Vjosa nuk mund ta marrë elektoratin rugovistë

Politika

Vjosa nuk mund ta marrë elektoratin rugovistë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 14 dhjetor 2020 Në ora: 10:39
Vjosa Osmani

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së vendit, Vjosa Osmani e cila tashmë është jashtë Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka bërë të qartë që në zgjedhjet e ardhshme do të garojë e ndarë nga kjo parti.

Megjithatë ditë më parë ajo bërë disa deklarata për partinë që deri dje ishte pjesë e saj. Për LDK-në, Osmani thotë se votuesit e LDK-së i përfaqëson ajo dhe jo "lidershipi aktual që fshihet nën logon e LDK-së".

“Ka qenë zgjidhje e LDK-së, apo logos që për momentin e kanë njerëzit që janë në lidership, por votuesin e LDK-së dihet që e përfaqësoj unë dhe po ashtu parimet mbi të cilat kemi garuar në zgjedhjet e fundit i përfaqësoj unë dhe shumë kolegë të mi. Sepse ne kemi dalë dhe kemi garuar me një platformë të caktuar me premtime të caktuara të natyrës politike dhe natyrave të tjera dhe të gjitha ato fjalë që i kemi dhënë i kemi mbajtur”, ka thënë Osmani.

Njohësit e ҫështjeve politike kanë komentuar këtë deklaratë të Vjosa Osmanit.

Zogaj: As Rugova nuk thoshte se elektoratin e LDK-së e përfaqësoj unë

Kështu, ish zyrtari i LDK-së dhe bashkëpunëtori i Presidentit historik, Ibrahim Rugovës, Skender Zogaj, thotë se ndonëse Vjosa Osmani ka merita të pamohueshme profesionale dhe intelektuale, që i ka shprehur në bashkëpunim me ish Presidentin Fatmir Sejdiu e më pas edhe me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, idili është prishur kur Vjosa ka tentuar që të rrëmbej nga Mustafa postin e kryetarit të LDK-së.

Image
Skender Zogaj

“E kam thënë edhe herë të tjera dhe po e përsëris prap: Vjosa Osmani është një zonjë e nderuar, me merita të pamohueshme profesionale dhe intelektuale, të cilat fillimisht i ka shprehur nën aureolin ish-kryetarit të LDK dhe ish-Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiut, e më vonë si bashkëpunëtorja më e afërt e ish kryeministrit dhe kryetarit aktual të LDK-së, Isa Mustafës, pranë të cilit, për hirë të së vërtetës, duhet theksuar se, Vjosa e ka qenë shumë e privilegjuar. Mirëpo, idili është prishur, kur Vjosa ka tentuar që Isa Mustafës t'ia rrëmbej postin e kreut partiak! Miqësia prishet dhe urrejtja shpërthen e fuqishme sidomos pas zgjedhjeve te fundit, kur Vjosa si më e votuara e LDK-s bie në ekzaltim, me vetveten, sepse e zë deliri i madhështisë! Por, siç ndodh gjithmonë në rastet e këtilla, "mendja e madhe bëhet e zeza e kresë" sepse, Vjosa e anashkalon faktin se, votat i ka fituar në emër të partisë, së cilës elektorati ka tentuar t'ia mundësoj postin e kryeministrit! Nuk them se Vjosa nuk e ka merituar votēn, por them se, partia ka qenë motivi dhe arsyeja kryesore”, vlerëson Zogaj.

Këtë deklaratën e fundit të Vjosa Osmanit, Zogaj e ka quajtur gafë të saj që nuk duhej ta bëntë, pasi gabon Vjosa nëse mendon se është pronarja e votuesve të LDK-së. Sipas Zogajt, as Ibrahim Rugova nuk ia ka lejuar vetes të thotë se ‘unë përfaqësoj votuesit të LDK-së’.

“Prandaj, deklarata e Vjosës se "LDK-së i ka mbetur vetëm logoja. Unë e përfaqësojë votuesin e LDK" është një gaf i madh që Vjosa nuk do të duhej ta bënte! E ka gabim Vjosa nëse mendon se është pronarja e votuesve të LDK-s! Gabim fatal shumë fyrës, që bie ndesh edhe me parimet themelore të konceptit demokratik të LDK! Ky është një qëndrim i rrezikshëm autokratik, i paterueshëm, sepse, elektorati rugovist e di mirë se, as ideatori, themeluesi dhe Babai i LDK-s, Ibrahim Rugova, kurrë nuk ia ka lejuar vetes të thotë: unë përfaqësoj votuesit e LDK-së”, thotë ai.

Analisti Zogaj tutje ka edhe një kërkesë për Vjosa Osmanin.

“Sidoqoftë, unë mendoj se, janë tē papranueshme linçimet dhe anatemimet e kujdoqoftë! Kjo kërkohet edhe nga Vjosa, së cilës si Kryetare e Kuvendit dhe Presidente e Kosovës, nuk i shkojnë deklaratat denigruese”, thotë Skender Zogaj për “Bota sot”.

Duhanaj: Vjosa të tregohet realiste

Image
Leon Duhanaj

Ndërkaq, analisti politik Leon Duhanaj thotë se Vjosa Osmani bën pjesë tek personat me më së shumti perspektivë në Kosovë, mirëpo nuk i shpëtoj as rrezikut të përplasjeve.

“Një fjalë e urtë gjermane thotë; mos u zgjatë se tepërmi në dritare", kjo nënkupton që rreziku që njeriu mund të bie edhe poshtë është i madh. Znj. Vjosa Osmani, padyshim bën pjesë tek kuadrot me me së shumti perspektivë në Kosovë. Si kuadër i ri, i ishte trasuar një rrugë pa kthesa drejt majave të suksesit në politikë. Për fat të keq, Vjosa nuk i shpetoj rrezikut të përplasjes në mes ambicieve të supozuara dhe mundësive reale. Njeriu është mirë të jetë idealist, por njëkohësisht duhet me qenë edhe realist, e sidomos kur pretendon me qenë akter i rëndësishëm në politikë”, vlerëson Duhanaj.

Ai thotë tutje se Vjosa, e sfidojë në vazhdimësi udhëheqësin e LDK-së, shpesh edhe me të drejtë, por për fat të keq, jo rrallë edhe pa të drejtë.

“Është rregull i pamohueshëm i demokracisë i cili parasheh votimin dhe respektimin e vendimeve të shumicës gjë që Vjosa në disa raste i theu dhe iu kundërvua edhe me votë në kuvend e që për mendimin tim kanë qenë shkelje të pafalshme. Çdokush mund të ketëvëndime të ku derta, qoftë edhe me shumicën, por ,assesi nuk bën t'i thej vendimet e shumicës, sepse është në kundërshtim të plotë me demokracinë”, thotë ai.

Analisti Duhanaj thotë shkarkimi i saj nga LDK-ja ishte si pasojë e kryeneqësisë, sepse partia nuk e ka përjashtuar.

“Edhe vendimi për ta shkarkuar nga pozitat udhëheqëse në LDK, ishte pasojë e kryeneqësisë së Vjosës, prandaj nuk ka pasur asnjë arsye për ta braktisur partinë, sepse nga partia nuk e ka përjashtuar askush. Vjosa e mori vëndimin e largimit nga partia, me gjasë duke u këshilluar keq në raport me interesat e LDK-së dhe vizionit të saj. Tani, të pretendosh që mund të ndryshosh rrjedhën e lojes, duke mos qenë pjesë e saj, është me shumë se iluzion. Në ketë kontekst, Vjosa, me largimin e saj veç se ua ka bërë me të lehtë ku kundërshtarëve të sajë qoftë brenda LDK-së, qoftë jashtë që ta luftojnë e ta minimizojnë politikisht”, thotë Duhanaj.

Ai thotë se Vjosa nuk mund ta përvetësoj trashëgiminë e LDK-së, pasi këtë nuk arriti as djali i Presidentit Rugova, e lëre më Vjosa.

“Tani, ajo ka vendosur që fatin e saj ta ndaj me LDK-në. Kjo gjë është legjitime dhe e drejtë. Por nëse mendon që mund ta përvetësojë edhe trashëgimin e LDK-së, atëherë gabon rëndë, shumë rëndë madje. Ketë nuk e arriti as vetë djali i Presidentit Rugova, e lere më ta bëj Vjosa. Aq me pak, besoj në një gjë të tillë, kur Vjosa ka zgjedhur që fatin e saj politik ta identifikojë me një politikan si Kurti, i cili është jo vetëm antipod, por edhe armiku me i madh i trashëgimisë dhe vizionit rugovist. Në këtë kontekst, mendimi im është që Vjosa, duke dalë nga LDK dhe duke garuar si aleate e VV-së, mund ta dëmtojë përkohësisht LDK-në duke ndihmuar VV-në, por në fund me së shumti do ta dëmtoj vetën e saj sepse trashëgiminë e LDK-së se merr dot”, thotë analisti Leon Duhanaj për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat