Përplasjet në LDK, profesori ndërkombëtar thotë se Mustafa e Veliu janë në panik: Ja pse po bëhen sulmet e frikshme ndaj Vjosa Osmanit

Politika

Përplasjet në LDK, profesori ndërkombëtar thotë se Mustafa e Veliu janë në panik: Ja pse po bëhen sulmet e frikshme ndaj Vjosa Osmanit

Nga: G.B Më: 6 janar 2021 Në ora: 13:49
Vjosa Osmani

Bujë të madhe mediatike bëri dje deklarata e ministrit në detyrë, Agim Veliu, për u.d e presidentit, Vjosa Osmani, i cili deklaroi se e ka ditur se “ajo është e madhe por jo aq e madhe, që të zë aq shumë hapësira, që të largohet një kryesi për t’ia lëshuar vendin asaj”.

Veliu mori kritika të shumta, ndërsa në mbrëmje ai kërkoi falje dhe tha se nuk e kishte pasur qëllimin ta ofendonte.

Por, ofendimet e kritikat nga ana e LDK-së ndaj Vjosa Osmanit nuk janë të pakta, që kur ata e përjashtuan nga partia.

Lidhur me këtë, profesori Enver Bytyçi, duke folur për gazetën “Bota sot” ka thënë se Veliu, duke dashur ta lëndojë Osmanin, luajti në stilin e Edi Ramës dhe se ky ofendim është i paprecedentë për kulturën në Kosovë.

“Agim Veliu duke dashur ta lëndojë sa më shumë presidenten në detyrë, zonjën Vjosa Osmani, u përpoq që t'i vejë në dukje asaj pamjen fizike, duke luajtur në stilin e Edi Ramës me dinjitetin njerëzor. E kanë quajtur këtë bullizëm e ku e di unë se çfarë tjetër. Dhe e vërteta është se fyerja që u përpoq të bëjë ministri i qeverisë së Kosovës ndaj presidentes në detyrë dhe kryetares së parlamentit të vendit është e paprecedentë për kulturën kosovare”, është shprehur ai.

Sipas Bytyçit, askush nuk do të duhej të priste diçka tjetër prej një politikani injorant, nga një njeri pa integritet e dinjitet, duke shtuar se shumë e vlerësojnë Veliun me traditën patriotike të familjes së tij dhe e mëshirojnë për plagën që ka marrë por që kjo nuk ia arsyeton sjelljet e tij ndaj Vjosa Osmanit.

“Por askush nuk do të duhej të priste diçka tjetër prej një politikani injorant, që përfaqëson lumpenin e injorancës së Kosovës. Nga njerëz pa integritet e dinjitet, nga ata që shpirtin ia kanë shitur djallit, nuk mund të presësh diçka ndryshe nga fyerja, ofendimi, bullizmi, sharja, urrejtja dhe dasia e përçarja. Shumë njerëz e vlerësojnë Agim Veliun me traditën patriotike të familjes së tij dhe e mëshirojnë për plagën që ka marrë. Edhe unë nga pikëpamja njerëzore solidarizohem me të. Por kjo nuk do të thotë që njeriu të pajtohet me aktet e tij, aq më tepër me sjellje si kjo që shfaqi këto ditë ndaj Vjosa Osmanit”, ka vlerësuar profesori.

Bytyçi shton se tradita patriotike shqiptare nuk e lejon fyerjen dhe se kur flet Veliu, flet një ministër i brendshëm që ka ndikim në shoqëri dhe duke folur në këtë mënyrë, nxit të tjerët për rebelim të formave të ndryshme ndaj këtij institucioni.

“Tradita patriotike shqiptare nuk e lejon fyerjen, se fjala vret njësoj si edhe plumbi. Në këtë kuptim, Agim Veliu bëhet bastard i asaj tradite që e trashëgon nga familja dhe jo bartës i saj. Nga ana tjetër kur flet Agim Veliu, nuk flet vetëm ai. Flet ministri I brendshëm, i cili ka ndikim në shoqëri dhe sidomos te vartësit e tij. Si ministër i brendshëm ai nxit me fjalën e tij si politikan shumë njerëz me autoritet shtetëror të sillen jo korrekt me institucionet e shtetit. Për pasojë ministri i Brendshëm i Kosovës, duke përdorur fjalor rrugaçësh ndaj presidentes në detyrë, nxit të tjerët për rebelim të formave të ndryshme ndaj këtij institucioni”, ka deklaruar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Tutje, ai thotë se Veliu ka folur si politikan, nënkryetar i LDK-së e aq më keq që ka folur në emër të Isa Mustafa dhe kjo e bën më të rëndë akuzën, fyerjen.

“Agim Veliu do të thotë se ka folur si politikan, si nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Aq më keq akoma. Kjo do të thotë se ai ka folur edhe në emër të Isa Mustafës, pra të kryesisë së partisë së tij ose të pjesës më të madhe të kësaj kryesie. Kjo e bën më të rëndë akuzën, fyerjen dhe bullizmin e tij. Sepse do të thotë se kjo frymë ekziston te Isa Mustafa dhe te rrethi i tij i ngushtë. Ndoshta jo te Lutfi Haziri, por te shumë të tjerë. Kjo është e rrezikshme jo vetëm për LDK-në, por edhe për shoqërinë e Kosovës, e cila nuk duhet t'i ngjajë shoqërisë shqiptare të Shqipërisë, ku janë me qindra qytetarë, të cilët duartrokasin ose pëlqejnë bullizmin e Edi Ramës ndaj kundërshtarëve të tij politikë”, ka theksuar profesori.

Bytyçi shton se deklarata të tilla nuk e ndihmojnë LDK-në por i japin imazh të keq asaj dhe skenës politike në Kosovë.

“Deklarata të tilla, si kjo e Agim Veliut, nuk e ndihmojnë Lidhjen Demokratike. Përkundrazi e dëmtojnë atë rëndë. Madje i japin imazh të keq edhe krejt skenës politike në Kosovë. Këtë imazh e përdor Beogradi për ta përhapur kudo në Evropë, me qëllim që t'i thotë botës se "Ja çfarë politikanësh keni mbështetur ju për të krijuar një shtet sovran"! Politikanë të tipit Rama, Veliu, madje dhe Thaçi e Mustafa e ndihmojnë shumë pikëpamjen e Serbisë për "paaftësinë e shtetndërtimit nga ana e shqiptarëve"”, është shprehur ai.

Profesori mendon se vihet re se Mustafa, Veliu dhe servilët përreth janë në panik dhe sulmet ndaj Osmanit i movitojnë me nevojën për të mbijetuar, derisa shton se sulme të tilla vetëm sa e forcojnë pozicionin e presidentes në detyrë në spektrin politik të Kosovës.

“Por nga ana tjetër vë re se Isa Mustafa dhe Agim Veliu, si dhe servilët që kanë përreth, janë në panik. Sulmet ndaj Vjosa Osmanit i motivojnë me nevojën për të mbijetuar. Dhe duke e ditur këtë fakt, ata nxiten e joshen nga faktorë të tjerë për të qenë në sulme absurde kundër saj. Faktorë të tillë lexohen dhe njihen thjesht nga mediat e Tiranës, Prishtinës apo Beogradit. Ato medie që propagandojnë aktin e turpshëm të Agim Veliut, janë të interesuara që të denigrohet sa më shumë të jetë e mundur figura e zonjës Osmani. Dhe dihet se kush qëndron prapa mediave të tilla. Megjithatë konsideroj se sulmet me fyerje, ofeza, bullizëm, seksizëm, anti-feminizëm, vetëm se e forcojnë pozicionin e presidentes në detyrë në spektrin politik të Kosovës. Kjo për shkak se opinioni publik në Kosovë dhe qytetarët e saj nuk e kanë kulturë politike dhe njerëzore bullizmin, ofendimin, përbuzjen dhe denigrimin. Kësisoj nëse politikanët dalin jashtë këtyre kornizave të kulturës politike e qytetare të shoqërisë kosovare, ata ndëshkohen në elektorat. Ky është rregull në Kosovë, edhe pse është përjashtim në Shqipëri”, ka përfunduar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat