smaka ka thënë për gazetën “Bota sot” se Haxhi Shala kishte deklaruar se nuk do të votonte për formimin e Qeverisë por që më pas votoi, pas vizitës së Thaçit e Haradinajt në shtëpinë e tij pas mesnate dhe vota e tij ishte në kundërshtim me Kushtetutën.

“Z. Haxhi Shala para formimit të Qeverisë aktuale ka pas deklaruar se nuk do ta votonte formimin e saj. Në ditën e shqyrtimit për formimin e Qeverisë, z.Shala botërisht, në seancë të Kuvendit ka pas deklaruar se nuk do të votonte për formimin e Qeverisë, sikundër të mos i kishin hyrë në shtëpi pas mesnate, një natë më parë z.Thaçi e z. Haradinaj... Në atë mënyrë, de Jure, vota pro e z.Shalës rezultoi e dhënë në kundërshtim me nenin 70 të Kushtetutës dhe si e tillë juridikisht nule! Vota e z Shalës sikundër e cilit do deputet apo deputete kurdoherë kërkohet të jetë e lirshme, diskrecionale e kurrsesi e kushtëzuar me joshje mbase edhe kanosje”, është shprehur ai.

Sipas Smakës, tani doli publikisht ajo çfarë ishte biseduar nga ata 3 persona atë pas mesnate dhe vota e tij ka qenë që tani t’i shpërblehet djali në një post diplomatik.

Image
Prof. Dr. Riza Smaka

“Tanimë doli publikisht transaksioni komercial i bisedës se atyre tre personave së zhvilluar atë pas mesnate. Favorizimi evident i ndryshimit të qëndrimit të z Shala, i është shpërblyer me emërimin e të birit ne një post të lakmueshëm në diplomaci. Nuk është hera e parë e transaksioneve komerciale përkatësisht politika të tilla e të ngjashme gjatë votimeve jo të lirshme por të ngulfatura me joshje e kanosje pushtetarë”, ka vlerësuar profesori.

Smaka përmend edhe rastet e tilla në votimin e demarkacionit.

“Në rastin e votimit pro "...të demarkacionit..." përkatësisht të copëtimit të territorit të Kosovës nëpërmjet humbjes së 8250 hektarëve të saj paraprakisht kanë qenë aplikuar trafikime të votave dhe përfitime të tyre pro nëpërmjet joshjeve e kanosjeve pushtetare. Ndryshe demarkacioni i kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi jo nuk ka qenë atëherë i kryer por as sot e kësaj dite nuk është i kryer pos redelimitacionit të gabuar dhe të dëmshëm”, ka thënë Riza Smaka.

Profesori më tej përmend edhe çështjen e demarkacionit tani, që të gjitha këto bien ndesh me Kushtetutën dhe manipulimet e tilla janë në kundërshtim edhe me moralin politik dhe në dëmin e reputacionit të shtetit tonë.

“Tani kanë filluar intensivisht transaksionet politike, në vend të zgjedhjes së lirshme të Presidentit, për imponimin e personit në saje të makinacioneve partiake dhe qëndrimeve politike të cilat bien ndesh me nenin 86 dhe nenin 70 të Kushtetutës së RK- së! Po qe se do të imponohej e zgjedhej Presidenti në kundërshtim me dispozitat e sipërthëna, në atë mënyrë do të shkelej Kushtetuta, autonomia politike e funksionale e deputeteve e deputetëve kurse personi i tillë i zgjedhur nuk do të gëzonte as bazë konstitucionale as kredibilitet politik të nevojshëm. Manipulimet dhe spekulimet politike të tilla e shumë të tjera të ngjashme, janë në kundërshtim me rendin juridik të Kosovës, me moralin politik dhe në dëmin e reputacionit të shtetit tonë”, ka deklaruar profesori Riza Smaka për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat