22 vite pa Enver Malokun, “qiriun” që ndriçoi terrin informativ në kohën e kriminelit Millosheviq

Politika

22 vite pa Enver Malokun, “qiriun” që ndriçoi terrin informativ në kohën e kriminelit Millosheviq

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 11 janar 2021 Në ora: 07:57
Enver Maloku

Në acarin e ftoftë të janarit, dora barbare vrau një ndër personalitete më të rëndësishme shqiptare.

Kolumnist i rregullt i gazetës “Bota sot”, dhe veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Enver Malaoku, në pasditen e 11 janarit 1999 u qëllua nga atentatorët, në afërsi të banesës së tij në Breg të Diellit, në sytë të familjes së tij.

Por, fatkeqësish, Maloku nuk arriti të mbijetoj nga plagët e marra, ku ndërroi jetë pak minuta pasi u dërgua në Spitalin e Prishtinës.

Edhe pse tashmë kanë kaluar 22 vite, kjo vrasje makabre ende nuk është zbardhur, ndërsa familjarët e bashkëpunëtorët e Malokut vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.

Më 20 tetor 1998, gazetari i mirënjohur, Enver Maloku, kishte botuar në gazetën “Bota sot” në atë kohë një shkrim me titullin “Kush janë ‘ekstremistët shqiptarë’ në Kosovë”.

Në shkrimin e tij, i ndjeri Maloku ngre shqetësimin që pse Beogradi dhe komuniteti ndërkombëtar nuk i pengonin ata që flisnin për pavarësi, por i pengonin vetëm ata që vepronin për pavarësi.

Tre muaj pas këtij shkrimi, Enver Maloku u vra para banesës së tij në Prishtinë, e që vrasja e tij edhe sot e asaj dite nuk është zbardhur, si shumë figura tjera të LDK-së, përfshirë edhe gazetarin tjetër, Xhemajl Mustafën.

Ndryshe, gazeta “Bota sot” ka tentuar disa ditë që të merr një prononcim nga zyrtarët e LDK-së për vrasjen e Malokut, po kjo ka qenë e pamundur.

Zogaj: Maloku ishte njëri nga figurat më të çmueshme kundër pushtuesit serb

Një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Zogaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se çështja e vrasjeve politike është plaga që kullon dhembje të madhe, sepse kjo e ka dëmtuar rëndë vendin.

Image
Skënder Zogaj

“Çështja e vrasjeve politike që ua shua jetën një numri shumë të madh të bijve dhe bijave tona më të mira atdhetare dhe intelektuale, është plaga që kullon dhembje të madhe, sepse e ka dëmtuar rëndë vendin dhe popullin tonë, duke e pakësuar gëzimin e lirisë dhe të pavarësisë!”, ka thënë ai për “Bota sot”

Po ashtu, Zogaj është shprehur se vrasja e Malokut e mbanë të rënduar ndërgjegjen tonë dhe të institucioneve të Kosovës.

“Njeri nga figurat më të çmueshme kundër pushtuesit serb dhe zëdhënësi më i fuqishëm për çlirimin e vendit, ishte Enver Maloku, gazetari e publicisti dhe bashkëpunëtori besnik i Presidentit Rugova, i cili në vend se të ndihmohej dhe mbrohej si vlerë kombëtare që ishte, u vra nga duar tradhtie, prandaj, kjo vrasje e mbanë të rënduar ndërgjegjen tonë dhe të institucioneve të Kosovës, që duhet ta kuptojnë se, nuk ka liri të mirëfilltë në Kosovë pa u zbardhë të gjitha vrasjet politike, ndër të cilat është edhe Enver Maloku!”, ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”

Bajraj: Enver Maloku, njeriu që vrau friken dhe flaki terrin në kohë okupim!

Kurse, veprimtari Fatmir Bajraj, në bashkëbisedim për “Bota sot”, ka përmendur disa nga vrasjet e figurave të rëndësishme shqiptare të cilat ndodhen në muajin janar.

Image
Fatmir Bajraj

“Vrasja e tij me atentat me 11 janar të vitit 1999, ngriu zemrat, por gjakoj lirinë e Kosovës në agun e saj, vetëm gjashtë muaj para çlirimit definitiv dhe invadimit triumfal të trupave çlirimtare të Aleancës Veriatlantike të NATO-së, në krye me Amerikën.

Në Janarin e akullt të shqiptarëve, në muajin e acartë i cili si fatum tragjik për shqiptarët, ngriu zemrat tona përgjatë historisë, që nga përjetësimi i kryezotit mesjetar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, rënia e Isa Buletinit në Podgoricë, e Jusufit, Bardhit e Kadriut në Gjermani dhe e Rexhep Males, Nuhi Berishes, sikurse e dhe Zahirit, Hakifit dhe Edmondit në Kosovë, vrasja e tmerrshme e Enver Malokut, sikur lidhë hallkat e vrasjeve në Janaret e ftoftë-akull, të Kolonelit Tahir Zemaj e komandant Smajl Hajdaraj në Kosovën e çliruar prej armikut”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Bajraj ka thënë se Malaoku u vra mizorisht, në pabesi në atentatin e dytë të organizuar, pak muaj pas të parit, por nga e njëjta dorë armike-gjakatare.

“Aty nuk e priti lirinë e Kosovës për të cilën u martirizua deri në flijm sublim, duke mos u ligështuar dhe as dorëzuar para stuhisë së furtunave të kohës, të cilave u bënte ballë me guximin e pashoq atdhetar dhe qëndrimin e palëkundur deri në përmbushjen e misionit fisnik, çlirimin e Kosovës dhe pavarësimin e saj.

U vra mizorisht, në pabesi në atentatin e dytë të organizuar, pak muaj pas të parit, por nga e njëjta dorë armike-gjakatare, por tanimë më e sofistikuar dhe më katile duke qëlluar për vdekje burrin e shquar dhe luftëtarin e paepur të kauzës nacionale për liri e pavarësi, tribunin e fjalës së lirë dhe të guximit intelektual, gazetarit unik, Enver Maloku.

Martir i përcjelljes së vërtetës absolute përmes gazetës së mbrëmjes , "Informatori", për Kosovën dhe shqiptarët në etnikumin gjenetik dhe përtej tij, në qendrat e vendosjes ndërkombëtare edhe në tri gjuhë botërore ; angleze, gjermane dhe frënge.

Hero i parë i fjalës së lirë dhe gazetarisë Kosovare bashkëkohore, për guximin intelektual të spikatur në kohë të rënda okupimi dhe para syve të regjimit kriminal dhe gjenocidal të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Enver Maloku, pishtar i informimit dhe përçimit të fjalës së lirë ; të shkruar dhe publike, nga Kosova e robëruar nga armiku shekullor, por nga shpirti i popullit liri-kërkues i Republikës së Kosovës dhe Agjensioni Kombëtar i saj, Qendra për Informim e Kosovës (QIK-u), shef i së cilës ishte deri në vrasjen e tij me 11 janar 1999 në Prishtinë”, ka thënë si për “Bota sot”.

Sipas tij, Qendra për Informim e Kosovës gjatë kohës kur po udhëheqje nga Maloku bëri një punë kolosale.

Bajraj thekson se regjimi i Millosheviqit e kishte shënjestër Malokun dhe se Sigurimi Shtetëror Serb ishte në kërkim të eliminimit të tij.

“Informimi dhe sistemi paralel i arsimit në Kosovë, ishin halë në sy, regjimit të Millosheviqit dhe pushtetit të instaluar në Kosovë, për çfarë Millosheviqi ishte në siklet dhe nuk gjente mjete dhe metoda konvencionale për t'i penguar dhe zënë frymën.

Qendra për Informim e Kosovës (QIK-u), shefi së cilës ishte Enver Maloku që nga themelimi i saj në fillim të viteve t'90-ta dhe deri të vrasja e tij, bëri një punë kolosale në pasqyrimin dhe përhapjen e së vërtetës për Kosovën të shkaktuar nga regjimi i egër kriminal dhe i aparthejdit serb në Kosovën martire dhe në kërkim të lirisë.

Regjimi i Millosheviqit, kishte shënjëstruar QIK-un dhe shefin e saj , Enver Maloku, andaj Sigurimi Shtetëror Serb përmes UDB-së ishte në kërkim të metodave të sofistikuara për eliminimin e tij, por duke kamufluar me metoda të luftës speciale anti-shqiptare dhe involvimin e shqiptarëve në një luftë vëllavrasëse të përgatitur mirë në kuzhinat e regjimit kriminal dhe të mbështetura në përvojën e Serbisë hegjemoniste-memorandumiane dhe të Naqertanjes së Garashaninit, për çfarë gjeti momentin e duhur dhe shfrytëzoj në dobi të Serbisë dhe duke dëmtuar shqiptarët dhe kauzën e tyre për Liri.

Serbia i'a doli të stigmatizoj Lëvizjen Nacionale të Shqiptarëve të Kosovës për Liri & Pavarësi dhe Presidentin Rugova, duke eklipsuar gjithë Lëvizjen aktive paqësore dhe duke e portretizuar si të dëmshme dhe jo-produktive për Kosovën dhe shqiptarët, meqë nuk pranonte që të hynte në një luftë të armatosur kundër regjimit dhe këtë e bënte përmes UDB-së dhe recidiv shqipfolës të asaj strukture të cilët mbillnin dhe kultivonin këtë klimë dhe frymë me pasoja për shqiptaret, për pasojë edhe eliminimi dhe ekzekutimi me atentat, nuk ishte më problematik dhe i pa realizueshëm, meqë atentatorët ishin të bindur se viktima e tyre, ishte "armik" i shqiptarëve dhe i opsionit të çlirimit me armë dhe luftë të armatosur.

Tanimë, zhvillimet dramatike në teren dhe fokusi i Qendrave të Vendosjes Ndërkombëtare mbi Kosovën, kishte imponuar dhe diktuar një qasje dhe dinamikë tjetër të atyre të cilët e shihnin si rast unik fitilin e vëllavrasjes ndërshqiptare si qelës asfiksimi të kauzës për liri, dhe në anën tjetër, rast i volitshëm i atyre të cilët, donin që t'i hapin shtigje strukturës së tyre për pushtet, të imponuar dhe diktuar me gryken e armeve dhe atentate kundër figurave të cilat i shihnin si pengesë për realizimin e synimeve të tyre, kryekëput anti-shqiptare dhe në dobi të armikut shekullor”, është shprehur Bajraj.

Gjithashtu, ai thotë se Maloku u vra pasi që ishte bashkëpunëtor besnik i Presidentit historik Rugova.

Bajraj thekson se Maloku nuk kursente njeri, lëvizje dhe as qendra të vendosjes kur vlerësonte se të njëjtat bien ndesh me kauzën e popullit të Kosovës për Liri e pavarësi

“Enver Maloku, nuk u vra pse ishte shqiptar, as pse ishte thjesht gazetar e publicist, nuk u vra as pse ishte letrar dhe kritik i spikatur dhe i shquar letërsie, bilës nuk u vra as pse ishte roker e gitarist i mirë, por u vra sepse ishte bashkëpunëtor besnik i Presidentit historik Rugova, anëtar i LDK-së dhe i KP të saj që nga Kuvendi i III-të i saj i Përgjithshëm i vitet 1998.

-Enveri i u vra, për fjalën e shkruar dhe mesazhin e saktë, për bindjet politike dhe mendimin e guximshëm, për idetë dhe qytetarinë unikale ; plotë dije, guxim e vizion.

Enver Maloku, nuk kursente njeri, lëvizje dhe as qendra të vendosjes kur vlerësonte se të njëjtat bien ndesh me kauzën e popullit të Kosovës për Liri e pavarësi, me vullnetin e shprehur me referendum dhe aktet historike, formalo-juridike të shprehura në Kuvendin e Kosovës.

Aty, nuk ishte konformist dhe nuk pajtohej asnjëherë me fryma dhe qasje të tilla, kurdo çoftë dhe nga do që vinin, andaj edhe ishte armik i përbetuar i atyre që devijonin këtë rrugëtim dhe kauzën për liri si mision nacional.

Kritikoj thekshëm dhe fuqishëm lëvizjet konformiste të kohës të cilat synonin nxjerrjen nga shtrati dhe binaret e projektit nacional për liri e pavarësi, duke metuar për zgjidhje të mesme alternative të cilat ishin më pak se sa pavarësi, të cilat nuk ishin zgjidhje por ri-nënshtrim dhe ri-sundim”, ka deklaruar Bajraj për “Bota sot”.

“Enver Maloku, sfidoj dhe kundërshtoj pa qime në gjuhë edhe Ballkanin e Demaqit dhe solucione tjera të përafërta, me guxim dhe largpamësi të pashoqe.

Kishte dhe shprehej kritik me gjuhë të qartë dhe guximshëm, edhe për sjelljet e papërgjegjshme të krerëve të UÇK-së, të cilës jo rrallë me gjuhën, sjelljet dhe aktet, dëmtonin interesin nacional dhe rrezikonin qenien biologjike kombëtare duke mos qenë në gjendje realisht t'i mbrojnë ata, por vetëm duke provokuar situata të rrezikshme dhe fatale, siç ishte rasti me ndërhyrjen në Rahovec dhe çmimin e paguar nga ana e dhjetëra civilëve të vrarë nga soldateska serbe dhe forcat ushtarako-policore dhe paramilitare.

QIK-u, shef i të cilit ishte Enver Maloku, ishte halë në sy edhe e LBD-së së Qosjes, dhe përfaqësuesit politik të UÇK-së në Prishtinë, z. Adem Demaqi, të cilët kishin dal hapur kundër LDK-së, presidentit Rugova dhe QIK-ut si agjensi kombëtare e Kosovës.

Akademik Rexhep Qosje dhe Adem Demaqi, ishin akteret të cilët helmuan opinionin publik të vendit, duke propaganduar kundër Lëvizjes aktive paqësore për pavarësi dhe vetë presidentit Rugova, gjuhë kjo e cila u absorbua dhe konsumua ashpër edhe nga i vetëquajturi SHP i UÇK-së me seli në Tiranë, i njohur si Shtabi i Rognerit”, ka deklaruar Bajraj për “Bota sot”.

Me tej, Bajaraj përmend se Maloku ishte i 11-ti në listën për likuidim të Shtabit të Rognerit.

“Vrasja e Enverit, padyshim është akt i koordinuar dhe në bashkëveprim me armikun, por urdhrin për vrasjen e tij, e kanë dhënë Shtabi i Rognerit në krye me Azem Sylen e Xhavit Halitin, përndryshe në Prishtinën, në shtet rrethim të hekurt nga forcat serbe, nuk do të mund të kryhej atentati nga 4 veta të maskuar në zeza dhe të iknin pa therë në këmbë, jo !

Enver Maloku ishte i 11-ti në listën për likuidim të Shtabit të Rognerit, por u vra nder të paret edhe për faktin se tanimë duhej defintivisht t'i mbyllej goja "Informatorit" të QIK-ut, dhe të hapej dritarja e pushtetit të "ri" në horizont, zërit të improvizuar të Shtabit të Rognerit përmes "Kosova e Lirë" e cila vendit të informimit të drejtë dhe të saktë, donin të zëvendësonin me propagandë, agjithacion dhe luftim të gjithë atyre që nuk njihnin lidershipin e tyre në luftë dhe në diplomaci, si krahun politik të saj.

Vrasja pas luftës me atentat e ish shefit të UDB-së për Kosovën, Ibush Kllokoqi nga ana e SHIK-ut, flet për konspiracionin se Ibush Kllokoqi, jo vetëm dinte për rastin Maloku, por i njëjti ishte edhe hallkë e krimit të koordinuar në mes të UDB-së dhe levës së saj, SHIK-un e Shtabit të Rognerit.

Urdhërdhënësit e kësaj vrasje, dijnë dhe janë të njëjtit edhe në rastin Maloku dhe gjithë kjo, në kuadër të humbjes së gjurmëve për shumë vrasje politike sikur Maloku, Mustafa e deri të gazetari Bardhyl Ajeti !”, ka deklaruar ai për “Bota sot”

Më tej, Bajra shprehet se familja e Enver Malokut dhe qytetaret e Kosovës, ende presin zbardhjen e vrasjes së Enverit dhe të vrarëve të tjerë.

“Urdhërdhënësit e vrasjes së Enverit dhe vrasjeve tjera politike në Kosovën e çliruar, ishin në Rambuje, me pas në të vetëquajturën QPK, SHIK dhe në kapje të shtetit të Kosovës në mbi dy dekada si "Krah i luftës.

Pjesë vogël (në miniaturë), nga kjo Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale (NPK) gjendet prapa grilave në Gjykatën Speciale të Kosovës me seli në Hagë, por shumica prej syresh janë të lirë dhe të sofistikuar në piramidën e shtetit të kapur dhe me Sistem të asfiksuar të Drejtësisë.

Familja e Enver Malokut dhe qytetaret e Kosovës, ende presin zbardhjen e vrasjes së Enverit dhe të qindra tjerëve të vrarë nga e njëjta NPK, vrasje këto tinëzare dhe qyqare ; pa hak, pa gjyq dhe pas shpine, dhe shpresat janë se Dhomat e Specializuara të Kosovës në Gjykatën Speciale, të zbardhin, kapin dhe ndëshkojnë kriminelët, satisfaksion për familjet e të vrarëve, qytetaret dhe të ardhmen e vendit, peng i të cilave ka mbet sot e gjithë ditën”, ka përfunduar ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat