Schütz: Serbia po e kupton që pavarësia e Kosovës nuk mund të anulohet

Politika

Schütz: Serbia po e kupton që pavarësia e Kosovës nuk mund të anulohet

Nga: D.G. Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 08:18
Susanne Schütz

Zyrtarja e Ministrisë së punëve të jashtme gjermane e ngarkuar me marrëdhëniet me vendet e Ballkanit Perëndimor, Susanne Schütz, ka thënë se interesi i Serbisë duhet të jetë përparimi në bisedimet me Prishtinën brenda kornizës së "negociatave të saj për t'u bashkuar me BE-në".

"E dimë që nuk është e lehtë, por besoj se edhe Serbia e kupton që pavarësia e Kosovës nuk mund të anulohet më. Po ashtu, nuk duhet të harrojmë se do të ketë një administratë tjetër në Shtetet e Bashkuara nga 20 janari, e cila sigurisht do t'u japë një impuls të ri negociatave," i tha Susanne Schütz Deutsche Welle-s (DW).

Ajo gjithashtu deklaroi se shkëmbimi i territoreve për të cilin u fol për një kohë "nuk është në axhendë".

Schütz vlerësoi se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës është i ndërlikuar nga situata politike në Kosovë, e cila pret zgjedhjet e parakohshme.

"Megjithatë, që nga vera, ka pasur disa takime në nivel politik, dhe mbi të gjitha në nivelin e ekspertëve, në të cilat, siç dëgjojmë, të dy palët ishin të përfshira në mënyrë konstruktive," shtoi ajo.

Sipas saj, është e rëndësishme që dialogu të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse që është "politikisht e realizueshme në të dy vendet", e cila "i mundëson Serbisë dhe Kosovës perspektivën e hyrjes në BE dhe kontribuon në stabilitetin rajonal".

E pyetur në lidhje me pritjet nga qeveria e re në Mal të Zi dhe kryeministrin Zdravko Krivokapiq, Schütz tha se "është për të mirëpritur që kryeministri i ri ka treguar përkushtim për integrimin në BE dhe anëtarësimin në NATO dhe nuk ka vënë në dyshim njohjen e Kosovës".

"Tani presim që Mali i Zi, i cili ka qenë udhëheqës në negociatat me BE-në deri më tani, të vazhdojë procesin e reformave. "Është e rëndësishme të matet qeveria e re në lidhje me rezultatet konkrete," shtoi ajo.

Ardhja e administratës së re në Shtëpinë e Bardhë, sipas zyrtares gjermane, mund të jetë një shtysë e re për negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës.

E pyetur se si e sheh Bosnjën dhe Hercegovinën një çerek shekulli pas Marrëveshjes së Dejtonit, Schütz tha se vendi po mbetet prapa në procesin e afrimit me BE-në, por gjithashtu mund të shihet përparim. "Njëzet e pesë vjet pas Dejtonit, në thelb po arrijmë në një përfundim pozitiv, sepse kemi arritur gjithashtu 25 vjet stabilitet," tha ajo.

Schütz e vlerësoi vitin në fund të presidencës së Gjermanisë me Bashkimin Evropian si një "gotë gjysmë të plotë" kur bëhet fjalë për integrimin e Ballkanit Perëndimor.

"Në vitin që po i afrohet fundit, ishte e rëndësishme që Ballkani Perëndimor të ishte në krye të agjendës së BE-së dhe që politikat tona të tregojnë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është qëllim strategjik. Do të vazhdojmë të ndjekim në mënyrë aktive një politikë të tillë edhe vitin e ardhshëm ", tha Schütz, i cili ishte ambasadore e Gjermanisë në Shqipëri deri vitin e kaluar.

Schütz paralajmëroi vazhdimin e Procesit të Berlinit dhe dialogun rajonal me të rinjtë.

E pyetur se si t'i mbahen të rinjtë, të cilët po ikin nga vendet në rajon, Schütz përkujtoi se mungesa e sundimit të ligjit dhe korrupsioni shpesh përmenden si arsye për largimin dhe se do të vazhdojë t'u bëjë thirrje qeverive për të luftuar kundër tij.

"Ekzistojnë elementë të tjerë, siç janë çështjet në lidhje me sistemin arsimor dhe luftën kundër papunësisë. Është e rëndësishme të krijohen kushte në vetë vendet për t'u dhënë perspektivë njerëzve atje, për ta dhe familjet e tyre, "shtoi zyrtarja gjermane për DW-në.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat