Çfarë paralajmëron fitorja e LVV-së në Podujevë?

Politika

Çfarë paralajmëron fitorja e LVV-së në Podujevë?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 2 dhjetor 2020 Në ora: 22:27
Albin Kurti

Fitorja e Prof. Dr. Shpejtim Bulliqit, në zgjedhjet komunale për kryetar të Podujevës, si kandidat i LVV, është ndër fitoret më të rëndësishme, e ndoshta edhe historike, që kanë ndodhur në dekadën e fundit në Kosovë.

Fitorja e Shpejtim Bulliqit në Podujevë  vlerësohet e pritshme nga ana analistëve politik.

Sipas tyre, fitorja e Shpejtim Bulliqit është vërejtje serioze dhe vetëdijesim partiak për LDK-në.

Ata vlerësojnë se veprimet e fundit të gabuara politike pas zgjedhjeve të 6 tetorit, e kanë zbehur dhe e kanë humbur shumë përkrahjen e popullatës, ndaj LDK-së së Isa Mustafës.   

Elezaj: Votuesit e Llapit e kanë bërë zgjedhjen më fatlume për të ardhmen e tyre

Analisti politik Rexhep Elezaj ka thënë, për gazetën “Bota sot” se kjo fitore për Prof. Shpejtim Bulliqin, është dhurata më e mirë për festën e Vitit të Ri të 2021, të cilën me votën e tyre populli dhe qytetarët e trevës së Llapit ia kanë dhuruar.

Sipas tij, e gjithë kjo vjen pas disa viteve të maltretimit, denigrimit dhe përjashtimit nga LDK-ja të z. Bulliqi nga ana e Isa Mustafës dhe klanit të tij servil në vitin 2017.

Image
Rexhep Elezaj

“E them këtë pasi profesor Bulliqi me 6 deputet tjerë të LDK-së refuzuan që ta votonin marrëveshjen e turpit dhe tradhtisë kombëtare për demarkacionin me Malin e Zi, për çfarë z. Mulliqi u detyrua që të kalon në LVV-je. Dhe, dihet mirëfilli se në këtë subjekt partiak ai gjeti një ambient dhe hapësirë më të madhe për veprim dhe angazhim profesional dhe politik, duke i fituar prapë votat për deputet si kandidat i LVV-je (6 tetor 2019), post të cilin e mbajti deri dje, kur i fitoi votat pa balotazh (51.6%) për t’u zgjedhur në detyrën e kryetarit të komunës së Podujevës, fitore të cilën ia urojmë nga zëmra.  Pra, Prof. Shpejtim Bulliqi, me një angazhim, përkushtim dhe mosdorëzim para sfidave që ia sollën faqezinjtë nga ish partia si dhe disa bashibozukë analfabet, duke e akuzuar se gjoja ky si kryetar i Komisionit për mbarëvajtjen e kufijve të Kosovës, jo vetëm me Malin e Zi, e ka “fajin” që Kosova na i paskësh humbur mbi 8260 hektarë toka, gjë që kjo është një gënjeshtër e kulluar, kur dihet fakti se Prof. Shpejtim Bulliqi bashkë me Prof. Florim Isufin, që të dytë ekspert në nivel akademik për çështje të gjeografisë, delimitimit të kufijve, gjeodezisë, etj., ishin dy refuzuesit më të mëdhenj kundër marrëveshjes të cilën e kishte përgatitur, Murat Meha, si ish kryetar i parë i Komisionit shtetëror me Malin e Zi, dhe e nënshkruar pikërisht nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Skënder Hyseni në Vjenë të Austrisë, me 26 gusht 2015, me të cilën Malit të Zi ia falën 8260 hektarë toka të trevës së Rugovës”, ka thënë Elezaj.

Sipas tij, mjafton të lexohet Raporti prej 700 faqesh i përgatitur nga Komisioni “Bulliqi” gjatë kohës së qeverisë “Haradinaj”, ku i kanë sjellë me qindra fakte se kufiri i vitit 1974 me Malin e Zi është zhvendosur diku-diku deri në 5 – 7 km në brendi të Kosovës, si pasojë e tradhtisë së personave të lartë përmendur.

“Pra, votuesit e trevës së Llapit me votën e tyre e kanë bërë zgjedhjen më  fatlume për të ardhmen e tyre që për kryetar komune të Podujevës e kanë zgjedhur, njërin ndër bijtë më të devotshëm, më të shkolluar, më të aftë si dhe më patriot e atdhetar që ka kjo trevë, ardhja e të cilit në krye të kësaj komune do e sjellë, jo vetëm ndryshimin demokratik të shumëpritur me vite, veçse nën udhëheqjen e z. Bulliqi, shumë shpejt Podujeva do bëhet ndër komunat më të bukura dhe më të zhvilluara në Kosovë! Ndërsa, sa i përket humbësve të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve, siç është LDK-ja e Agim Veliut dhe shefit të tij, Isa Mustafës, e cila siç dihet për 20 vite zhvati dhe monopolizoi pa fije morali çdo pore dhe segment të jetës së qytetarëve të vyeshëm të Llapit, ishte çasti i fundit që votuesit ta ndëshkojnë si dhe të ndahen nga një logjikë dhe diktaturë komuniste, e njërit ndër oligarkët dhe tajkunët më të paskrupullt që ka njohur Kosova e pasluftës, siç ishte Agim Veliu me klanin e tij’, ka thënë analisti politik Rexhep Elezaj

Mehazi: Humbja e LDK-së është simbolikë e humbjes në gjithë territorin e Kosovës

Kurse njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi ka thënë se, fitorja e Shpejtim Bulliqit është vërejtje serioze dhe vetëdijesim partiak për LDK-në.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas tij, veprimet e fundit të gabuara politike pas zgjedhjeve të 6 tetorit, e kanë zbehur dhe e kanë humbur shumë përkrahjen e popullatës ndaj LDK-së së Isa Mustafës. 

“Të gjitha të këqijat politike të LDK-së erdhën pas zënies së Agim Veliut me Albin Kurtin, ky konflikt i Veliut me Albinin u bë shkak i fundosjes së anijes politike të LDK-së. Për Isa Mustafën e partinë e tij më i vlefshëm ishte Agim Veliu sesa votuesit e LDK-së që votuan për Vjosa Osmanin dhe për qytetarët e Kosovës që votuan për ndryshime rrënjësore politike”, ka thënë profesor Mehazi.

Ai konsideron se  mocioni për mosbesimin e qeverisë Kurti, largimi i Vjosa Osmanit nga LDK-ja, prishja e koalicionit për ndryshime me LVV-ja, e formimi i qeverisë së LDK-së me forcat politike të kriminalizuara me Prontot jo që rebeluan votuesit, por e revoltuan edhe bazën më të fortë të LDK të Podujevës në këto zgjedhje lokale të votojnë për Shpejtim Bulliqin e LVV-së. 

 “Humbja e LDK-së në bastionin më të fuqishëm të Podujevës është simbolikë e humbjes së LDK-së në gjithë territorin e Kosovës”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Gashi: Zgjedhjet në Podujevë ishin një test i rëndësishëm për gjithë Kosovën 

Ndërsa avokati Tomë Gashi ka thënë për gazetën “Bota sot” se Shpejtim Bulliqi është fituesi i dytë i zgjedhjeve në Podujevë, ku zgjedhjet i fitoj e para lëvizja Vetëvendosje.

Image
Tomë Gashi

Sipas tij, ishte Lëvizja Vetëvendosje që i mundësoi kandidatit më të mirë në Llap që ti fitoj zgjedhjet

“Është Shpejtim Bulliqi që do të jetë kryetari i parë në Podujevë nga LVV që nga viti 1999 e deri më tani. Është Shpejtim Bulliqi që do ta dëshmoj se Lëvizja Vetëvendosje nuk është vetëm parti politike, por një lëvizje gjithë popullorë që po i prin ndryshimit jo vetëm në Podujevë por në gjithë Kosovën. Zgjedhjet në Podujevë ishin një test shumë i rëndësishëm jo vetëm për Podujevën por për gjithë Kosovën. Dhe u vërtetua që LVV mund të fitoj mbi 51% pa asnjë problem. Kështu do të ndodhë edhe në zgjedhjet nacionale kurdo që do të mbahen”, ka thënë avokati Gashi.

Ai konsideron se tani po shihet se populli është vetëdijesuar, dhe qytetari dëshiron ndryshime dhe këtë nuk mund ta pres nga partitë që kanë qenë në pushtet në Llap e në krejt Kosovën për 21 vjet.

“Ka ardhur koha e ndryshimeve dhe këtë nuk mund ta ndal askush më. Sepse qytetari din të zgjedh dhe do ta zgjedh Lëvizjen e vetme premtuese. Për të mirë të përgjithshme siç zgjodhi sot në Podujevë e nesër në gjithë Kosovën. LDK deshti apo nuk deshti duhet ta respektoj votën dhe vullnetin e shumicës si në Llap si gjithkund tjetër. Koha është që LDK të reformohet dhe ta kuptojnë se pa reforma nuk do të votojnë ma askund duke u thirrur në vlera të pa kontestuar që i ka pasur presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova. Sepse këta të LDK-së së sotme qysh se moti nuk është LDK e Kryetarit Ibrahim Rugova i cili e ka vendin me të shndritshëm në historinë e popullit tonë. Po të ishte gjallë Dr. Rugova dhe ti shihte se çka bëjnë këta  të LDK-së së sotme se si e vjedhin vullnetin e qytetarit të shprehur me 6 tetor të vitit te kaluar, atij do ti vinte keq se çfarë pasues politik të tij la pas, të cilët janë në gjendje të bëjnë gjithçka, për ta vjedhur dhe për ta mbajtur pushtetin duke e dëmtuar shtetin”, ka thënë avokati Tomë Gashi, duke shtuar se nuk ka më bastione politike të asnjë subjekti politik në Kosovë që nuk e ndryshon vullneti i qytetarit me votën e lirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat